Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhosh Gaçe: Sali Njazi Dedei, Kryegjyshi martir për Fe dhe Atdhe…

Në historinë e atdhetarizmit dhe të besimit në Shqipëri koha ka nxjerrë në skenë figura të rëndësishme,, figura që vazhdojnë të valorizojnë dhe sot e kësaj dite vlera, frymëzim dhe motive të rëndësishme shoqërore. Sali Njazi Dedei është një nga këto figura emblematike të mendimit dhe të besimit, një klerik dhe një patriot i bektashizmit, i cili ka përçuar në mënyrën më të mirë të mundshme fondamentet e harmonisë, unitetit, kulturës dhe vullnetit njerëzor për dije dhe dinjitet.

Sali Njazi Dedei ka lindur në Kolonjë më 5 mars 1876, në një trevë tradicionalisht të njohur për kulturë dhe veprimtari atdhetare. Koha kur po rritej dhe formohej kulturalisht Sali Njazi Dedei përkonte me përhapjen dhe konsolidimin e lëvizjes progresive të bektashizmit në Shqipëri, por dhe në trevat e tjera ballkanike, si një kulturë dhe besim që përcillte qartësisht një frymë tolerante. Trevat e Jugut të Shqipërisë ishin ndër të parat që e përqafuan bektashizmin, me ç’rast dhe Sali Njazi Dedei i Kolonjës që në fëmijëri preku nga afër ndikimin që patën tek ai teqetë e Kolonjës dhe të Leskovikut. Kjo fëmijëri e mrekullueshme, e cila u shoqërua me edukimin nga besimi bektashi, Sali Njazi Dedei në moshën 8 vjeçare shkoi në Stamboll për t’u shkolluar, i cili për 13 vjet ndoqi mësimet në Stamboll dhe në Haxhi Bektash. Në vitin 1897 rruga e tij do të bëhej e qartë, ai nisi rrugën e bektashizmit, një rrugë që përçonte mirësi bektashiane e njohur në historinë  besimit shpirtëror.

Si një besimtar i bindur dhe me vetëdije, Sali Njazi Dedei bie në sy të ish- Kryegjyshit botëror atje, Haxhi Fejzi Dedei, mbështetet nga ai dhe pa asnjë hezitim ai “dorëzohet” si dervish në rrugën e Hakut, duke u pleksur shpirtërisht në mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamet dhe çelësat e diturisë mistike. Shpejt, pasi hyn plotësisht në botën bektashie, ai kthehet në modelin e klerikut bektashian. Në këto momente, Dede Fejziu fillon t’i ngarkojë detyra të caktuara, si një provë e aftësisë dhe fuqisë që ai mund të tregojë nën mësimet e besimit bektashi.

Veprimtaria e tij e gjerë bektashiane tërhoqi vëmendjen e mjaft klerikëve të shquar nga Anadolli, Azia, Iraku e Irani, në përvetësimin e mësimeve të Kuranit, hadithet e profetit Muhamet, këshillat e Abaz Aliut e të Haxhi Bektash Veliut, duke u pajisur me një vizion të thellë të botës mistike. Ai përktheu në gjuhën turke e shqipe mjaft poetë, filozofë e dijetarë të shquar si: Gazaliu, Fuzuliu, Arabiu, Omer Ibni Faridhi, Mevlana Xheladin Rumiu etj.

Pas Kongresit të Manastirit, 1908, baba Saliu, me këshillë të Haxhi Fejzi Dedesë, udhëtoi në vendlindje dhe vise të tjera shqiptare, ku u njoh nga afër me veprimtarinë bektashiane në Jug të Shqipërisë, Konicë, Tetovë, Selanik e gjetkë, si dhe nxitjen e çeljes së shkollave shqipe dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Me këtë rast, ai mblodhi edhe mjaft ndihma për Kryegjyshatën Botërore në Turqi, në Haxhi Bektash. Personaliteti i tij si organizator dhe bektashi, bëri që të zgjidhej edhe në Këshillin e Lartë Klerikal Botëror të Bektashizmit.

Pajtimi i dedesë së Madh dhe familjes Çelebi ishte një nga detyrat e vështira të besuara atij, me ç’rast ai tregoi aftësi unike, aftësi pajtuese, i zgjuar, largpamës, një dishepull i rëndësishëm i interpretimit të së vërtetës dhe drejtësisë. Pas disa provave të fuqisë, karakterit, aftësive dhe dimensionit shpirtëror, pas largimit nga kjo jetë e ish Kryegjyshit Haxhi Fejzi Dede, këshilli i lartë gjyqësor i beson Sali Njazi Dedeit detyrën e lartë të bektashizmit në vitin 1913. Ky ishte një vlerësim dhe besim i lartë ndaj tij, duke nderuar jo vetëm atë, por krahinën e tij dhe Shqipërinë. Tashmë ai kishte njohje dhe ndikim në të gjithë hapësirën bektashiane në botë, si Egjipt, Siri, Iran, Irak, Azerbaxhan, Azbekistan, Turmenistan, Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi e deri në Azi. Ky ishte treguesi fondamental i personalitetit dhe aftësive që ai posedonte në detyrën e rëndësishme, por dhe të klerikut në vetvete.

Sali Njazi Dedei kishte mbështetje dhe njohje më personalitetet më të fuqishme të kohës, veçmas me Mustafa Qemal Ataturkun, i cili në vitin 1919 vizitoi teqenë e Haxhi Bektashit, i cili kishte një mbështetje të lartë morale pikërisht nga kleriku i lartë dhe i besueshëm Sali Njazi Dedei dhe Xhemaladin Çelebiu, figura të njohura të kohës në botën bektashiane. Po ashtu, reputacioni dhe ndikimi i madh i klerikut të lartë bektashi Sali Njazi Dedei, lanë gjurmë edhe në shpalljen e pavarësisë  së kombit turk.

Në vitin 1925, siç njihet historikisht, parlamenti turk mbylli të gjithë teqetë në perandorinë osmane. Përballë gjithë kësaj situate të vështirë dhe dileme historike, Sali Njazi Dedei krijoi një rrethanë të rëndësishme, jo vetëm për bektashizmin, të cilin nuk e la të dobësohej apo të eliminohej, por dhe për Shqipërinë, vendin e tij, ku besimi bektashi kishte bërë më të mirën për kulturën dhe të ardhmen e vendit. Rilindja shqiptare, bektashinjtë shqiptarë, emrat e rëndësishëm të vëllezërve Frashëri ishin një mundësi e jashtëzakonshme, që kryeqendra e e këtij besimi të vinte në Tiranë, në Shqipëri.

Reputacioni i jashtëzakonshëm, profili i një njeriu me fuqi mendore dhe shpirtërore, tradita dhe misioni që ai i kishte ngarkuar besimit të tij dhe vetë bektashizmit, krijoi një marrëdhënie dakordësie me qeverinë e kohës në Shqipëri, kryesisht Mbretin Zog (për këtë situatë ka një letërkëmbim të njohur), dhe në këto rrethana Sali Njazi Dedei (Hirësia e Tij), në mars të vitit 1930 (pas Kongresit Bektashi në teqenë e Turanit  të Korçës të vitit 1929) i besohet detyra e  Kryegjyshit Botëror të Bektashizmit. Në vitin 1931 në Tiranë dhe me ndihmën e qeverisë së kohës dhe mbështetje të Mbretërisë Shqiptare, ngrihet Kryegjyshata Botërore.

Shtypi i huaj dhe ai shqiptar, siç ishte edhe “Gazeta e Korçës”, 1 shkurt 1930, e përshkruajnë plot përmallim ardhjen e Sali Njazi Dedeit, në gjirin e bektashinjve të Atdheut të vet: “Kryegjyshi deklaroi se është tepër i mallëngjyer nga pritja e jashtëzakonshme dhe e përzemërt e popullit dhe autorizoi t’i transmetojnë bekimet e tij jo vetëm besnikëve bektashinj, por gjithë popullit të Shqipërisë së lirë…”.

Vendosja e qendrës botërore të Bektashizmit në Shqipëri, pasqyrohet në mjaft gazeta, dokument arkivale, dorëshkrime e kujtime të kohës. Në Arkivin e Shtetit, në Fondin 883, viti 1932, Dosja 1, fl. 1-3, thuhet: “Kryetari i Teqesë së Haxhi Bektash Veliut në Kershehir, Hirësia e tij, Kryegjyshi Sali Njazi, që është i fisit shqiptar dhe që njihet si Papa i gjithë bektashinjve të botës, u shtrëngua të largohet nga qendra e madhe e bektashizmit dhe erdhi e zu vend në Tiranë, si Kryegjysh i Shqipërisë, gjithë duke mbajtur edhe ofiqin e tij të lartë si postmbajtës i këtij besimi në të gjithë botën…”. Me këtë rast, studiuesi Nuri Çuni përmend një thënie profetike të Haxhi Bektash Veliut: “Kur çiraku im të shuhet në Lindje, ai do të ndrisë në Perëndim”. Një varg dokumentesh arkivale, shkresa, letërkëmbime e qarkore dëshmojnë, se pas vendosjes së Qendrës Botërore Bektashiane në Teqenë e Melçanit dhe më pas, në vitin 1931 në Tiranë. Korrespondenca e Sali Njazi Dedesë me mjaft teqe në Shqipëri, por edhe në Turanballi Sulltan, Selanik, Konicë, Katerinë të Greqisë, Bullgari, Tetovë e gjetkë, gjeografia bektashiane i mbijetoi kohëve me dashuri e urtësi, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me besimet e tjera fetare. Edhe kjo seli e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, është fryt i përpjekjeve të tij, të bektashinjve shqiptarë, si dhe qeverisë, që bënë të mundur ngritjen e kësaj vepre madhështore dhe shpirtërore siç e quan edhe Baba Rexhepi, në veprën e vet “Misticizmi islame dhe bektashizmi”.

Siç edhe mund të kuptohet, kjo ishte një detyrë e rëndësishme dhe e vështirë në kushtet historike-politike të vendit, por dhe të besimit bektashi, por për 11 vite Sali Njazi Dedei rrezatoi një ndikim dhe reputacion të madh në të gjithë botën bektashiane shqiptare dhe të vendeve të tjera ballkanike. Në të gjithë veprimtarinë e tij bie në sy raporti i thellë me atdheun, të cilin e reflektoi në të gjithë mjedisin klerikal bektashi. Dhjetëra baballarë te teqeve bektashi ishin rreth tij kohë pas kohe, ku krahas respektit, mësimeve që ai u përcillte me urtësi dhe dashuri, në këtë marrëdhënie binte në sy dhe pavarësia dhe ruajtja e tradicionit brenda besimit.

Sali Njazi Dedei në të gjithë marrëdhëniet me kohën, duke qenë njëri nga klerikët që kishte dalë hapur kundër pushtuesve, ai përcillte mësimet e vyera të rilindjes shqiptare lidhur me çështjen e atdheut. Në këto rrethana, ku Lufta e Dytë Botërore ishte në kulmin e përgjakjes së popujve në botë, fatin e martirit do ta kishte dhe Sali Njazi Dedei, i cili më 28 nëntor 1941, vritet nga një dorë vrastare. Në opinionin e njohur dhe burimet historiografike thuhet se Sali Njazi Dedei u vra nga dora gjakatare e armiqve të kombit shqiptar, pasi ai nuk nënshkroi Aktin e kapitullimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Në këto rrethana dhe zhvillime historike, Sali Njazi Dedei la pas një vepër të çmuar prej kleriku të besimit bektashi, la pas një faqe të ndritur prej atdhetari dhe njeriu të kulturuar, la pas një emër që rrezaton mirësi, dinjitet dhe humanizëm, dhe për këto arsye dhe cilësi nderimi dhe respekti për të nuk do të mungojë kurrë.

Sot, pas kaq kohësh, lexuesi shqiptar, por dhe bektashinjtë e shumtë në Shqipëri, në Veri dhe në Jug kanë fatin të kenë në duart e tyre burime shkrimore të një njeriu si Sali Njazi Dedei, një dedikim shpirtërorë, ku shpaloset lidhja e fortë e tij me besimin, me virtytet dhe cilësitë e një njeriu të këtij besimi,me të vërtetën, me trashëgiminë e besimit që nga Muhameti e deri tek figurat  tjera të besimit bektashi. Nefesi i Sali Njazi Dedeit është jashtëzakonisht shpirtëror dhe gjithmonë ka një lloj aktualiteti të mrekullueshëm. Ai është një pasqyrë e shpirtit të vetë Sali Njazi Dedeit.

“Rrugës kur i hyra thirra vet kërkova:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’ ja Ali!

Atij Shahut tim un lutje i drejtova:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Muhamet Aliu është gjith’ sekreti,

Drejt rruga e tyre shkon tek i Vërteti,

Nga Hasan, Hyseni trashëgim na mbeti;

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Shahut’ Qerbelasë, në theror i jemi,

Me Zenelin bashkë, me kokë i vemi,

Muhamet Bakirit gjurmën ne ia kemi,

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Ruaj mua tinë, që un’ të të ruaj,

Tha Hunqari Vetë, këtë ti e gjuaj,

Ndiq vijn’ Xhaferrit dhe me gojë thuaj:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Musa Qazimi ësht’ për neve dritë,

Tekiut, Nekiut u mbajm’ porositë,

Për her’ të vendosur, thërresim nat’ e ditë:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’, ja Ali!

 

Vargu na arrin te Hasan Asqeriu,

Është’ i dymbëdhjeti Muhamet Mehdiu,

Niazi i thërret irit tonë Veliut:

Më ndih, ja Muhamet! Shpëtom’ ja Ali!

 

Përveçse është një nga krijimet më të bukura të frymës bektashiane, në këtë nefese të Sali Njazi Dedeit ka një shpirt të derdhur mrekullisht për marrëdhënien që ai ka me besimin dhe njerëzit, të cilët ai i sheh përmes figurave më të ndritura, të cilët i kanë ndriçuar atij rrugën e besimit dhe lidhjen me njerëzit dhe kohën. Nefesi i shkruar prej tij është si një ushqim i përditshëm për vetë klerikun dhe besimtarin e njohur, por dhe besimtarët e tjerë, me të cilët ai jeton çdo moment.

Emri dhe vepra e Sali Njazi Dedeit i rezistoi mjaft mirë kohërave. Veprat e mira nuk mund të zhduken kurrë. Menjëherë pas rënies së totalitarizmit, figura dhe vepra e Sali Njazi Dedeit u ridimensionua. Kështu ai në vitin 2010 është shpallur “Dëshmor i Atdheut” bashkë me Dede Ahmet Myftar Ahmatajn, ndërsa në vitin 2019 është shpallur “Nderi i Kombit”. Sali Njazi Dedei është dekoruar dhe me “Urdhrin e Klasit të Parë” në vitin 1993, me zhvillimet demokratike në Shqipëri. Selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashianë është shpallur “Monument Kulture”, duke konfirmuar mjaft mirë devizën “Pa atdhe nuk ka fe”, një devizë ku atdheu dhe feja kanë plotësuar njëra- tjetrën.

Po ashtu, figura emblematike e Sali Njazi Dedeit është nderuar dhe në emetimin e pullës shqiptare. Vepra, veprimtaria dhe ndikimi që Sali Njazi Dedei pati në misionin e tij prej kleriku është përmbledhur mjaft mirë në vlerësimin e klerikut më të lartë bektashi të Kryegjyshit Botërorë, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për të cilin shkruan:”Midis këtyre emrave të ndritur të dëshmorëve dhe ideatorëve të kombit, bënë pjesë padyshim dhe emri i kulluar i klerikut bektashian, Sali Njazi Dedei, i cili erdhi në Shqipëri me një vizion të qartë dhe plotë shpresa se Qendra Botërore e Bektashinjve duke u vendosur në jugperëndim të Evropës të krishterë, në paqe dhe bashkëjetesë me besimet e tjera fetare, por dhe do të kontribuonte në harmoni midis feve…

Kjo figurë e ndritur prej kleriku dhe martiri do të mbetet përjetësisht një figurë komplekse, e cila do të mbetet dhe një shembull i shkëlqyer dinjiteti, krenarie, mirësie dhe atdhedashurie.

Please follow and like us: