Kryeministrja jep dorëheqjen 8 orë pas zgjedhjes së saj
Festimet e Magdalena Anderson, e cila përjetoi një atmosferë euforike në mëngjes, kur u zgjodh kryeministre e Suedisë dhe u bë gruaja e parë në detyrë, morën një kthesë të papritur. Tetë orë më vonë, Anderson u detyrua të jepte dorëheqjen. Kjo pasi deputetët votuan kundër buxhetit të qeverisë, duke çuar në daljen prej tij të partisë në pushtet të të Gjelbërve. “Ka një praktikë kushtetuese që do që qeveria e koalicionit të japë dorëheqjen kur një parti largohet prej saj. Unë nuk dua të jem kreu i një qeverie, legjitimiteti i së cilës vihet në dyshim”, tha Anderson në një konferencë shtypi. Siç shpjegoi ajo, i tha “presidentit (të parlamentit) se dua të jap dorëheqjen nga kryeministria”. Megjithatë, ajo nuk ka ndërmend të heqë dorë nga politika, pasi do të tentojë të formojë një qeveri njëpartiake dhe të marrë sërish votëbesimin.
Të Gjelbrit u larguan nga koalicioni
Të Gjelbrit njoftuan më herët se po largoheshin nga koalicioni qeverisës sepse buxheti u votua në parlament. “Ne donim të kishim miratimin për të promovuar politikat e gjelbra. Nuk është puna e të Gjelbërve të zbatojnë një buxhet të negociuar nga demokratët suedezë”, tha Martha Steveni, bashkëkryetarja e partisë. Buxheti i qeverisë u refuzua, ndërsa u miratua projektligji përkatës i promovuar nga tre parti të krahut të djathtë, përfshirë partinë anti-imigruese të demokratëve suedezë.