At Gjergj FISHTA: HYMNI I FLAMURIT KOMBTAR!
Nazmi Hoxha: Gjergj Fishta
Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshëm e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkodër. Me gjithse këtyne iu desht me dalë, fuqitë nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e kremtes së Shna’ Ndout, 12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që se fuqitë nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (më 14 Maji). At Fishta, këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngrit Flamurin e Shqypnisë e në ketë entuzjazëm kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndërsa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija me njiherë, si u patnë porositë perpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue: “Porsi fleta…”. Me njiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi urdhnit të tij. (Komenti At Viktor VOLAJ) 1941
- Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.
- Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
- Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,
Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’ t’ leta.
Bini, Toskë!….
- Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”
Bini, Toskë!….
- Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhanun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?
Bini, Toskë!….
- Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fmi!
Kem’ me mbetë kortarë nder ara,
Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.
Bini, Toskë!….
- M’ kambë, Sokola të Shqypnis!
Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet
Si pol veshet t’ Perendis,
Kah na ban hije prej qiellet.
Bini, Toskë!….
- Ma mirë dekë me u shue nen hije
T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.
Bini, Toskë!….
- Armët e Besen na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoi Kastrjota:
Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!
Bini, Toskë!….
- Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qé, u nis perpara:
Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!
Bini, Toskë!….
Shenim nga F.Radovani: Mendoj se Rinia asht mire me u njohë me këte Hymn.
Melbourne, 26 Nandor 2021.