“Prushi i Shoqërisë Flaka”, një libër që gjëmon nga lufta për liri dhe zhvillim
Sejdo Harka
“Kur vdes një njeri; varroset një bibliotekë; ndërsa kur harrohet historia, vdes i tërë njerëzimi’’-Borgesi–
Sapo nis të shfletosh librin “ Prushi i Shoqërisë Flaka”, shkruar me ngrohtësi nga ushtaraku Rexhep Xhepa, në formën e një ditari të vrullshëm, plot veprimtari dhe energji, i cili sapo ka dalë në qarkullim, përpara të shfaqet portreti kolektiv i një “Shoqërie” të zjarrtë, që është pagëzuar me emrin kuptimplotë “ Flaka”. Ata që u bënë shkëndija e parë e kësaj “Shoqërie”, ishin intelektualët Qemal Cala, Rexhep Xhepa, Isa Qerimi, Idriz Imeri, Petrit Gjoka, Hys Hasa…të cilët, që në takimin e parë, aty nga fillimi i vitit 2000, projektuan se si këtë “shkëndijë”, dalëngadalë, do ta kthenin në një “flakë’’, që do të rrezatonte, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe përtej Oqeanit, gati në tre kontinente të botës, ku flitet shqip. Si rezultat i punës së mençur të kësaj bërthame shoqërore, sot kjo “Shoqëri” ka marrë dimensionet e një “dielli shpirtëror” dhe forcën e një “orteku” që zbret nga majat e kreshtave të thepisura. Ajo që e rriti interesin për ta përkrahur dhe simpatizuar këtë “Shoqëri”, janë shembulli i mirë i intelektualëve nismëtarë të themelimit të saj dhe principet bazë, mbi të cilat do të funksiononte kjo organizatë shoqërore, në shërbim të tyre, shoqërisë dhe Atdheut. Principet themelore të kësaj “Shoqërie’’, edhe pse ajo krijohet dhe vepron në kushte të reja shoqërore dhe ekonomike, pothuaj se janë vazhdim i atyre të “Shoqërisë së Bukureshtit’’, të themeluar nga Rilindasit tanë të mëdhenj. Themeli i tyre është bashkimi i shqiptarëve pa dallim krahine, ideje dhe bindjeje politike, princip që synon ruajtjen e trojeve, të lirisë dhe gjuhës shqipe, të kulturës, memories, historisë e traditave tona më të mira, mbi konturet e të cilave është krijuar dhe rregullorja (Statuti) e kësaj “Shoqërie” të cilën, anëtarët e saj, e konsiderojnë si “Kushtetutën” e dytë të veprimtarisë së tyre të përditshme. Para saj, të gjithë anëtarët e saj e ndjejnë veten të barabartë.
Veprimtaria e kësaj “Shoqërie’’, që shtrihet në një kohë prej më se dy dekadash, është e gjerë dhe e larmishme. Merita e vazhdueshmërisë së saj, në radhë të parë, i takon çdo anëtari, por veçanërisht ideuesve dhe kryesisë së saj, me kryetar Bajram Avdiun. Por një meritë e veçantë i takon edhe autorit të këtij libri, ish ushtarakut Rexhep Xhepa, i cili, si një kronikan i vërtetë, tërë sy e veshë, me intuitë hulumtuese e talent përshkrues, dhe me gjuhën e tij të këndshme, jo vetëm i zbulon e i regjistron, por me penën e tij të mprehtë, nëpërmjet librit-ditar, me titullin kuptimplotë “Prushi i Shoqërisë Flaka”, do ta bëjë të pavdekshme historinë mbi 20-vjeçare të një Shoqërie vullnetare, që kryen edhe misionet e detyrat e institucioneve të mëdha shoqërore dhe shtetërore. Veprimtarët e kësaj “Shoqërie”, nuk lejojnë të vdesë historia dhe kultura shqiptare, sepse siç thekson Borgesi i madh: “Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë, kur harrohet historia, vdes i gjithë njerëzimi’’. Edhe pse Rexhepi shkruan për herë të parë një libër të plotë, me dimensione gjithkohore dhe hapësinore, me stilin e tij origjinal, tregon se tharmi krijues i tij e ka nisur udhën e tij që në moshën rinore, kur ai punonte me rininë dhe përgatiste e deklamonte para të rinjve shumë tema e kumtesa të këndshme, shkruar në formën e bisedave të ngrohta dhe eseve, që depërtonin thellë në mendjen dhe shpirtin e dëgjueseve dhe lexueseve të shumtë. Në brendinë e këtij libri, gërshetohen një shumëllojshmëri gjinish, llojesh e nënllojesh, letrare dhe publicistike, shoqërore dhe historiografike. Këtu lexuesi gjen histori dhe gjeografi, reportazhe dhe biografi, ese dhe poezi, përshkrime ngjarjesh e festash kombëtare dhe gëzime familjare, analiza librash, portrete heronjsh e dëshmorësh dhe veprimtarësh. Autori i këtij libri, pasi përshkruan statutin e kësaj “Shoqërie”, që funksionon si një sahat “Omega’’, rëndësi i kushton zinxhirit të pandërprerë të “Ditarit”, që gumëzhin nga një seri veprimtarish shoqërore, kulturore historike, dhe gëzimesh e hidhërimesh familjare, nga takime, biseda, ekskursione në vende atraktive të vendit e jashtë tij dhe në aksione për mbjellje pemësh, promovime librash.
Në brazdat e këtij ditari, gjallon historia e kombit tonë për liri e pavarësi, për zhvillim ekonomiko-shoqëror dhe për drejtësi e demokraci. Në to shpalosen vlerat e kulturës dhe të traditave tona më të mira, përpjekjet për promovimin e tyre në festa gëzime e raste hidhërimesh. Pasqyrohen veprimtaritë atdhetare për njohjen e trojeve dhe të historisë kombëtare, jo vetëm brenda kufijve tanë të sotshëm, por dhe përtej tyre, si në Kosovë e Çamëri. Në libër janë pasqyruar jo vetëm festat kombëtare që janë zhvillear brenda vendit, por dhe jashtë tyre si ajo e Pavarësisë, në bashkëpunim me Shoqatën “Bijtë e Shqipes, në Filadelfia të Amerikës”. Anëtarët e kësaj shoqërie, si biznesmeni Mezan Resuli me shokë, 100-vjetorin e Pavarësisë e kanë festuar edhe në Seul të Koresë Jugut, duke ngritur pa frikë edhe flamurin shqiptar. Veprime të tilla festive, janë organizuar edhe në Prizren e Tetovë. Për të njohur historinë e luftërave shekullore brenda trojeve shqiptare dhe rolin e figurave të shquara të këtyre luftërave, janë organizuar udhëtime dhe vizita në vende historike si në Sllovë të Dibrës, ku pjesëmarrësit janë njohur me betejën e Kaushit dhe figurën e “Gjeneralit me shajak” e filozofit popullor, Elez Isufit, i cili edhe para kërcënimeve për jetën, u kundërpërgjigjet serbëve, se ai, as nuk shitet dhe as nuk blihet me para. Ndërsa në Prizren, anëtarët e “Shoqërisë’’, krahas të tjerave, janë njohur me luftën dhe përpjekjet e Lidhjes Shqiptare për bashkimin e kombit dhe moscopëtimin e trojeve tona nga fuqitë e mëdha. Në këtë ditar janë pasqyruar dhe shumë veprimtari atdhetare për t’u njohur me predikimet shoviniste grekomane për aneksimin e trojeve tona Jugore dhe për genocidin shfarosës e shkombëtarizues të tyre, mbi popullin çam, vetëm se ishin shqiptarë, dhe jetonin në trojet e tyre. Në vend të dukshëm në këtë ditar zënë veprimtaritë e shumëllojta të Shoqërisë “Flaka” për ngjarje familjare, në raste gëzimesh e hidhërimesh, siç janë martesat, lindjet, ditëlindjet dhe vdekjet. Por dhe për ruajtjen dhe promovimin e kulturës, zakoneve dhe traditave më të mira shqiptare në evenimente të tilla familjare. Në këtë libër zënë vend të dukshëm edhe veprimtaritë e kësaj “Shoqërie” për shlodhjen dhe argëtimin e anëtarëve të saj, nëpërmjet udhëtimeve turistike, brenda dhe jashtë kufijve tanë, në vende të bukura atraktive si: Alpet e Shqipërisë, Bjeshkët e Gramës, Theth, Liqenet e Lurës, Butrinti, në Perlën Ballkanike të Prespës, në Shpellën e Pëllumbave, në Kalanë e Prezës dhe të Petrelës, në Qafën e Bodës dhe të Prushit, tek Hani Qafës së Muzinës, Logu i Bjeshkëve, Himarë, Borsh, në Kanionet e Skraparit dhe Tamarës, Rruga e Arbërit….etj. Kjo veprimtari e shumëllojshme ka pasur qëllime të dyfishta: argëtuese, njohëse dhe edukativo-atdhetare. Kështu, në udhëtimin turistik drejt Ersekës, pjesëmarrësit janë njohur dhe me figura të shquara të këtyre anëve, si Petro Nini Luarasi i cili, në atë kohë u drejtohej bejlerëve me fjalët: “Vrimni, por gjakun ma ruani, se do t’u duhet fëmijëve e nipërve tuaj, për të shkruar gjuhën shqipe”. Në këto veprimtari shoqërore të pasqyruara në këtë “Ditar”, gjen dhe biznesmenë humanë si Mezan Resuli dhe Bajram Avdia, të cilët me përgjegjësinë qytetare dhe zemërbardhësinë e tyre, shpesh herë kanë ndihmuar njerëzit në nevojë dhe kanë sponsorizuar disa veprimtari të kësaj “Shoqërie”. Ata kanë ndihmuar me libra e orendi të tjera shkollore për mësimin e gjuhës shqipe edhe në shkollat shqipe të Filadelfias dhe Qendrën e Fëmijëve Autikë në Paskuqan të Tiranës. Në bashkëpunim me Shoqatën “Bijtë e Shqipes’’, ata kanë sponsorizuar dhe ndërtimin e shtëpive të dy vëllezërve në Ishëm të Durrësit, të cilat u shkatërruan nga tërmeti i vitit 2019.Në festën e dorëzimit të çelësave të shtëpive të rindërtuara, ku morën pjesë dhe anëtarë të dy shoqatave binjake, aty pranë Kalasë së Ishmit, të zotët e shtëpisë me çelësat dhe gotën e rakisë në duar dhe lot gëzimi në sy, hodhën valle mes miqve e shokëve, që kishin ardhur edhe nga diaspora shqiptare e Amerikës së largët.
Vend të dukshëm në këtë libër zënë dhe promovimet e disa librave të botuara nga anëtarë dhe simpatizantë të kësaj “Shoqërie” si Hys Hasa, që me veprat e tyre kanë fiksuar historinë, kulturën dhe traditat tona më të bukura. Në to gjen të fiksuara edhe fjalë të mençura të njerëzve të shquar, si Edit Durham, e cila, duke folur për virtytet e malësorëve thekson: “Malësorët nuk i janë nënshtruar kurrë pushtuesit. Zoti u ka dhënë atyre, jo vetëm forcën dhe ashpërsinë, por dhe besën e bujarinë”. Në librat e promovuar kanë zënë vend histori të burrave të rrallë, si ajo e udhëheqësit të Lidhjes së Lumës, Mehmet Dacit, i cili, nga që nuk iu gjunjëzua pushtuesit, i prenë kokën dhe ja shpunë në Stamboll, ashtu si Ali Pashës. Ndaj, edhe sot populli këtyre anëve, i këndon këngën “Besa-besë”.
Në këtë libër gjen mençurinë popullore që shprehet në anekdota dhe shprehje të tilla popullore: Kali i vjetër është më i sigurte; Librat e vjetra janë më të këndshëm; Vera e vjetër është më e shijshme; Miqtë e vjetër, janë më të besueshëm, etj.
Bukurinë këtij ditari të këndshëm, ja shtojnë dhe shumë vargje të mbledhura nga populli, apo të krijuar herë nga autori, herë nga protagonistë të tjerë të librit, të cilat këndohen nga rapsodë e këngëtarë të njohur, apo nga vetë anëtarët e Shoqërisë “Flaka’’ në evenimente të ndryshme festive. Ata u këndojnë figurave të shquara të kombit si: Skënderbeut, Hajredin Pashës, Çelo Mezanit, Bajram Currit, Osman Takës, etj.
Libri mbyllet me kujtimet dhe vlerësimet që i bëhen kësaj “Shoqërie” dhe veprimtarive të saj të bukura nga shoqata të ndryshme atdhetare e kulturore, që funksionojnë brenda e jashtë vendit dhe drejtues e anëtarë të tyre, si ish Koloneli Ali Hyka, Tajar Domi, kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes” në Filadelfia; gazetari i njohur Llazar Vero; intelektuali dashamirës i kësaj “Shoqërie” Nikoll Bajo dhe historiani Fatos Daci, të cilët e konsiderojnë këtë “Shoqëri”, flakë që nuk shuhet kurrë