ZAEV DORËHIQET SI LIDER I PARTISË LSDM
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen si lider i socialdemokratëve (LSDM), pas humbjes në zgjedhjet lokale të muajit të kaluar.
“Komisionet e larta të partisë e kanë pranuar dorëheqjen e tij”, thuhet në një raport në faqen maqedonase të lajmeve plusinfo.mk, duke cituar një zëdhënës të LSDM-së.
Votimi për zgjedhjen e pasardhësit të Zaevit do të mbahet më 12 dhjetor, ku fituesi do të zëvendësojë edhe Zaevin si kryeministër.
Zaev deklaroi synimin e tij për të dhënë dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar partie pas humbjes së LSDM-së në zgjedhjet lokale në fund të tetorit.
Ministri i Financave, Dimitar Kovaçevski është favoriti aktual për të fituar votën, sipas raporteve të medieve lokale.
Zaev ka shërbyer si kryeministër nga maji 2017 deri në janar 2020 dhe, më pas, sërish që nga gushti 2020./atsh