Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Etyd për gruan…

Lexuesit e shkrimeve të mia e dinë, gratë dhe vajzat i kam kryefjalë të mendimit, më frymëzojnë e do t’i mbështes gjithmonë, me të vetmen mënyrë që unë njoh dhe atë që di të bëj më mirë, shkrimin.
Gratë, janë kaq të bukura dhe kaq të ndryshme nga njëra-tjetra.
Këtu qëndron edhe esenca e tyre e bukurisë, këtu qëndron eleganca dhe aroma e tyre pazëvendësueshme, në autenticitet.
Gratë janë të guximshme, të buta, lozonjare, të ëmbla, luftarake, të paqta.
Gratë janë të bukura.
Bukuria e tyre nuk ka kornizë, është krijuar për të qëndruar jashtë çdo kornize, shumë dimensionale, shumë afër perfeksionit, shumë larg të zakonshmes.
Gratë kanë strija, gratë kanë rrudha, gratë kanë thinja, por përse janë kaq të bukura?
Gratë e ujdisin çdo ditë bukurinë, me personalitet, me ndjeshmëri, me guxim, me buzëqeshje, me stolinë e krenarisë, vetëbesimit, dinjitetit.
Gratë janë të pabesueshme, ata ringrihen pas çdo rrëzimi, gratë qajnë dhe qeshin po kaq fort me lot gëzimi.
Aroma e tyre dehëse është parfum i marrë nga mrekullitë e tokës dhe bukuritë përkëdhelëse të natyrës.
Zemra e tyre është një oqean dhembshurie ndërsa mëndja urtësi dhe qetësi e pafund, sa bukur të lundrosh në të!
Gratë janë oaz, janë paqe, poezi, mrekulli.
Lum kush di t’i lexojë!
Gratë janë të befasishme, si shiu i vrullshëm në gusht, si ylberi pas stuhive… por gratë janë të vërteta në çdo natë pa hënë, errësirë apo tragjedi.
Janë supi më i fortë ku burrat mund të mbështeten, e shkuara dhe e ardhmja…
Gratë mbajnë jetën!
….
Poezi për gruan…
Sa dua ta pikturoj një grua,
në bojëra vaji të shkrihet
siluetë e saj,
në penelata të ngrohta
brendì e saj,
shikimi,
aroma dhe gjithçka.
Sytë oqeanikë t’ja ngjyros në blu,
të zi si nata
flokun e mëndafshtë,
vetullat e ngrysura,
si anijet në stuhi
e dallgët rebele
në ngjyrë gri.
Cfarë tjetër fle
në shpirtin e pa faj?
A njihet vallë një grua,
skaj deri më skaj?
Mëkat që puth freskët,
më e hekurt se një burrë,
qan edhe qielli,
gratë s’qajnë kurrë.
Please follow and like us: