Albspirit

Media/News/Publishing

Eneida Jaçaj: Pavarësia e Shqipërisë, hidhen bazat për krijimin e shtetit të parë shqiptar

Ilmi Kasemi: Ismail Qemali

 

 

 Shpallja e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, do të mbetet një nga ngjarjet më të mëdha historike ndërshekullore. Kjo ditë e shënuar jubilare i hapi rrugë krijimit dhe konsolidimit të shtetit të parë shqiptar. Shqiptarët i treguan “dhëmbët” Botës dhe Perandorisë Osmane, e cila ishte dobësuar, se ishin të aftë të ndërtonin shtetin e tyre të pavarur, me institucione të konsoliduara demokratike, dhe të bënin politikën e tyre në dobi të çështjes kombëtare. Burrat e shtetit, intelektualë, patriotë të flaktë i dëshmuan vendeve aspirante pushtuese dhe Fuqive të Mëdha, që fatkeqësisht e kanë përdorur vendin tonë si plaçkë lufte, se shqiptarët janë të aftë të ndërtojnë kombin e tyre, ku të flitet vetëm gjuha e ëmbël shqipe e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Asdrenit etj, dhe Flamuri Kuqezi të valëvitet përkrenar përmbi Shqipërinë e bukur etnike.

Ishin vitet kur fryma e nacionalitetit ndihej kudo, dhe çështja kombëtare shqiptare ishte prioritet i intelektualëve të diasporës dhe politikanëve shqiptarë, në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Dita e Pavarësisë solli në sytë e shqiptarëve të varfër hije shprese për një Shqipëri të lirë dhe të begatë. Ata patën kurajën dhe guximin për herë të parë të bërtisnin me të madhe, se Shqipëria do të bëhej “o sot, o kurrë!”. Pavarësia e Shqipërisë ishte një rrugë e sapo shtruar e lirisë dhe besimit, forcës dhe vullnetit të çdo shqiptari, se nuk duhet të heshtnin, por të bashkoheshin për një qëllim të vetëm; Shqipërinë e lirë!

Po ashtu, edhe Pavarësia e Kosovës, është një ngjarje e dytë madhore e një rëndësie të lartë historike. Kjo tregon se shqiptarët kur duan sjellin lirinë, shpresën dhe begatinë. Pavarësia e Shqipërisë, në sinkron me përpjekjet titanike të burrave të shtetit për çështjen kombëtare, është një këmbanë kujtese e vazhdueshme për politikanët e sotëm. Figurat historike si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, etj, baballarët e kombit, duhet të shërbejnë si një shuplakë ndëshkimi dhe ndërgjegjësimi ndaj politikës së sotme shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Politika e sotme duhet ta kthejë kokën pas për të reflektuar mbi veprimtarinë e paepur të patriotëve të parë shqiptarë, të cilët luftuan për një Shqipëri të bashkuar dhe të lirë. Politika e sotme, me shumë nder dhe privilegj duhet të vazhdojë të ecë mbi rrugën e të parëve, duke vënë në plan të parë interesat e vendit dhe të punojë fort për një të ardhme sa më të mirë të brezave që do të vinë. Ne duhet të ndihemi krenarë për personalitetet ndërshekullore, që janë rrënjosur në memorien e kombit, t’u japim nderin dhe lavdinë që u takon, dhe jo t’i përdhosim me gjuhën e babëzisë.

 

Figura e Ismail Qemalit

 

Ismail Qemali, plaku fisnik me mjekër të bardhë, erdhi si një Promete për të shpëtuar Shqipërinë nga pushtimi osman dhe për të hedhur bazat e shtetit të konsoliduar shqiptar. Figura e këtij burri shteti ka një rëndësi të veçantë në gjithë përpjekjet historike dhe titanike për çështjen shqiptare. Ismail Qemali, i cili që nga 1859 jetoi në Stamboll, loboi fort dhe u aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare. Gjithashtu, ai mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ai, si shumë intelektualë të tjerë, në Perandorinë Osmane pati funksione të rëndësishme administrative dhe asnjëherë nuk u ndal në përpjekjet e tij për çështjen kombëtare shqiptare.

 

Ngritja e flamurit në Vlorë

 

Ismail Qemali, së bashku me patriotë të tjerë përshkruan rrugën Stamboll-Konstancë- Bukuresht; nga Bukureshti në Vjenë; nga Vjena në Budapest; nga Budapesti sërish në Vjenë; nga Vjena në Trieste; nga Trieste në Durrës dhe më pas në Vlorë, atje ku me shumë emocion u ngrit flamuri kuqezi. Ngritja e flamurit simbolizonte në të njëjtën kohë fitoren mbi zgjedhën e huaj, triumfin e gjuhës shqipe dhe territoreve shqiptare. Ishte pikërisht Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi që hartuan nismën për krijimin e qeverisë së Vlorës. Kuvendi i Vlorës u mblodh në shtëpinë e Xhemil Vlorës, atje ku do të ngrihej më pas Flamuri i Pavarësisë. Ismail Qemali propozoi të shpallej Shqipëria e pavarur, me një qeveri të përkohshme; të zgjidhej një Pleqësi në ndihmë e kontroll të qeverisë, si dhe të dërgohej një komision në Europë, për të mbrojtur çështjen shqiptare para mbretërive.

 

 

Qeveria e Vlorës

 

Pas ngritjes së flamurit në Vlorë, Ismail Qemali zgjidhet kryeministër, qeveri e cila u shpall në 4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914. Ai firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Në deklaratë thuhej; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Në qeverinë e Ismail Qemalit ajo që binte në sy ishte dhe toleranca fetare. Ishin 10 ministra, ndërsa raporti midis feve ishte 5 me 5. Kryeministër 1. Qemali musliman, zv/kryeministër Dom N.Kaçorri katolik. Ky i fundit ishte zv/peshkopati katolik në Durrës. Asambleja Kombëtare e cila shpalli pavarësinë në 28 nëntor 1912 zgjodhi senatin me 18 anëtarë. Por komplotet dhe mosmarrëveshjet bënë që kjo qeveri të ishte jo shumë jetëgjatë. Pas qeverisë së Ismail Qemalit u krijuan edhe disa qeveri të tjera, ajo e Turhan Pashës, Sulejman Delvinës, Iliaz Vrionit, gjë që tregoi një destabilitet politik.

Pas dështimit të qeverisë së Ismail Qemalit, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit solli mbretin Wilhelm Von Wied, i cili mbërriti në Durrës, bashkë me familjen mbretërore në 7 mars 1914. Pas dobësimit të Perandorisë Osmane, Shqipëria shihej si një territor ku shumë shtete ballkanike kërkonin ta pushtonin. Austro-Hungaria nuk kishte interes së Shqipëria të pushtohej nga Serbia, e cila aspironte të dilte në det. Një mbret nga Vjena do ta kishte Shqipërinë nën kontroll sa i takon pushtimeve që mund të vinin anembanë. Pas largimit të mbretit Ëied, Esat Pashë Toptani kthehet në Shqipëri dhe merr drejtimin e saj, por më pas kemi Traktatin e Londrës, në 26 prill 1915, një marrëveshje e fshehtë mes Antantës dhe Italisë për të përçarë Shqipërinë. Fuqitë e Mëdha i kërkonin Italisë të hynte në luftë, dhe si shkëmbim do të shpërblehej me territore nga Shqipëria. Pra, vendi u përdor për pazare politike dhe qëndroi i destabilizuar deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Please follow and like us: