Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Tregimi ‘Raport para një akademie’ i Franz Kafkës

Shkrimtari i madh i temave të thella ekzistenciale dhe i veprave monumentale letrare, siç janë “Procesi”, “Kështjella”, “Metamorfoza”, Franc Kafka, ka shkruar edhe plot tregime fantastike. Njëri ndër ta është tregimi “Raport para një akademie”, ku lexuesi ballafaqohet me një personazh krejtësisht të pazakonshëm dhe si i tillë, ai lexuesit i transmeton një përvojë tronditëse. Ky personazh s’është i llojit të Jozefit, Gregor Samsas dhe as të plakut që e hasim te tregimi i mrekullueshëm “Para ligjit”, por një majmun që paraqet një raport para një akademie.

Shkrimtari i papërsëritshëm që thoshte se “një libër duhet të jetë një sëpatë për të çarë detin e ngrirë brenda nesh”, në këtë tregim lexuesit ia jep këtë sëpatë të cilën ai mund ta përdorë për të çarë detin e ngrirë brenda vetes dhe pastaj, në horizontin e ri, të hulumtojë e kuptojë dilema të thella ekzistenciale, çaraveshjet e shpërfytyrimet identitare, tjetërsimet dhe krizat e thella që zhvillohen në jetën e njeriut, konfliktin e ashpër mes dukjes dhe esencës, mes identitetit si imazh dhe atij që realisht është i thadruar në natyrën njerëzore.

Veprën letrare të Kafkës në përgjithësi e karakterizojnë tema të thella ekzistenciale dhe karaktere që vuajnë thellë e që kërkojnë të gjejnë në brendësi të njeriut kuptimin e jetës, identitetin e identifikimin, sigurinë e drejtësinë, si dhe ndjenjën e qëllimit.

Në fakt, e tillë është letërsia e madhe që hulumton tema të thella ekzistenciale dhe i tillë është ky tregim, ku flitet për një majmuni që është adaptuar në jetën njerëzore, ka mësuar sjelljet humane, por teksa i kërkohet të paraqesë një raport para një akademie, ai kujton jetën e tij të thellë majmunore, duke treguar kështu se sa të vështira janë tjetërsimet e identitetit, që ndonjëherë njeriu i bën pavetëdijshëm sa për t’u paraqitur, shfaqur,  kamufluar.

Kafka si shkrimtar me inteligjencë të jashtëzakonshme dhe me imagjinatë mahnitëse, te ky tregim e ballafaqon një majmun me një publik tejet të zgjedhur, një akademi. Dhe kjo është goditja e parë e fortë që shkakton tregimi, i cili është i shkruar në formë të raportit, ku kemi imazhet e një skene dhe të personazhit që ulet aty dhe rrëfen, kurse poshtë tij, qëndron auditori që dëgjon, pa ndërhyrë asnjëherë.

Ky imazh letrar dhe përfytyrimet që shkaktojnë te lexuesi skenat e tilla, janë tronditëse dhe qesëndisëse, sepse s’ka lexues që të mos qeshet të mos ndihet keq me talljen që autori u bënë edhe majmunëve që ndërrojnë identitet dhe një akademie të përgjumur që kënaqet duke dëgjuar rrëfime majmunësh.

Shkrimtari me humor e qesëndi, përmes një depërtimi të thellë në psikologjinë njerëzore dhe me një alegori të bukur letrare, tregon se ç’ndodh në jetën e njeriut, sa herë ai tjetërsohet. Pra, Kafka me fshikull të ashpër letrare godet të përgjumurit dhe ata të mjerët që rrekën të duken tjetërfare nga ç’janë. E duke u qesëndisë më këtë soj të njeriut, ai e thërret ndërgjegjen njerëzore të shikojë lart, kah një qëllim sublim, kah idealet e vërteta dhe të mos jetojë i trazuar në zallamahinë identitare.

Majmuni, që në fillim pohon se është i nderuar nga fakti se atij i është kërkuar të paraqesë një raport para një akademie, lidhur me jetën e tij të shkuar si majmun. Kështu, ai rrëfen historinë e tij prej momentit kur një ekspeditë gjahtarësh nga firma e Hakenbekut e kapi në Bregun e Artë. Dhe pastaj tregon sesi u përpoq të tjetërsohej, por mbetet i vetëdijshëm se natyra e tij majmunore s’ishte mposhtur tërësisht dhe si dëshmi për këtë tregon momente kur ai ka vizitorë dhe në këso raste i heq pantallonat dhe tregon një vrimë ku u godit nga gjahtarët.

Majmuni e ka të qartë se s’mund të kthehet plotësisht te e vërteta tjetër, te parajsa majmunore, edhe pse një gjë të tillë do ta dëshironte. Dhe i ndodhur në këtë mes, ai rrëfen përvojën e tij.

Personazhi i Kafkës më tej tregon sesi i kishte vënë vetes për detyrë transformimin dhe arritjet e tij duken të larta, prandaj ka çka të tregojë nga përvoja e tij:

Po e ndjeja gjithnjë e më shumë veten rehat dhe të përveçuar në botën e njerëzve”.

Ai është tejet ironik me auditorin e tij dhe në një moment shpërthen qesëndia e përçmimi:

Që të them troç, ashtu siç më pëlqen të përdorë imazhe për gjëra të tilla, pra po e them hapur: edhe majmunëria juaj, zotërinj, lidhur me aq sa keni diçka të tillë prapa në të shkuarën tuaj, po aq nuk të shqitet prej kush, sa edhe e imja prej meje”.

Çka ka mësuar tjetër majmuni që t’i raportojë një akademie?

Ai ka mësuar se duhet të flitet me çiltërsi dhe këtë s’ka sesi të mos e aplikonte me dëgjuesit e tij. Atij iu desh të kalonte nëpër disa faza, derisa arriti në këtë nivel; duke hequr dorë prej shumë veseve majmunore. Dhe, e para gjë që mësoi ishte dorështërngimi, sepse kjo tregonte çiltërsi. Derisa tregon peripecitë tjera, vjen në një moment kur flet për rrugëdaljen, e cila, sipas tij, është e barasvlershme me fjalën liri. Këtë e kishte mësuar që kur ishte në kafaz. Por, ç’pohon majmuni për këtë vlerë të madhe njerëzore, lirinë:

Më lejoni të them kalimthi se lira si mjaft shpesh është vetëm një vetëmashtrim mes njerëzve. Dhe kur liria vështrohet si një prej ndjenjave më sublime, po aq sublim është edhe mashtrimi që i përgjigjet”.

Majmuni tregon se kur ndodhej në kafaz shpëtimin s’e kërkonte te arratisja, por te adaptimi me jetën njerëzore. Dhe për të ishte fare e lehtë t’i imitonte njerëzit. Iu deshën vetëm pak ditë që të mësohej të pështynte, “pastaj na u bë zakon t’i pështynim njëri-tjetrit në fytyrë; i vetmi dallim ishte se unë pastaj e lëpija fytyrën time për ta pastruar, kurse ata jo”- thotë ai.

Me kohë, ai mësohet të thithë çibuk dhe në fund edhe të pijë xhin, edhe pse kundërmimi i tij ia çrregullon zorrët keq. Mirëpo, ai u mësua edhe me të – dhe në këtë moment, mësuesit e tij, teksa e panë të llastuar, thanë: “Shihni more, ai po na flet”!

Kështu, ky personazh, me ushtrime të forta e të pashoqe, arrin nivelin kulturor të një europianisti mesatar – mendon autori. Ai doli prej kafazi dhe mori rrugën e njeriut, prandaj s’ka sesi të mos e ndjente veten të kënaqur nga ky përparim dhe në fund të tregimit, me një përulësi u thotë akademikëve: “dua vetëm të përhap dituri.”

Kafka në këtë tregim qesëndiset dhe frushkujt e kamxhikut i drejton kah shoqëria burokratike, liria e maskuar, ndërgjegjja e vrarë dhe dija e kufizuar, me të cilën kamuflohet njeriu i secilës kohë. Dhe kështu, ia jep lexuesit një sëpatë që ai t’i çajë akujt dhe të përsiatë thellë e të bëjë një shtegtim të lirë në domethënien e përtejmë që ka liria, si përmasa më qenësore e njeriut.

Nëse një majmun mësoi për çiltërsinë, duarshtrëngimin, lirinë, mësoi të pinte xhin – që ishte sfida e tij më e madhe dhe në fund, fol dhe përhap dituri, pse një njeri s’e le prapa të kaluarën e tij të keqe, vrazhdësinë, natyrën majmunore? Këtu qëndron habia, thirrja, tendosja, për ata që e dëgjojnë dhe brofin: ai po flet. Kjo është habia letrare, e realizuar mjeshtërisht, që lë gjurmë dhe shumë pyetje e dilema në ndërgjegjen e lexuesit. Dhe pas kësaj vijnë vrullshëm pyetjet e dilemat e makthshme: Ç’mund të thotë një majmun para një akademie? Apo pyetja tjetër, diç më e sikletshme, pse duhet një akademi të  dëgjojnë një përvojë të tillë? Për më tepër, a ka kuptim një përvojë e tillë?

Alegoria e tregimit përcëllon fort, meqë është e mbushur me pezëm, hidhërim, qesëndi e humor. Ajo frushkullon, sidomos njeriun që s’e bren ndërgjegjja për asgjë; njeriun që s’shqitet nga natyra e tij e majmunërisë apo që jeton vetëdijshëm në të. Kështu, ky tregim, një shekull e më shumë pas botimit, përçon një mesazh për çdo shoqëri dhe për çdo kohë: njeriu ka nevojë të përhershme të përmirësohet, të shartojë të keqen e tij dhe të kristalizohet me ndjenja humane.

Çfarë mund të mësojë lexuesi ynë nga ky tregim? A mund të flasë ky tregim edhe për ne e për problemet tona?

Pa mëdyshje se po, madje shumë. Sepse, këtë soj të personazhit, të tjetërsuar nga vetja e tij e të kamufluar, shoqëria e jonë e dëgjon dhe e sheh kudo dhe çdo ditë: në jetën intelektuale, akademike, mediale e politike. Ky soj i personazhit flet për kauzën e lirisë, qesëndiset me të, flet për dituri, për dinjitet e gjëra sublime dhe qytetari i përgjumur thotë: “po, ai po flet”.

Një tregim i tillë, lexuesin e trimëron, e përmbush, e motivon, në betejën për mirësi, humanizëm e ndërgjegje; në betejën për ta mposhtur anën e errët njerëzore.

Vetëm imagjinata e një shkrimtari shembullor, si ajo e Kafkës, ka fuqi ta godet kaq furishëm dhe me elegancë natyrën e dytë të njeriut, sidomos të atij që mbërrin të jetë në godina të rëndësishme, siç mund të jetë akademia, qeveria, drejtësia, etj. Aq të lumtur janë ata me kolltukët e tyre, sa pranojnë të dëgjojnë rrëfime edhe nga majmuni.

Personazhet e Kafkës i shoqëron paradoksi, ambiguiteti dhe absurdi. I tillë është edhe majmuni, të tillë janë edhe akademikët që e dëgjojnë, dhe e tillë  është  akademia. Dhe e tillë është letërsia e Kafkës; një vepër madhështore e plot paradokse, prej së cilës mund të përfitojmë gjithmonë dituri, kulturë e horizonte të reja; të tilla çfarë mund t’i hapë vetëm letërsia me mundësitë e pakufishme që ka për ta nxitur dhe ndihmuar emancipimin e njeriut.

Shkrimtari i mençur Franc Kafka që pohonte se s’ka letërsi të mëdha pa të vërtetën dhe moralin, duke u qesëndisë me cenet, shpirtngushtësinë dhe natyrën e dytë të njeriut – majmunërinë e akëcilit nëse një e tillë ekziston – ai në të vërtetë lexuesin e orienton kah vlerat fondamentale të njerëzimit: kah e vërteta dhe morali, pa të cilat vlera e virtyte shoqëria mund të ngjajë në gërmadhë njerëzish të çorientuar. Prandaj, forca tërheqëse e këtij tregimi është e pamatshme, befasuese, tronditëse; një ftesë për të cilën gjithsesi lexues ia vlen të meditojë./exlibris

Please follow and like us: