Rifat Ismaili: MASKA E POETIT
Nuk e kuptoj përse kam frikë prej jetës! Po kush jam unë? Ç’bëj unë në këtë botë? Me se merrem? Me gjithçka? Unë jam kudo, kudo ku ndodhen njerëzit?
E shtyj me neveri globin që u rrotullua vrulltaz dhe brenda pak çasteve ndaloi përsëri në një tjetër vend. U ngrita për një çast dhe shkova tek dritarja. Pastaj u ula në shtrat dhe mora një libër nëpër duar. Por në vend se të lexoj faqet e librit, më duket sikur lexoj vetëm në mendimet e mia.
Jetoj e kam jetuar gjithnjë midis njerëzve, por ata më janë dukur gjithnjë të largët e nuk mund t’i kuptoj dot. Edhe kur ndonjëherë shpirti më zbutet nga ndonjë imazh, prapëseprapë, ato janë veç çaste kalimtare. Sepse nëpër veshë më jehon gjithnjë veç zhurma dhe muzika e asgjësë dhe çdo gjë më krijon zbrazëti. Jeta ime ka qenë dhe është diçka e pangjashme me jetën e të tjerëve, jeta ime udhëton nëpër vise të largët e të panjohur për të tjerët. Nëse ndodhem gjithnjë midis njerëzve është vetëm nga fakti që s’varet prej meje tu shmangem plotësisht.
– Ja bota- them me vete. Kanë kaluar vite që kur kam lindur e më kanë mbetur ende të tjerë gjersa të vdes. Ndërsa bota është dhe do të jetē përgjithmonë këtu. Sa gjëra kam parë me sytë e mi dhe për sa të tjera kam dëgjuar. Po nuk ka pse të krenohem që edhe unë kam qenë pjesëmarrës në ndodhitë e veprimtaritë e mëdha të jetës njerëzore. Gjithë bota ime shpirtërore ka qenë e lidhur ngushtë me një lloj magjie e misteri. Këto të gjitha kanë krijuar marrëdhënie të fshehta me vetëdijen dhe pavetëdijen time, duke krijuar sensazione që kanë lënë gjurmë të thella brenda trurit dhe karakterit tim.
Mbyll sytë dhe ëndërroj. Është një kënaqësi e vërtetë të dish të dëfresh ca veten në orë të mërzitshme. Imagjinata ime fillon të punojë si makinë filmike për të prodhuar imazhe e situata, për të krijuar diçka që unë dua të jem! Diçka që në të vërtetë unë jam. Më duhet të ndërroj shpesh fytyrat, maskat dhe zakonet. Shpesh më duket sikur më përndjek një tjetër, një njeri që më përngjan, ose mbase jam unë vetë, dyzimi im, pjesa tjetër e vetes. Dhe shpesh e kam përpara syve atë njeri e më del në ëndërr. Ku gjendet ai tani? Ç’po bën vallë? Nga cila dritare më sheh e më ndjek? Fytyrën e kujt ka marrë tani? Gjithnjë si një ushtar i pragmatizmit, i përfitimit. Ai si orakull orgjish ne kohën e atyre kulteve të urryera pagane, me ato perënditë e tyre prej druri e guri, ai si gjeneral romak për të djegur Kartagjenën, ai dishepull i Krishtit, Judë tradhtari, ai në krye të anijeve pirate duke plaçkitur vende e marrë skllevër me forcë, ai që kthen pllakë dhe e sheh në Mesjetë duke u hequr si humanist, ai që u shpëton jetën mu përpara syve të mi një bande rrebelash që ishin ngritur kundër kastës në fuqi për të drejtat e tokave të tyre, ai kudo, në të mirë e në të keq, pjesëmarrës në çdo gjë, zemreku i masave, pishtar i së mirës dhe së keqes, ermafrodit shpirtëror, biseksual në mendje, tiran dhe shpëtimtar, që nuk mund të jetojë pa u përzier në punët dhe fatet e të tjerëve?!
Më duket vetja sikur kam jetuar gjithnjë pranë këtij njeriu, sikur kam jetuar gjithnjë, në çdo kohë dhe i kam dhënë një dorë edhe vetë për tē poshtëruar e marrosur botën.
Please follow and like us: