Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: EMËR I NDRITUR I PARTIZANIT DHE KUFITARIT SHQIPTAR

 

(Në përkujtim të ushtarakut shembullor të kufirit Major Selim Arif Shuli, që ishte dhe mbeti deri në fund të jetës një majë që shtegëtonte majave në roje të kufirit të Republikës, të atyre kufijve që ishin larë me gjak që nga krijimi i tyre, me gjak shqiptarësh, me gjak të dëshmorit të Lidhjes së Kombeve gjeneral Telinit, që ra për kufijtë e Shqipërisë; të atij kufiri që duke e llogaritur prej pavarësisë së Ismail Qemalit u dëshën 14 vjet që të vendosej përfundimisht në dy marrëveshjet e Firences të Italisë më 27.1.1925 dhe 26.7.1926, ndërkohë që marrëveshjet për detin edhe pas 109 vjetësh pavarësi ende nuk është zgjidhur, por i është lënë Hagës të japë drejtësi. Selim Arif Shuli ishte lindur më 25.12.1925 në fshatin Velçan të krahinës së Mokrës në një familje të me tradita atdhetare dhe patriotike, tradita që i materializoi edhe vetë përgjatë gjithë jetës deri kur u shua më 26.09.2004, edhe nga dy plagë të marra gjatë LANÇ-it dhe në provokacionet e gushtit të vitit 1949 me fashistët grekë. Për gjatë gjithë jetës dhe pas saj u vlerësua 14 herë me dekorata, medalje dhe urdhra të ndryshëm të luftës dhe të punës në kufijtë e Shqipërisë; Nderim respekt dhe mirënjohje për burra që shkruan historinë dhe ngelën në kujtesën e brezave si misionarë të sukseshëm, duke lënë emrin e mirë dhe të respektuar për brezat).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

I lindur në Mokër në këtë truall me rrënjë atdhetarie

Mokra dhe krahina e saj është një prej krahinave më atdhetare e patriotike të Shqipërisë. Treva e Mokrës ka 47 fshatra të ndara në dy pjesë, Mokra e Sipërme dhe Mokra e Poshtme. Fakt është se Mokra është e trupëzuar dhe ngjeshur tërësisht në gjirin e maleve dhe fshatrat e saj kalojnë deri në 1200 m mbi nivelin e detit. Ky është vend i traditës së thellë, i patriotizmit, vendi që mbushi radhët e çetave partizane për liri dhe pavarësi. Kur zbret nga Qafë Thana, pa u futur në Përrenjas rruga majtas të shpie në Mokrën e Poshtme. Kur udhëtarët dalin mbi Qafën e Katjelit, pamja befasuese të shfaq një peizazh kodrinor e malor njëra pas tjetrës fshatrat e Mokrës së Poshtme. Shtëpi të “gozhduara” në gjoksin e maleve, por edhe nëpër monopate që ngajnë si fole dallandyshesh një gjerdanin e artë të Mokrës me histori, me gjurmë të thella të moçme dhe të reja, ku natyrshëm banorët e saj shquhen për trimëri, mikpritje e bujari të spikatur, këtu ku në Mokër historia dhe legjenda kanë bashkëjetuar e mitizuar në emërtime të tilla si “Ara e gjakut”, “Luadhet e sherrit”, por edhe emrat e njerëzve, Sose, Mbares, Qëndrim.. flasin për të djeshmen plot sakrifica. Këtu gjen edhe një urë të hershme pjesë e rrugës Egnatia, 37 m e gjatë dhe e gjerë tre m sa të kalonte karroca me armatime, me konstruksion arkitektonik mahnitës, që flet shumë për mjeshtëritë e banorëve të kësaj treve. Pas Proptishtit dhe Slabinjës vjen Velçanit i thellë malor, një nga fshatrat më të vjetër (paksa i braktisur gjatë trazicionit), por që shquhet për prodhimin e mjaltit, që kullot në 72 lloje lulesh. Velaçanakët janë mjeshtër të punimit të drurit, të prodhimit të eneve të drurit dhe punimin e gurit. Në Velçanin e pyjeve dhe lartësive ka dimër të gjatë me dëborë dhe pranverë të ndezur me gjelbërim, që është fshati ku lindi një bir i shquar dhe me emër në histori, Selim Shuli më 25 dhjetor të vitit 1925. Ai erdhi në jetë në një ambjent fshati në Velçan të krahinës së Mokrës, në një familje të nderuar dhe të njohur me tradita atdhetare si dhe luftarake, që ishin përballur me pushtuesit brez pas brezi. Selim Shuli jetoi një jetë të vrullshme, të ndershme dhe të përkushtuar ndaj Atdheut, si pjesëtar aktiv në formacionet luftarake sulmuese të LANÇ-it i shquar për trimëri dhe atdhetari të rrallë. Më 1943, u radhit në batalionin partizan të Mokrës, më tej në Brigadën XV Sulmuese, një formacion dinjitoz i LANÇ-it. Mori pjesë në luftimet e formacioneve të njësive luftarake të UNÇSH, në Pogradec, Qafë-Thanë, Librazhd, në Podgorije, në Xhyrë ku mbeti i plagosur bashkë me shtatë partizanë të BrXV-të  duke sakrifikuar edhe jetën. Ai luftoi gjithashtu në Elbasan, Tiranë etj. Pas çlirimit më 5.1.1946 u transferua në Divizionin e Mbrojtjes në Gjirokastër dhe më tej në Regjimentin 8-të të Mbrojtjes së Popullit, me qendër në Tiranë. Në nëntor 1947, emërohet në Gardën e Republikës si oficer, ndërkohë që më 1950, përfundoi Akademinë Ushtarake në degën e Këmbësorisë. Më 1954 kryen studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerave dhe më 1956 emërohet në Korçë në repartin nr.112, me detyrë si shef i kontrollit të vijës kufitare. Katër vjet më vonë më 1960 u transferua në Vlorë në repartin nr. 207, komandant i vijës kufitare  bregdetare Himarë-Porto Palermo dhe më tej në Sarandë. Në vitin 1963 transferohet në batalionin e Dibrës dhe dy vjet më vonë në Librazhd (1965) në repartin nr.210. Pesë vjet më vonë në vitet 1970-1980 në batalionin e Pogradecit reperti nr. 327, ku mbylli dhe karrierën e gjatë si ushtarak për më shumë se tridhjetë vjet si ushtarak kufiri. Ka qenë viti 1980 kur Selimi doli në pension, edhe pse nuk u ndje kur pensionist nga aktiviteti shoqëror dhe u shua më 26 shtator 2004, edhe nga dy plagë të marra në luftë dhe në provokacionet e gushtit të vitit 1949. Përgjatë gjithë karrierës ushtarake është vlerësuar 14 herë me dekorata, medalje dhe urdhra të ndryshëm, që e bëjnë figurën e tij mjaft të nderuar dhe respektuar, për kontributin e dhënë në të gjithë kufijtë e Shqipërisë sepse e tillë ka qenë gjeografia e shërbimit në armën e kufirit shqiptar.

*

Pjesëtar aktiv i rreshtave partizane në Br XV Sulmuese

Brigada XV Sulmuese, ku bënte pjesë edhe Selim Shuli, u pagëzua më 29.6.1944, në kulmin e Operacionit të Qershorit. Brigadë u themelua në Protopapë të Korçës nga përbashkimi i batalioneve të qarkut të Korçës “Fuat Babani”, “Hakmarrja”, “Skënder Çaçi”, “Reshit Çollaku”, “Tomori” dhe partizanë e partizane të ardhura nga krahina e Korçës, me reth 750 luftëtarë, nga të cilët 54 janë dëshmorë të Atdheut dhe 150 partizanë të kësaj brigade morën plagë të konsiderueshme në luftë. Brigada XV Sulmuese, çliroi nga pushtuesit rreth 4000 km² territore të pushtuara. Ishte kjo Brigadë që çliroi përfundimisht qytetet e Pogradecit dhe të Elbasanit, në bashkëpunim me popullin e këtyre qyteteve. Veprimet luftarake kryesore i zhvilloi në zonën e Korçës, Pogradecit dhe të Elbasanit. Ndër luftimet më të rëndësishme të saj ishin sulmi kundër forcave pushtuese dhe xhandare-balliste në grykën e Pogradecit, minierën e Çervenakës, Qafën e Thanës e në fshatin Çeravë më 23.7.1944; prita kundër autokolonës gjermane në urat para Qukësit më 3-4.8.1944; çlirimi i qytetit të Pogradecit më 30.8.1944; prita e Xhyrës në Librazhd, më 23-24.9.1944, dhe çlirimi i qytetit të Elbasanit më 15.11.1944. Mbajti nën goditje të vazhdueshme trupat gjermanë përgjatë Shkumbinit, në rrugën Elbasan-Qafë e Kërrabës dhe mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës. Më 18.11.1944 u rreshtua në DIS dhe u përqendrua në grykën e Delvinës me detyrë për mbrojtjen e kufirit shtetëror, dhe në këtë kohë kishte 1200 luftëtarë. Komandant ishte Teki Kolaneci dhe Komisar Shahin Ruka, ndërkohë që shokë të armëve në rreshtat partizane për Selim Shulin ishin Ahmet Shabani, Estref Meka, Xhuzepe Kapuano (italian), Gavril Pavllo, Hamit Harshimi, Kiço Sandri, Kiço Boboshtica, Koli Rapi, Niazi Gribaci, Nevruz Shabani, Pandi Kreshova, Pali Ligori, Rahman Beragozhdi, Rexhep Shahini, Ramadan Aliu, Ramadan Seiti, Fejzulla Hamdiu, Shaniko Starja, Thomaidha Laçka, Vasil Pando, Vangjel Llazi, Xhaferr Ibrahimi, Kosta Tusha, Myredin Basholli e shumë të tjerë. Selim Shuli ishte pjesë e burrave që shkruan historinë kombëtare në Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishte në radhën e parë në betejat e mëdha antifashiste, ishte një nga simbolet e lirisë dhe çlirimit të Shqipërisë. Prandaj emrat e ish Partizanëve të brigadave sulmuese, sikurse dhe emrat e shokëve të tyre dëshmorë, që gjakun e derdhën për lirinë janë shkruar me shkronja të arta në pandeonin e kombit shqiptar. Partizani Selim Shuli përjetoi rritjen numerike të forcës partizane nga çetat në batalione dhe në formacionet solide të Brigadave. Ai mundi që ta prekte lirinë dhe t’i shërbente denjësisht lirisë së Atdheut në një ndër frontet më të vështira të saj, në roje të kufirit shtetëror shqiptar, si oficer i armës së kufirit.

 

Familja Shuli e përfshirë tërësisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare

Të dhënat biografike për majorin Selim Shuli janë të dokumentuara dhe që flasin për një jetë të jetuar me dinjitet. Ai ishte lindur më 25 dhjetor 1925 në fshatin Velçan, të Mokrës në një familje të varfër, por familje e vjetër, autoktone, me tradita patriotike dhe atdhetare. Selimi djalë i ri mundi të vijojë shkollën fillore, përmes halleve dhe problemeve të shumta ekonomike të familjes. Pushtimi fashist i vendit i 7 prillit 1939 e gjeti babain e tij Arifin dhe fisin e tij në një gjendje të mjerueshme pushtimi dhe për këtë Ai e përkrahu pa rezerva Luftën Antifashiste kundër pushtuesit italian dhe pushtuesve gjermanë. Babai i Selimit, mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare me armë në dorë duke u rreshtuar në formacionin luftarak në BrIS. Arifi pasi përfundoi lufta, për shkak të moshës, qëndroi dhe punoi në Velçan, deri në fund të jetës, duke mbrojtur bindshëm idealet e LANÇ-it. Pjesëtarët e familjes “Shuli”, Estrefi, Ramadani, Tahiri, Rexhepi, Banushi, Demo e Mersini u angazhuan tërësisht në luftën antifashiste. Estref dhe Ramadan Shuli që nga fillimi i vitit 1944 u rreshtua në formacione partizane, pas çlirimit punuar në radhët e Ushtrisë Popullore me gradën nëntoger. Tahir Shuli mori pjesë në luftë me fillimin e vitit 1943 por në përpjekje me armikun dhe gjakun e fali për Atdheun duke merituar titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Vëllai i tij, Rexhepi, mori pjesë në lëvizjen pa nga viti 1944 e pas çlirimit ka punara në radhët e ushtrisë. Banush Shuli në vitin 1944 doli partizan dhe më pas u rreshtua në Ushtrinë Popullore me gradën Aspirant. Në formacionet partizane u rreshtuan dhe Demo e Mersin Shuli, të dy vëllezër, ku më pas punuan në rreshtat e Policisë Popullore deri në vitin 1952. Në luftë mori përvojë dhe në çlirim mësoi në shkolla Selim Shuli u rreshtua në formacionet partizane në vitit 1943. Fillimisht në çetën “Reshit Çollaku” dhe më 20.6.1944, u rreshtua partizan në Brigadën XV Sulmuse, në batalionin e tretë, ku luftoi deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Selim Shuli mori pjesë në luftimet e zhvilluara nga brigada kundër nazistëve gjermanëve në Qafë-Thanë, në Pogradec, më pas në Podgorije, në luftë për çlirimin e qytetit të Elbasanit, Pogradecit në Operacionin Qershorit të vitit 1944, në Xhyrë ku dhe mbeti i plagosur së bashku me 7 partizanë të Brigadës së XV Sulmuese. Në këto luftime ai shfaqi cilësitë e mira të një partizani si guximin, moralin e lartë dhe këmbënguljen për mbajtjen e pozicioneve të kapura. Në luftë e sipër ai mësoi për organizimin dhe drejtimin e veprimet luftarake të njësive partizane dhe të ushtrisë së rregullt. Jetën ushtarake e nisi nga partizan, për të ngjitur shkallët e karrierës ushtarake pas çlirimit në janar 1946, në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit në Gjirokastër. Për punë të përgjegjshme emërohet në Regjimentin 8-të të Mbrojtjes së Popullit, me qendër në Tiranë. Në nëntor 1947, karriera ushtarake e Selim Shulit filloi ngritjen, ku punoi për mjaft vite në Gardën e Republikës si oficer dhe më tej emërohet në repartet e qytetit të Korçës, me detyrë komandant reparti. Në vitin 1956, u emërua komandant për rrethin e Korçës, ndërkohë që gjatë vitit 1960 emërohet në reparte  me detyrën komandant në rrethet e Vlorës dhe të Sarandës. Ndërsa në vitin 1963, emërohet komandant në batalionin e në Dibër dhe më tej në rrethet e Librazhdit dhe të Pogradecit. Gjatë karrierës ushtarake, detyrat e ngarkuara i ka kryer me përgjegjshmëri dhe disiplinë të lartë, ku për punë të mirë është shpërblyer disa herë nga drejtuesit e Ministrisë së Brëndshme dhe ka merituar edhe vlerësime me dekorata, urdhëra e medalje. Për shokët, miqtë, kolegët, bashkëluftëtarët, ish-partizani dhe më tej ushtaraku i përkushtuar në Ministrinë e Brëndshme në strukturat e ruajtjes së Kufirit të Republikës Major Selim Shuli ngeli një pikë referuese e mirësisë dhe e bukurisë shpirtërore që edhe problemet i trajtonte me rigorozitet dhe disiplinë që e karakterizonte përgjatë gjithë jetës por edhe me shpirtbardhësi dhe zemërgjerësi. Prandaj puna me njerëzit ishte një prej objeksioneve të veçanta në punën e drejtuesit të niveleve të larta të kufirit tokësor.

 

Kufiri shqiptar amanet i shkruar me gjak dhe diplomaci

Kufitarët, strukturat drejtuese dhe oficerët akademikë të kufirit e njihnin në detaje rrugën e mundimshme të kufirit të shtetit shqiptar të nisur më 29 korrik të 1913-ës dhe më tej rrugëtimin diplomatik dhe të marrëveshjeve për përcaktimin e kufijve të shtetit. Ata njihnin gjithashtu dy protokollet e Firences i dhanë verdiktin përfundimtar praktik të kufijve të shqiptarëve me fqinjët. Shumëkush prej tyre kishte depërtuar në “pavëmendshmërinë” e diplomatëve të Konferencës së Londrës në trajtimin e problemeve të kufijve të Shqipërisë. Por kufiri shqiptar mori formë në Firence, ku u vendos dhe u nënshkrua: A).Protokolli përfundimtar i kufirit midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene nënshkruar më 26.7.1926 në Firence nga komisioni ndërkombëtar i kufijve: gjeneral Pietro Gazera-kryetar, koloneli francez-J.A.Ordini dhe nënkoloneli britanik-A.B.Clough, me gjithësej dhjetë anelse nga hartat deri tek deklarata e përfaqësuesve të dy qeverive, Iljaz Vrionit dhe gjeneral M.Jovanoviç-it, që mbylli kapitullin e luftrave dhe etjes për pushtime, përfshi edhe luftën 9 vjeçare të Dibrës (1912-1921). B). Për kufirin shqiptaro-grek protokolli përfundimtar u nënshkrua më 27.1.1925 në Firence nga komisioni ndërkombëtari kufijve: gjeneral Pietro Gazera-kryetar, koloneli francez-J.A.Ordini dhe nënkoloneli britanik-A.B.Clough. Bazë për protokollin ishin caktimi i vijës kufitare në marrëveshjen e Londrës e 1913-ës; vendimi i qeverive angleze, italiane, franceze e japoneze i 9.11.1921; vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në datat 1.2.1922 dhe 10.11.1922; vendimi i konferencës së ambasadorëve më 27.7.1923. Marrëveshja kishte 5 anekse, 7 fletë harte të kufirit dhe deklarata e përfaqësuesve të dy qeverive: shqiptari Mehdi Frashëri dhe përfaqësuesi grek nënkolonel Avramides. Delegati shqiptar u shpreh dakord me protokollin përfundimtar, ndërsa nënkolonel Avramides u shpreh: “Delegati grek deklaratën mbi një çështje të tillë e konsideron si të panevojshme, meqenëse qeveria greke në kohën oportune ia ka bërë të njohur vërejtjet e saj konferencës së ambasadorëve dhe pastaj iu nënshtrua vendimeve të konferencës”, që ishte vijimësi të qëndrimit të qeverisë greke e cila nuk e kishte njohur kufirin me Shqipërinë, por Greqia ishte detyruar nga Fuqitë e Mëdha të ishte pjesë e nënshkrimit të aneksit të protokollit. E megjithatë çështja e kufijve shqiptarë vijon në shtrirjen detare në zonën ekonomike, çka “nuk mund të zgjidhet” me marrëveshjet ndërkombëtare të detit. Kufiri dhe ruajtësit e tij kanë qenë dhe mbetur misionarë të një kombi që ka luftuar shekujve për këtë tokë, për të drejtat e nëpërklëmbura, prandaj edhe oficerët dhe ushtarët që shërbyen e shërbejnë në këtë front tejet të vështirë meritojnë nderimin dhe respektin e mbarë kombit. Vetëm ata burra që kanë shërbyer në atë që dikur quhej “arma e kufirit”, e dinë se çfarë është ruajtja e kufirit shtetëror, rregjimi i kufirit, gatishmëritë, kloni, telefoni, armët me fishekë në gojë, terreni i rënduar me baltë përmes shiut, borës dhe breshërit në kufi, sektorët e patrullimit për çdo njësit kufitar, shkelësit e kufirit, urdhëri luftarak. Vetëm ata që e kanë provuar shërbimin në kufi mes borës e suferinës, kur shpejtësia në veprime ishte kryefjalë e çdo dite shërbimi, kur mbledhja e efektivit të postës dhe bashkarisht nisja drejt detyrës përmes vështirësive të mëdha e të panumërta, kur kishin dhe ishin në shinjestër, kur rreziku se do të vriteshin ishte prezent në të gjitha ditët e vitit si në lartësitë e bjeshkëve, në zonat kodrinore por edhe në zonat fushore. Por, një gjë ishte e qartë se detyra do të kryhej “me çdo kusht me çdo saktrificë”, sepse Atdheu ishte mbi çdo gjë tjetër, dhe kufiri ishte dhe mbetet i shejtë. Vigjilenca në detyrë nuk është kurrë një term i vjetëruar dhe nuk i kalon kurrë koha sepse kryerja e detyrës i kërkon gjithmonë bashkë komandantët dhe kufitarët. Qindra djem, komandantë e komisarë e deri në kufitarë të thjeshtë në roje të të shenjtit kufi kanë dhënë jetën në postat kufitare të republikës dhe që janë shpallur me titullin e lartë “kufitar-dëshmorë të Atdheut”. Për kufitarët “shpirti i gjallë i repartit”, “netët e gjata në pritë”, vendosmëria dhe qëndrueshmëria, eleminimi i ndezjes së zjarrit, përdorimi i pelerinave të shiut, ndjekja e gjurmëve bashkë me qentë e kufirit në tokë dhe që humbisnin në ujëra, siluetat njerëzore në kufi, “miqtë” që parashutonin nga qielli, vinin nga toka e deti ishin puna e përditshme e kufitarit Selim Shuli dhe shokëve të tij. Të tillë ngelen ata përjetësisht edhe kur nuk kanë lapidar, pllaka me mbishkrime për ngjarje trimërie, sepse ata rrojnë në zemrën e popullit dhe kujtohen nga populli duke qëndruar përjetësisht roje të kufijve si kujtesë e brezave që shkuan dhe do të vijnë. Kulmet kufitare kanë në momentet kur rënia heroike e kufitarëve trupëzohej me kufijtë shqiptarë në bjeshkë, në mal dhe në fushë, kudo ku derdhej gjak shqiptari në mbrojtje të tokës së shenjtëruar shqiptare. Nuk ka medalje, urdhër e dekoratë që të mund të vlerësojë plotësisht kufitarët shqiptarë e të gjitha kohrave. Kufiri që me protokolle ndërkombëtare këtë vit dhe vitin që vjen në gjithë shtrirjen e tij prej 1094 kilometra, nga të cilat 627 km kufi tokësor, 316 km detar (vijë bregdetare 472 km), 73 km liqenor, 48 km lumor, 30 km përrenjor, mbushin 95 vjet të njohur ndërkombëtarisht, që të mund të vlerësojë plotësisht mundin dhe sakrificat e kufitarëve shqiptarë në përmbi nëntë dekada jetë.

 

Jeta kufitare:- jetë e jetuar majave për mision të fisnikëruar

Kufitarët jetonin kohën por rronin edhe me kreshnikët dhe me zanat e malit, të trupëzuar me kufirin shqiptar, këtë tokë të shenjtë dhe të trashëguar si amanet brezash. Ata ishin pjesë e tyre dhe jetonin në zemër të tyre. Askush si ata nuk e njihte terrenin “pëllëmbë për pëllëmbë”, që nuk njihte të fshehtat e malit, të kreshtave, të motit të shkëmbinjve të thepisur. Kur punoi për kufirin Selim Shuli një gjë e kishte fiksuar të trashëguar nga shpirti i trevës ku lindi nga Mokra e tij e dashur, se “Supet e maleve dhe supet e shqiptarit nuk janë kërrusur kurrë”, kështu po ndodhte edhe në këtë periudhë tejet të vështirë për shqiptarët dhe për Shqipërinë që ishte si gjithmonë e lakmuar nga fqinjët. Selim Shuli ishte mjaft i apasionuar edhe pas leximit të librave si “Heronj të heshtur”, “Në mbrojtje të kufijve të Atdheut”, që kishte plotë shembuj të heroizmit, burrërisë, vetmohimit dhe mjeshtërisë së lartë luftarake në mbrojtje të kufijve të shenjtë të republikës. Këtë frymë e transmentonte edhe tek vartësit. Ai e njihte kufirin e shtëpinë si Velçanin e tij malor, si Mokrën e lavdisë dhe trimërive dhe këtë e kultovonte edhe tek vartësit. Selim Shuli ishte një ekspert i kufijve të Republikës, njifte në detaje praktikën e përcaktimit të kufijve orografikë, gjeometrikë. Mjeshtëri i kufirit Selim Shuli njihte në detaje karakteristikat si dhe piramidat e kufirit, dinte hallet e kufirit si të shtëpisë së vet, njihte piramidat kryesore si dhe piramidat ndermjetese, Pengesat Elektro Sinjalizuese ose siç njihej ndryshe “kloni”, sektorët, sistemet,  strukturat, drejtoritë, sikurse ishte Drejtoria e Kufirit si një prej tri shtyllave kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ushtrimi i detyrës së ruajtjes së kufirit përgjatë kufirit tokësor, Iumor, liqenor e detar, nëpërmjet batalioneve kufitare të ndodhura në çdo rreth kufitar, përfshi këtu edhe zonën bregdetare e kishin bërë Selim Shulin një figurë të njohur dhe të respektuar në rrethet kufitare, duke e bërë edhe koordinatori me degët e punëve të brendshme të rrethit përkatës kudo që punonte, ndërkohë që batalionet kufitare kishin në vartësi postat kufitare, në të cilat kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga më të përzgjedhurit. Forcat kufitare mbështeteshin nga forcat vullnetare të vetëmbrojtjes popullore, nënrepartet dhe repartet e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe MPB-së. Kushdo që punonte në Kufi, ishte tejet i njohur edhe me legjendat dhe mitet e kufirit, me trimëritë dhe historitë trimërore të shumë rojeve të kufirit të republikës, por edhe përtej tyre. Kështu një ndër legjendat e kohës ishte ajo, që lidhej me “gjarpërin e shtëpisë”, si rojtar i shtëpisë, kufirit, sinorit. Në mjediset kufitare qarkullonte një historik në formën e mitit dhe legjendës që lidhet me ruajtjen e kufijve të lashtë të Ilirëve, dhe simbolika e rojes së kufirit që na lidh me rrënjët tona të lashta ishte gjarpëri roje, që vigjëlonte rreth kufijve të ilirisë. Nuk është e rastit që simbolika ilire ishte gjarpëri i shtëpisë. Nuk është e rastit që pleqtë e moçëm kishin një shprehje: “Që kur u kurdis dynjaja/bota, shtëpia e ka gjarprin e vet”. Gjarpri, jo vetëm që nuk i sulmon njerëzit e shtëpisë ku jeton edhe ai, por i mbron ata nga fatkeqësitë dhe rreziqet e ndryshme dhe ky ishte shpjegimi dhe gjithkush besonte në të dhe kalonte e treguar brez pas brezi në shumë zona të Shqipërisë, veçanërisht tek kufitarët që tregohej edhe për rolin e “mbrojtësit të shtëpisë”. Te shqiptarët legjenda e gjarprit është interesante dhe shumë e vjetër. Fillon me Ilirinë dhe është simbol i këtij civilizimi, prandaj edhe është futur në tregimet popullore, sikurse është edhe “kënga e gjarprit”. Sipas kësaj kënge “gjarpri bëhet njeri dhe anasjelltas”, duke përmbajtur elementët e dashurisë, besnikërisë, vuajtjeve, përmbushjes së obligimeve, një lashtësi që kjo legjendë është paraqitur edhe tek filmi “Aleksandri i Madh”, ku Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh dhe gruaja e Filipit II, shihet e shoqëruar nga gjarpinjtë, madje ajo edhe fle me ta. Olimpia, rolin e së cilës e luan aktorja e bukur Angelina Jolie, duke qenë e fisit të molosëve, e ka gjarprin roje besnike të saj, me qëllim që asnjë burrë të mos guxonte të synonte shtratin e saj. Kështu edhe për djemtë që ruanin kufirin si për shumë mite e legjenda edhe legjenda e gjarprit të shtëpisë ishte ruajtur pa u dëmtuar nëpër shekuj që nga koha e Ilirisë e deri në kohët moderne për të ardhur në formatin mitik por që mbart brenda shenjtërinë e ruajtjes dhe shenjtërisë së kufijve dhe sinoreve të shtetit. I tillë i shte kufiri dhe arma e kufirit, vendi ku Selim Shuli dhe stafi i kufijve të republikës thinjën rininë në shërbim të Atdheut, thinjën rininë të ndërgjegjshëm për përmbushjen e një misioni fisnik.

 

Dekorime dhe vlerësime të merituara për ish-partizanin dhe ushtarakun e shquar

Ushtaraku model dhe i përkushuar për detyrën Selim Shuli nuk priste kurrë vlerësime e nderime për punën që bënte. Ai përpiqej të mësonte çdo gjë që lidhej me profesionin, ishte gjithmonë kërkues dhe kërkonte ta tregonte veten në punë por jo në lëvdata, nderime e dekorata. Ai i mëshonte thënies proverbiale popullore se, “Bukuria e njeriut është sjellja në shoqëri”, prandaj ngeli njerëzor përgjatë gjithë jetës. Sikurse thoshte Vladimir Belinski, “Ai që nuk i përket atdheut, nuk i përket as njerëzimit”, kështu edhe bijtë e shqipes që ju besuan detyra nga më të rëndësishmet dhe delikatet për Atdheun, ku besnikëria dhe ruajtja e traditës për shenjtërinë e truallit arbëror kishin përparësi në jetën e kufitarëve shqiptarë. Selim Shuli punoi me përkushtim në radhët e Ushtrisë Popullore (term që sot përdoret Forcat e Aramtosura) si dhe doli në pension në vitet 1980, i rrethura nga miq, shokë, bashkëluftëtarë e kolegë nga ushtria. Por puna e tij nuk kishte përfunduar sepse menjëherë u aktivizua me organizatën e veteranëve të LANÇ-it sapo doli në pension, duke u angazhuar në mjaft veprimtari të ndryshme në mbrojtje të luftës dhe të idealeve të saj antifashiste. Në vitin 2016 u nderua nga Organizata Kombëtare e Veteranëve të Luftës me çertifikatë, “Nderi i Organizatës” (pas vdekjes). Ish-ushtaraku madhor Selim Shuli është vlerësuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe nga organet drejtuese si MM si dhe nga Komanda, ku ai aderonte. Ai në jetë është vlerësuar me 12 dekorata, urdhra e medalje, ndërkohë që ai kishte merituar edhe kryedekoratën e një familjari të rregullt dhe veprimtari shembullor. Selimit i dhanë edhe më shumë nder dhe krenari, bashkëshortja e tij Nasibeja si dhe fëmijët e mbarë. Ai është dhe sot një emër i nderuar i trevës së shquar shqiptare të Mokrës, një ushtarak i përkushtuar që kreu me përkushtim detyrën dhe gjithmonë, kudo ku shkoi dhe e kërkoi Atdheu, duke punuar pa u lodhur dhe as më të voglin pretendim, duke bërë sakrifica për vete dhe për familjen, të cilat i vuri në shërbim të Atdheut. Edhe pse nuk ishte në jetë në vitin 2021 pati dy vlerësime të veçanta. Së pari Presidenti dekoroi me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ish-partizanin dhe ushtarakun e shquar, Selim Shuli në janar të vitit 2021, si “një prej figurave të shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shembull i heroizmit partizan, dhe i dalluar për sakrificat vetëmohuese për lirinë e Atdheut, ushtarak i angazhuar pas Çlirimit për modernizimin e Forcave të Armatosura, ku spikati për ndihmën e kontributin si model i ushtarakut të dedikuar, me ndërgjegje e disiplinë të lartë, i palodhur në promovimin e vlerave të lirisë.” Ndërkohë që në tetor të vitit 2021 Shoqata e Historianëve ushtarakë shqiptarë e ka nderuar ish ushtarakun Selim Shuli me mirënjohje të veçantë me motivacion: “Për veprimtari të shquar si luftëtar i lirisë në rreshtat partizane në luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, për kontribut të veçantë si ushtarak karriere e drejtues vizionar në Forcat e Kufirit në mbrojtje të Atdheut, si dhe për veprimtari shoqërore dhe Atdhetare”, një vlerësim ky plotësisht i merituar.

 

Komandant  Selim Shuli në vlerësimin e bashkëluftëtarëve në rrjedhën e historisë

Të qëmtojmë në dokumentacionin e të parëve është detyrim brezash, për ta shkruar historinë me të vërtetat sikurse e gjejmë në arkiva e libra, por edhe sikurse e kanë lënë të shkruar brezat tanë dhe organizmat kolegjiale. Ja mendimi kolegjial për Major Selim Shuli Komiteti i veteranëve të LANÇ: “Major Selim Shuli ishte një nga figurat e rëndësishme të ushtrisë shqiptare, drejtues i lartë, i sprovuar i dalë nga zjarri i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Që në moshë të re u aktivizua familjarisht me Lëvizjen dhe ishte një nga luftëtarët e orëve të para të luftës. Selimi lindi më 25.12.1925 në fshatin Velçan të krahinës së Mokrës në një familje të nderuar dhe me tradita atdhetare. Babai i tij Arif Shuli ishte një patriot dhe luftëtar aktiv i çështjes kombëtare, i dëgjuar në tërë krahinën për trimëri. Gjatë gjithë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare familja e këtij burri të shquar për trimëri, dha kontribut të jashtëzakonshëm patriotik e luftarak deri në çlirimin e plotë të Atdheut. I rritur dhe i edukuar nga një familje e tillë, edhe Selimi që në moshë të re, në vitin 1943, u radhit në batalionin partizan të Mokrës e më pas në Brigadën XV Sulmuese, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet që ndërmori kjo njësi luftarake e UNÇSH, në Pogradec, Qafë-Thanë, Librazhd , më pas në Podgorije, në Xhyrë ku dhe mbeti i plagosur së bashku me 7 partizanë të Brigadës së XV-të duke sakrifikuar edhe jetën, në Operacionin Qershorit në luftë për çlirimin e qytetit të Pogradecit, Elbasanit, Tiranës. Ai qëndroi trim dhe i vendosur deri në çlirimin e plotë të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Më 5.1.1946 Selimi u transferua në Divizionin e Mbrojtjes në Gjirokastër dhe më tej për punë të mirë emërohet në Regjimentin 8-të të Mbrojtjes së Popullit në Tiranë. Në nëntor të vitit 1947, karriera ushtarake e Selim Shulit filloi të ngrihej, punoi disa vite në Gardën e Republikës. Në 1950 përfundoi Akademinë Ushtarake në degën e Këmbësorisë.Më tej, në vitin 1956, u emërua Komandant në rrethin e Korçës dukë qenë kuadër shëmbullor. Në vitin 1960 u transferua përsëri në rrethin e Vlorës. Në vitin 1963 dërgohet në batalionin e Dibrës (Peshkopi, transferohet në rrethin e Librazhdit në vitin 1965 me detyrë Shef Shtabi i Batalionit nr.210 të kufirit. Pas këtyre, kaloi në batalionin e Pogradecit ku mbylli dhe karrierën e gjatë si ushtarak për më shumë se tre dekada në detyra të rëndësishme dhe shumë të përgjegjshme. Komandanti i kufirit Selim Shuli për sakrificat në luftë si luftëtar, për plagët e marra në luftë, për kontributin e çmuar si ushtarak i talentuar në drejtim, është dekoruar me 12 medalje dhe urdhra të ndryshëm”. Më 1980 Selimi doli në pension, mbas këtij momenti deri në ndarjen nga jeta i’u përkushtua detyrave në organizatat shoqërore të këtij rrethi. Selim Shuli është një emër i nderuar i Mokrës, një ushtarak i përkushtuar që kreu detyrën dhe gjithmonë, kudo ku shkoi, anembanë vendit, e kishte për nder të qenit Mokrar. Ai është një shembull i gjallë i heroizmit partizan, i njeriut që çdo sakrificë për Atdheun e ka bërë me thjeshtësinë dhe modestinë e një luftëtari të lindur. Për kontributin e tij Komiteti i Kombëtar i Organizatës së Veteranëve e ka vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it”, Shoqata Atdhetare Kulturore Mokra me titullin “Mirënjohje e Mokrës” dhe Ministria e Mbrojtes me “Medalje Nderi”. Brezat, padyshim, kanë se ç’të mësojnë nga këta luftëtarë të moçëm, të luftës dhe të sakrificës, të cilët janë memoria e historisë sonë kombëtare”. Ndërkohë që përtej vlerësimit të bashkëluftëtarëve nderimet kanë vijuar përgjatë vitit 2021 edhe nga kreu i shtetit shqiptar si dhe nga Shoqata e Historianëve Ushtarakë Shqiptarë.

 

Please follow and like us: