Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: IKONA ”SHËN MARIA ME TRE DUAR”

Në programin ikonografik të besimit orthodoks bën pjesë edhe një ikonë interesante, origjinalja e parë e së cilës, e quajtur “Shën Maria me tre duar” (Triherousa) e ka vendodhjen e saj në Malin e Shenjtë. Por cila është narrativa tradicionale e saj? Në shekullin e tetë gjatë kohës së Ikonoklastëve, Shën Gjoni i Damaskut (4 Dhjetor) ishte i përkushtuar në nderimin e ikonave të shenjta. Për shkak të kësaj, ai u spiunua nga perandori ikonoklast (kundërshtar i ikonave) Leo III Isauri (717-740), i cili informoi kalifin osman të Damaskut se Shën Gjoni po kryente veprime tradhtie kundër tij. Kalifi dha urdhër që t’i prisnin dorën murgut dhe t’ia çonin në treg. Në mbrëmje, pasi kalifi ia dërgoi dorën e prerë Gjonit, ky e vendosi në kyçin e parakrahut të tij dhe ra në tokë përpara ikonës së Nënës së Zotit. Murgu iu lut Shën Marisë për t’ia ngjitur e shëruar dorën që kishte shkruar e pikturuar në mbrojtje të besimit Ortodoks. Pas lutjes së gjatë, atë e zuri gjumi dhe pa në ëndërr sikur Nëna e Zotit kishte ardhur tek ai duke i premtuar shërim të shpejtë. Pasi u zgjua nga gjumi, Shën Gjoni pa që dora e tij ishte ngjitur dhe dukej e padëmtuar. Në shenjë falënderimi për këtë shërim, Shën Gjoni vendosi në ikonë një dorë të modeluar prej argjendi, nga e cila ikona mori emrin e saj “Me Tre Duar”. Sipas Traditës, Shën Gjoni shkroi një himn falënderimesh për Nënën e Zotit “I gjithë krijimi gëzohet për Ty, O i Hiri i Plotë”. Shën Gjoni i Damaskut praktikoi monasticizmin (murgërinë) në manastirin e Shën Savës dhe atje pikturoi dhe i dedikoi ikonën e tij mrekullibërëse. Lavra ia dhuroi ikonën “E Tre Duarve” për shenjtërimin e Shën Sava-s, Kryepeshkop i Serbisë ( V. 1237). Gjatë kohës së pushtimit të Serbisë nga Osmanët, disa të krishterë që donin të mbronin ikonën, ia besuan ruajtjen e ikonës së Nënës së Zotit vetë asaj. Ata e vendosën ikonën mbi një gomar, i cili vetë, pa asnjë kafshar shoqërues, vazhdoi rrugën deri në Athos dhe u ndal para manastirit Hilandar. Murgjit e vendosën ikonën në kishën katedrale (katholikon) të manastirit. Gjatë një kohe mosmarrëveshjesh mbi zgjedhjen e igumenit të këtij manastiri, Nëna e Zotit mori përsipër ta drejtojë vetë manastirin dhe që nga ajo kohë ikona e shenjtë ka zënë vendin e igumenit në tempull. Në manastirin Hilandar zgjedhet vetëm një zëvendës, dhe nga ikona e shenjtë murgjit marrin bekimimin për çdo veprim e bindje ndaj besimit dhe përsosjes së shpirtit të tyre. Prej asaj kohe kjo ikonë u bë model i ri ikonografik i tipit hodigitria dhe u praktikua dendur në të gjithë hapësirën e krishtërimit lindor si një prej tipeve mrekullibërëse të Nënës së Zotit. Gjatë një ekspedite shkencore në Malin e Shenjtë ne e kemi parë ikonën në Manastirin Hilandar, ashtu si edhe vendin ku është varrosur Rreposh Kastrioti, vëllai i Gjergj Kastriotit, në këtë manastir.

Please follow and like us: