Cikël poetik nga Viron KONA
Viron Kona ka lindur më 24 qershor 1950 në qytetin e Vlorës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë – letërsi. Para vitit 1991 ka punuar në administratën e lartë shtetërore; Më pas, si drejtor në shkolla të ndryshme. Pas vitit 2010 e në vazhdim si specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve prej vitit 1981; Pas viteve 2000, anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit. Ka botuar rreth 30 vëllime me tregime, novela e romane për fëmijë dhe për të rritur. Fitues i 7 çmimeve në gjininë e tregimit dhe novelës; fitues i çmimit UNICEF-AMC, për librin më të mirë për fëmijë 2006 “Eh, more Bubulino”!
Krijimtaria letrare
Libra: “Etje që shuhej”, “Pëllumbat”, “Mos m`i zbukuroni plagët!”, “Ujkonja”,“Pulëbardhat përbindëshe”, “Bubulinoja çamarrok”, “Dëshira e fshehtë e Bublinos”, “Pyesni Bubulinon”, “Eh, more Bublino!”, “E fshehta e pyllit”, ”Dardi”, ”Dardi në gadishullin e vetëtimave”,“Të çuditshmit!”, ”Bubulinoja dhe Dardi, në kryeqytetin amantëve të lashtë”,(libri i parë), “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve të lashtë”, (libri i dytë), “Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”, “Drithërimat e yjeve”, “Dëgjoma zemrën, Budapest!”, ”28 djem plus një vajzë”, “Yje mbi Bosfor”, “Një udhëtim i çuditshëm”, “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, ”Të fshehtat e një mrekullie”, “Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”, “Dielli është i imi”, “Bukuri suedeze”,”Shpëtoni papagallin Çate!”, “Për ju, miqtë e mi” etj. Ka botuar edhe disa libra me karakter didaktik, si dhe qindra shkrime në shtypin periodik, në gazeta revista brenda dhe jashtë vendit.
Buka dhe liria
I keni parë ju n`pranverë fushat me grurë,
kur fruti i tyre verdhon e ato shushurijnë?
Po lulëkuqet, balerinat trupgjata si lastarë,
ngjyrëkuqet si gjaku,që simbolizonë lirinë?
Gjithnjë n`fushat e grurit ka dhe lulëkuqe,
bashkë me të lashtat rriten pranë e pranë,
natyra nuk gabon në harmoninë e gjërave,
bukën dhe lirinë nga njëra-tjetra s`i ndanë.
Mirësi dhe dashuri
Sa mundemi shtëpinë-planet ta vizitojmë,
Ajo është e jona, më e bukura në gjithësi,
Veç lutem, atje ku ne vëmë këmbën tonë,
T`mbjellim nga pak paqe,mirësi e dashuri.
Traditat e t`parëve tanë i kemi të shenjta,
Kemi zakone e virtyte si rrallëkush n`jetë,
N`vështirësi i jemi gjendur fqinjit e mikut,
Për t`i dhënë dritë botës, jemi djegur vetë.
Bota na sheh me interesim të dukshëm,
E etur të njohë thellë popullin shqiptar,
Me vepra le të tregojmë genet tona ilire,
Kur shkojmë e vijmë si zogjtë shtegtarë.
Rruzulli ynë përthith gjithçka brenda tij,
Dhe veprën e keqe, edhe veprën e mirë,
Ndaj le të mbjellim veç mirësi e dashuri,
Ne bijtë e shqipeve, të Shqipërisë së lirë.
Thesari i Justinianit
Kërkojnë, nën ethet e arit thesarkërkuesit,
pasurinë e fshehur t`perandorit Justinian,
gërmojnë gjithkund, gërmojnë parreshtur,
veçanërisht në fshatin Lin dhe diku pranë.
S`ndahen dot nga ëndërrat e s`heqin dorë,
t`bindur se nj`ditë do ta gjejnë mrekullinë,
u shkon mundi kot thesarkërkuesve t`gjorë,
“thesari i Justinianit” është vetë fshati Lin…
……………………
Fshati Lin, ndodhet në një kodër-gadishull të bukur buzë liqenit të Pogradecit. Konsiderohet njëri nga fshatrat më piktoresk dhe më të bukur shqiptar. Vizitorët mahniten atje nga burimet gurgulluese, hijet e freskëta të pemëve, nga prania e një bazilike të lashtë kristiane, por dhe nga mozaikët e rrallë shumëngjyrësh (Shek. VI-VII), që të magjepsin me bukurinë e tyre. Prej shekujsh rrëfehet një gojëdhënë se perandori Justinian me origjinë ilire (482-565), në një moment kritikë ka fshehur në brigjet e liqenit të Ohrit në afërsi me gadishullin e Linit një pjesë të rëndësishme të thesarit të perandorisë bizantine. Kjo gojëdhënë ka 14 shekuj që rrëfehet dhe vjen deri në ditët e sotme…