Albspirit

Media/News/Publishing

Dimensioni tjetër i një artisteje të madhe

Rita Loloçi
Dua Lipa, artistja me famë ndërkombëtare, në jo pak raste në dalje publike ka vënë në pah se është shqiptare, se ajo nuk është e vetme po ka edhe të tjerë me origjinë nga kombi më i vjetër dhe shteti më i ri në Europë, pra nga Kosova që janë bërë pjesë e universializmit planetar.Pak kohë më parë ajo u nderua me çmimin për rol të shquar udhëheqës në trajtimin e çështjeve të rëndësishme sikurse të drejtat e grave, ndarë nga Këshilli i Atlantikut, në 60-vjetorin e themelimit të tij.

Dua Lipa u vlerësua për përfshirjen e saj aktive në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti të viktimave të luftërave të Ballkanit, për ndihmesën e saj për fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, humanizmin, frymëzimin dhe krijimin e mundësive të reja për gjeratat e reja.Në një prononcim për ‘Zërin e Amerikës’, Dua Lipa tha ndër të tjera se “jam shumë e nderuar të jem këtu sot, të pranoj këtë çmim. Në emër të të gjithë të rinjve të Kosovës dhe faktit se ne jemi shtet kaq i vogël për vetëm 13 vite me një mundësi që ndoshta një ditë të bëhemi pjesë e Evropës. Kjo vërtetë është pjesë e rrugëtimit, betejës sime dhe arsyes pse jam këtu. Prandaj jam shumë mirënjohëse të jem këtu dhe të flas për diçka që është në zemrën time”.

Gjithashtu ajo foli për filmin “Zgjoi”, që është propozuar të jetë një nga filmat kandidatë për çmimin prestigjioz Oscar.Dua shfrytëzoi ardhjen e saj në Uashington për të ndihmuar promovimin e filmit emocional nga Kosova që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. “Ishte mrekulli. Jam prekur shumë nga rrëfimi i Fahrije Hotit, gruas në historinë e së cilës bazohet filmi. Tregon se sa shumë këmbëngulëse dhe të fuqishme janë gratë e Kosovës, sidomos në një kohë kur ndonëse kanë humbur shumë arritën të gjejnë një mënyrë për të vazhduar dhe luftuan që të arrijnë diçka që ndjenin se ishte e drejtë për to. Ishte shumë frymëzuese dhe isha shumë e nderuar të isha në shfaqjen e filmit me shumë gra tjera të fuqishme dhe të mrekullueshme. Pres me padurim dhe shpresojmë që të sigurojë nominimin për Oscars”, tha ajo.

Dua dhe babai i saj muzikant, Dukagjin Lipa, drejtojnë fondacionin ‘Sunny Hill’ dhe festivalin me të njëjtin emër që mbahet në Prishtinë, nëpërmjet të cilit Kosova është futur në hartën botërore të kulturës. Artistja paralajmëroi rikthimin e fuqishëm të festivalit pas një pauze për shkak të pandemisë. Tetë herë e nominuara dhe tri herë fituesja e çmimeve ‘Grammy’, Dua Lipa foli për vendlindjen e saj dhe apeloi për heqjen e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës.Rasti i Dua Lipës nuk është i vetëm.

Ndryshe nga shumë shtete dhe kombe të tjerë, shqiptarët kanë një pasaportë që i bën krenarë kudo që ndodhen dhe kjo është pasaporta e Shën Trerëzës, nobelistes së Paqes. Një pasaportë tjetër po aq e madhe është ajo e personalitetit të shquar Ismail Kadare që falë artit të tij të magjishëm i ka bërë shqiptarët të njohur në çdo skaj të botës. Ka edhe artistë të tjerë si Inva Mula, Ermonela Jaho e shumë të tjerë, brenda dhe jashtë kufijve natyrorë, që famën e tyre artistike e bashkëshoqërojnë me mesazhe shqiptarie e qytetarie për një botë më të drejtë, më të zhvilluar, pa luftra e konflikte.

https://gazetadielli.com/dimensioni-tjeter-i-nje-artisteje-te-madhe/

Please follow and like us: