Elsa Zhulali
https://www.balkanweb.com/nudizmi-ne-monedhat-dhe-kartemonedhat-shqiptare/
https://telegrafi.com/nudizmi-ne-monedhat-dhe-kartemonedhat-shqiptare/
Çfarë shpirti është kaq bosh dhe i verbër, sa nuk mund ta njohë faktin se këmba është më fisnike se këpuca dhe lëkura më e bukur se petka me të cilën është veshur?
Michelangelo
Nudo! Sa e dëgjon si fjalë të gjitha shqisat zgjohen në çast; dëgjimi bëhet më i mprehtë, shikimi më ndjellës, frymëmarrja rëndohet dhe fytyra menjëherë vesh tjetër mimikë, sytë shohin shumë larg plot epsh dhe neps, atë pra, nudon, trupin lakuriq. Por kur gjendesh përballë saj? Ç’ndodh? Kush është i armatosuri? Kush është viktima? Çfarë vishet dhe zhvishet para saj?
“Le të kujtojmë shprehjen e njohur franceze se një grua lakuriq është e armatosur. Arma e saj në këtë rast është vetëdija për forcën tërheqëse dhe magjinë që ushtron trupi i saj. Në rastet kur kjo magji përdoret për qëllime fitimi, atëherë është pornopgrafi, është prostitucion dhe s’ka asgjë të përbashkët me artin i cili me anë të gjuhës së tij shpreh marrëdhënien e Njeriut me Trupin, Instiktin dhe Sensualitetin e tij, me idenë e Relatives dhe Absolutes, me vizionin e tij mbi Botën dhe Krijimin e saj, të përmasës mistike e metafizike të realiteteve ku Ai jeton[1]”.
Por edhe në mungesë të vetëdijes tërheqëse të modelit/modeles për lakuriqësinë e tij/saj, ku pasqyrimi i një nudoje në mjetet e këmbimit, siç janë monedhat dhe kartëmonedhat, bëhet thjesht për çështje estetike, për të transmetuar një mesazh me karakter patriotik dhe kombëtar, janë konsideruar “skandaloze”, si tepër “seksi”, një akt i turpshëm, për të mos u përsëritur. Dhe kështu ka ndodhur! Kjo është vetëm një nga historitë shumë intriguese të kartëmonedhës së vetme “seksi” të emetuar nga Banka e Italisë, e cila ka qarkulluar edhe në Shqipëri gjatë kohës së pushtimit italian, për të cilën do të flasim më tej më poshtë.
Por kur shfaqet nudizmi për herë të parë në historinë e njerëzimit?
Willendorf, një fshat në Austrinë e Ulët, është vendi ku u zbulua një figurinë e vockël, nudo. Madje aq e vockël (11,1 cm), sa mund të mbahet në pëllëmbë të dorës. Kjo figurinë mendohet të jetë realizuar rreth 25,000 vite më parë. Ajo u zbulua më 7 gusht 1908, gjatë gërmimeve nga arkeologët Josef Szombathy, Hugo Obermaier dhe Josef Bayer.
Kjo vepër, e cila, sipas shumë historianëve dhe studiuesve, cilësohet si nudoja e parë në historinë e njerëzimit, njihet me emrin Venusi i Willendorf-it. Venus, sipas emrit të perëndeshës romake, e cila përfaqësonte dashurinë, bukurinë, dëshirën, seksin, pjellorinë, prosperitetin dhe fitoren dhe e Willendorfit, sipas vendit ku u zbulua. Ajo ndodhet në Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë, Austri.
Po në Shqipëri, në cilën gjini të artit pasqyrohet më shumë nudizmi? Në atë të pikturave, skulpturave, monedhave, kartëmonedhave apo pullave?
Sigurisht, të gjitha këtyre pyetjeve do t’i përgjigjem në botimin e librit të radhës, “Kur nudot flasin”, por në këtë artikull do të përqendrohem shkurtimisht te pasqyrimi i nudizmit në monedhat dhe kartëmonedhat shqiptare.
Në fakt, nudizmi, konsiderohet me të drejtë si “gjendja më e natyrshme njerëzore[2]”. Edhe sot e kësaj dite ajo s’pranohet lehtësisht. Madje, në shumë vende të botës dënohet ose prej saj të presin edhe kokën. “Duket sikur kjo politikë e pashkruar vlen edhe për nudizmin në monedha dhe kartëmonedha… nga pikëpamja artistike, figurat nudo i hasim zakonisht në piktura dhe skulptura të bukura. Kështu që në një farë mënyre bën sens të thuash se edhe monedha, një nga format më të zakonshme të veprave të artit në histori, pasqyron herë pas here një lloj nudizmi plot shije dhe art[3]”.
Në këtë këndvështrim, nudizmi ka qënë pjesë e pandashme e kompozimit të figurave simbolike të tyre. Kjo sepse trupi i zhveshur i njeriut, mashkull apo femër, ka qenë ndër shekuj në qendër të vëmendjes. Në veçanti, nudot femërore, kanë ngjallur gjithmonë interes, ëndje, çmenduri, pasion dhe shpesh revoltë. Arsyet për këto qëndrime sigurisht lidhen me faktorë socialë, politikë, kulturorë dhe fetarë. Historiani dhe kritiku i artit shqiptar, Gëzim Qendro, në libërthin/broshurën me titull “Post Eva 2000, Eskpozitë retrospektive e nudos shqiptare”, shkruan se “Veprat e artit që kanë në qendër të tyre trupin e zhveshur të njeriut, mund t’i klasifikojmë në tre grupime të mëdha:
Në të parin hyjnë ato vepra që mbajnë një qëndrim idealizues ndaj trupit të njeriut ku, pa dyshim, arti grek dhe romak ofrojnë paradigmat më të njohura.””[4]
Në fakt, po t’i referohemi edhe historisë së qarkullimit monetar botëror ndër shekuj, mund të themi se edhe figurat e nudove në monedha dhe kartëmoendha janë po ashtu pjesë e këtyre grupimeve. Sipas të dhënave dokumentare, “nudoja fillimisht mori rëndësi në artin e Greqisë së Lashtë, ku garat atletike në festivalet fetare kremtonin trupin e njeriut, veçanërisht mashkullin, në një mënyrë të pashoq. Atletët në këto gara konkurronin nudo dhe grekët i konsideronin ata si mishërim i gjithçkaje, që ishte më e mira për njerëzimin. Kështu, ishte krejtësisht e natyrshme për grekët që të lidhnin formën nudo mashkullore me triumfin, lavdinë dhe madje edhe përsosmërinë morale, vlera të cilat duken imanente në nudot madhështore të skulpturës greke. Imazhet e atletëve të zhveshur qëndronin si ofertanë vende të shenjta, ndërsa nudo me pamje atletike portretizonin perënditë dhe heronjtë e fesë greke[5].”
Edhe emisioni i parë që Banka Kombëtare e Shqipnis hodhi në qarkullim në vitin 1926 realizuar nga skulptori i mirënjohur Italian, Giussepe Romagnoli, dhe gdhendësi Attilio Motti, Kryemjeshtër i “Zecca di Roma”, pasqyronte pikërisht disa nudo mashkullore në trajtën e përsosmërisë atletike që figurat heroike mbartin. Tematika e kësaj serie ishte “Kthimi në antikitet”. “Në fakt, të gjitha monedhat e realizuara nga Giuseppe Romagnoli përfaqësojnë një nga përpjekjet më të suksesshme të autorit për të rikthyer stilin dhe tematikën e monedhave antike greke, të cilin Romagnoli e çmonte shumë[6]”.
Para: Herkuli duke u ndeshur me luanin e Nemeut dhe vlera “1/2 LEK”
Mbrapa: Shqiponja heraldike shqiptare
Emetuar nga: Banka Kombëtare e Shqipnis
Shtypur në: Zecca di Roma, Mbretëria e Italisë
Autorë: Skulptor Giuseppe Romagnoli dhe gdhendës Attilio Motti
Para: Figurë alegorike e bujkut duke hedhur farën.
Mbrapa: Shqiponjë heraldike
Emetuar nga: Banka Kombëtare e Shqipnis
Shtypur në: Zecca di Roma, Mbretëria e Italisë
Autorë: Skulptor Giuseppe Romagnoli dhe gdhendës Attilio Motti
Para: Figurë alegorke e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, duke kalëruar.
Mbrapa: Fytyrë profili klasik.
Emetuar nga: Banka Kombëtare e Shqipnis
Shtypur në: Zecca di Roma, Mbretëria e Italisë
Autorë: Skulptor Giuseppe Romagnoli dhe gdhendës Attilio Motti
Të trija monedhat përfaqësojnë nudo mashkullore, duke pasqyruar forcën e palëkundur përmes evidentimit të muskujve të figurës alegorike të vetë heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, formave të kolme trupore triumfuese të Herkulit në dyluftimin me luanin e Nemeut, hedhjes së farës nëpërmjet hapave sa elegantë aq dhe të sigurtë. Pra, nga pikëpamja e trajtës së nudove, kemi pasqyrimin tipik të nudove antike “që për ta bërë të pranueshëm, e shenjtëronte Trupin e Njeriut nëpërmjet një harmonie të arritur nga zbulimi i përpjesëtimeve ideale[7]”.
Por sa e kuptueshme ishte kjo simbolikë e monedhave te vendi ynë? Sa përfaqësuse ishte ajo për kohën? Duhet pasur parasysh se ishin vitet ku çdo gjini e artit kishte në qendër pasqyrimin e heroit kombëtar, sikurse e shohim edhe në emisionin e parë të Bankës Kombëtare të Shqipnis. Por megjithatë, vlen të përmendet fakti se “Lëvizjet intelektuale e kulturore të vendit të viteve ’20, edhe pse në shumicën e rasteve mbeten në një fazë embrionale, shtruan terrenin për konsolidimin e tyre, sidomos përgjatë viteve ’30[8]”. Dhe në fakt, është e çuditshme, gati sureale, të besosh se në Shqipërinë e viteve ‘20 dhe ‘30, ndonëse kishte filluar të ndiehej aroma e përpjekjeve të Ahmet Zogut për ta modernizuar atë, fakt mbetet që teksa gratë ende mbanin fytyrën e mbuluar me ferexhe, në këmbimet e përditshme mbanin në duar monedha nudosh. Kujtojmë këtu se ligji “Mbi ndalimin e mbulimit të fytyrës” së gruas shqiptare, u miratua vetëm më 6 mars 1937.
Githmonë, sipas studiuesit Gëzim Qendro, “Në renditjen e dytë të nudove hyjnë veprat e frymëzuara dukshëm nga filozofia humaniste, e cila përkon me periudhën e Rilindjes europiane. Megjithëse në këto vepra idealizimi është i pranishëm, pasi idetë e asaj periudhe u ndikuan në një masë të madhe nga ringjallja e interesit për filozofinë greke, përsëri figurat bëhen më tokësore dhe në to mbizotëron interesi për trupin dhe anatominë e tij, interes ky që arriti kulmin gjatë periudhës së Rilindjes së Lartë[9]”.
Ndërsa “Në grupimin e tretë që i takon, kryesisht, shekullit XX, sundon koncepti estetik, i ndikuar fuqishëm nga filozofia ekzistencialiste e Heidegger-it dhe Sartre-it. Ndërgjegjësimi për pafuqinë e Njeriut Modern ndaj Vdekjes drejt së cilës shkon çdo ditë pa u ndalur, ballafaqim që bëhet akoma më dëshpërues nga humbja e ngushëllimit që ofronte premtimi i Parajsës, hutimi i shkaktuar nga boshllëku që pasoi shënjtërimin e idhujve, miteve e tabuve, riformulimi i hierarkisë midis Frymës dhe Lëndës, i dha jetë një arti të ri, i cili dëshmon për një marrëdhënie të re të Njeriut me Trupin e tij[10]”.
Kartëmonedha me vlerë 100 franga, e cila u hodh në qarkullim në maj të vitit 1940 gjatë pushtimit italian, pasqyron më së miri pohimin e mësipërm. Gruaja e pasqyruar në këtë kartëmonedhë përfaqëson tematikën “Bujqësia”. Kompozuesi i kësaj kartëmonedhe, Giovanni Capranesi, “donte të portretizonte një personazh nga jeta rurale, i njohur për popullin si dikush që i siguron të ardhurat prej kultivimit të tokës”. Fryma e Italisë fashiste kishte hyrë me dhunë përmes elementeve të forta propagandistike, duke “imponuar edhe mënyrën e saj të konceptimit të kartëmonedhave në vendet pushtuese”, e cila në anën e përparme kishte të njëjtën figurë simbolike dhe pothuaj të njëjtën ngjyrë, model dhe dimension me kartëmonedhën italiane me prerje 100 lireta, pjesë e emisionit të parë të Italisë Perandorake (1936-1941), “që lartësonte epokën romake, e cila mbizotëronte në Italinë fashiste të kohës[11]”. Ky personazh pasqyrohet përmes figurës së një gruaje të kolme mbi kashtë, me gjirin e djathtë të zbuluar, duke mbajtur kallinj gruri në dorën e majtë dhe një drapër në tjetrën. Por korrësja e grurit, do të cilësohej si “skandaloze”. “Kartëmonedha bëri bujë dhe krijoi siklet në Italinë puritane të kohës për imazhin e korrëses me gjoks të zhveshur. Incidenti nuk ka ndodhur më dhe ky mbetet shembulli i vetëm i një kartëmonedhe të tillë “seksi” në Itali[12].”
Ndonëse nudot në kartëmonedha u dënuan, ato në piktura u përkrahën. Madje, studimi i nudove ishte pjesë e kurrikulës mësimore të shumë akademive euriopiane. Por spektri i trajtimit të tematikave ishte politikisht dhe ideoligjikisht i diktuar. Gjatë kësaj periudhe, vetë Kristina Kojlaka, skulptorja e parë shqiptare, e diplomuar në Akademinë e Romës, pohon se “Nudot ishin detyra të rëndësishme dhe kryesore. … Figura njerëzore duhej të paraqiste një psiko-fizik të fortë, krenar, largpamës, detajuar plot muskuj dhe i fuqishëm, ose në të kundërt, duhej të paraqiste frymën romantike, lirike dhe idealizmin e saj. Për këtë studentët afroheshin çdo ditë dhe përjashtohej çdo mundësi e trajtimit të figurës nën ndikimin e tendencës[13].
Pohimin e mësipërm e përforcon edhe kuratorja e kartëmonedhave të Departamentit të Monedhave dhe Medaljeve të Muzeut Britanik, sipas së cilës “Imazhet nudo të grave në kartëmonedha kanë ndoshta simbolikën më shumëdimensionale nga të gjitha format e tjera të pasqyrimit femëror. Ato reflektojnë më së miri mesazhin e diktuar ideologjikisht të funksionit të trupit të tyre, i cili paraqitet si instrumenti zyrtar i dëlirësisë dhe pjellorisë në funksion dhe të mirë të shtetit dhe shoqërisë. Në të njëjtën kohë, kënaqësia e vetëpërmbajtur e këtyre imazheve u jep atyre autoritet përtej rolit të diktuar të tyre sepse ato na kujtojnë se duke ushtruar zgjedhje individuale në mënyrën se si përdoret trupi i tyre, një grua mund të ushtrojë fuqi të konsiderueshme[14].”
Në faqe: Në qendër vlera nominale shqip, italisht.
Në shpinë: Në qendër vlera nominale shqip, italisht dhe majtas figura e një gruaje të kolme mbi kashtë, me gjirin e djathtë të zbuluar, duke mbajtur kallinj gruri në dorën e majtë dhe një drapër në tjetrën. Në filigramë pasqyrohet portreti I Vittorio Emanuele III. Kjo kartëmonedhë u hodh në qarkullim në maj të vitit 1940.
Pamje të kompozimit të kartëmonedhës me vlerë 500 lireta, sipas modelit të së cilës u kompozua edhe kartëmonedha me vlerë 100 franga[15].
200 Lekë “500-vjetori i statujës së Davidit”, viti 2001, pa kurs ligjor
Në faqe: Në qendër vlera emërore “100 lekë”
Autori: Namik Prizreni
Vendi i prodhimit: Monnaie de Paris, Francë.
Seria e monedhave me tematikë “500-vjetori i Statujës së Davidit”, emetuar në vitin 2001, përbëjnë monedhat e fundit të emetuara nga Banka e Shqipërisë, ku pasqyrohen nudo mashkullore. Në qendër të monedhave qëndron figura biblike e Davidit. Në monedhën me vlerë 200 lekë, ai pasqyrohet krejt i zhveshur, me profilin djathtas, ku evidentohen format trupore atletike, duke theksuar muskujt për të përcjellë mesazhin e figurës heroike të pamposhtur dhe gjithmonë triumfues.
Ndërsa në atë me vlerë 100 lekë, paraqitet vetëm busti i tij zhveshur muskuloz.
100 Lekë “500-vjetori i statujës së Davidit”, viti 2001, pa kurs ligjor
Në faqe: Në qendër busti i statujës së Davidit të Mikelanxhelos dhe vlera “100 Lekë”.
Në shpinë: Në qendër të monedhës ka “Harkun e Triumfit të Loretos”.
“Davidi” i Mikelanxhelos, përbën një nga kryeveprat botërore të nudos. Skulptura e tij përfaqëson aktin heroik, veprën më përfaqësuese të rivendosjes së një trajte të re të gjinisë së nudos, një nga veprat më simbolike ku “Rilindja europiane për vendosjen përsëri në qendër të vemendjes të Njeriut si masa e gjithçkaje, arriti të ngrejë mjaft statusin e Trupit duke i shtuar interesin shkencor për mënyrën si është ndërtuar dhe funksionon[16]”.
Autori i mirënjohur, E.H. Gombrich, në librin e tij të mrekullueshëm “Historia e artit” shkruan se: “Nudot mahnitëse dëshmojnë mjeshtërinë e Michelangelo-s në vizatimin e shtatit të njeriut nga çdo pozicion e nga çdo pikëshikimi. Ata janë atletë të rinj me muskuj të mrekullueshëm, që rrotullohen e kthehen në çfardo drejtimi, por që gjithmonë mbeten të hijshëm[17]”.
Dhe nuk do t’i hiqja asnjë presje.
Bibliografia
“Artists; Their lives and works”. DK. Penguin Random House. 2017.
E.H. Gombrich.” Historia e Artit”, Botimi i 16-te. 1996.
Historia e Bankës Qendrore në Shqipëri”, Botim i Bankës së Shqipërisë, Tiranë, 2003
- Gavello, C. Bugani. “Gicante 2014, Catalogo Nazionale della Cartamoneta Italiana”, Gigante, 2014.
“Fleshing out the history of nudity on US money”. May 2015 by LCC Writing Team | Coins & Paper Money “https://blog.littletoncoin.com/fleshing-out-the-history-of-nudity-on-us-money/.
Hoxha, Ermir. “Historia e Artit Shqiptar”, 1858-2000, Tiranë, 2019
Galeria Kombëtare e Arteve. “Post Eva 2000, Ekspozitë retrospektive e nudos shqiptare”, Tiranë, 2000.
Hewitt, Virginia. “Beauty and the Banknote, Images of Women on Paper Money”, British Museum Press, Great Britain, 1994.
Il Giornale della numismatica. “Giovanni Capranesi, il pittore delle banconote”. 2014. http://www.cartamonetaitaliana.com/images/IMGarticoli/pittore_capranesi/Il%20pittore%20delle%20banconote%20-%20Giovanni%20Capranesi.pdf
“Katalog i koleksionit numizmatik për shitje”. Departamenti i Kërkimeve. 2021
https://www.bankofalbania.org/Botime/Botimet_sipas_viteve/Katalog_i_koleksionit_numizmatik_per_shitje.html
Le banconote delle occupazioni militari italiane e straniere”. Il giornale della numizmatica. 10 tetor 2018. http://www.ilgiornaledellanumismatica.it/banconote-italia-occupata-occupazioni/
“MICHELANGELO’S STUDIES AND SKETCHES: NUDES AND MEN’S MALICIOUSNESS”. August 2015. https://www.italianways.com/michelangelos-studies-and-sketches-nudes-and-mens-maliciousness/
Museo della Zecca di Roma. “Albania, il ritorno all’antico”. https://www.museozecca.ipzs.it/esposizione/dettaglio.html?vetrina=15
Myth and Coinage, Representations, Symbolisms and Interpretations from the Greek Mythology”, Ministry Culture and Toursim, National Archeological Museum-Numismatic Museum, 2011.
“The Nude in Western Art and Its Beginnings in Antiquity”. Met Museum. Jean Sorabella, January 2008.https://www.metmuseum.org/toah/hd/nuan/hd_nuan.htm
“Numizmatika’. Banka e Shqipërisë.
https://www.bankofalbania.org/Paraja/Numizmatika/
Servi, Katerina. “Greek Mythology, Gods & Heroes – the Trojan War- the Odyssey. Ektodike Atheon. 1996
“Venus of Willendorf”. Fjalori enciklopedik “Britannica”. https://www.britannica.com/topic/Venus-of-Willendorf
“The history of coinage”, Hellenic Ministry of Culture and Tourism – Numismatic Museum, 2010.
Zhulali, Elsa. “Gruaja në monedhën kombëtare”. Tiranë. 2021
————-
Ky artikull është pjesë e librit, që do të hidhet shumë shpejt në treg me titull “Kur nudot flasin” me autore Elsa Zhulali. Libri pasqyron rrugëtimin e figurave të nudove femërore dhe mashkullore (kryesisht femërore), të pasqyruara në pikturat, skulpturat, monedhat, kartëmonedhat dhe pullat shqiptare, nga periudha e pavarësisë deri në ditët e sotme.
Referenca
[1] Galeria Kombëtare e Arteve. “Post Eva 2000, Ekspozitë retrospektive e nudos shqiptare”, Tiranë, 2000. fq.5.
[2] “Fleshing out the history of nudity on US money”. May 2015 by LCC Writing Team | Coins & Paper Money “https://blog.littletoncoin.com/fleshing-out-the-history-of-nudity-on-us-money/
[3] Po aty.
[4] Galeria Kombëtare e Arteve. “Post Eva 2000, Ekspozitë retrospektive e nudos shqiptare”, Tiranë, 2000. fq.5.
[5] “The Nude in Western Art and Its Beginnings in Antiquity”. Met Museum. Jean Sorabella, January 2008.https://www.metmuseum.org/toah/hd/nuan/hd_nuan.htm
[6] Museo della Zecca di Roma. “Albania, il ritorno all’antico”. https://www.museozecca. ipzs.it/esposizione/dettaglio.html?vetrina=15
[7] Galeria Kombëtare e Arteve. “Post Eva 2000, Ekspozitë retrospektive e nudos shqiptare”, Tiranë, 2000. fq.13.
[8] Hoxha, Ermir. “Historia e Artit Shqiptar”, 1858-2000, Tiranë, 2019. fq.53
[9] Galeria Kombëtare e Arteve. “Post Eva 2000, Ekspozitë retrospektive e nudos shqiptare”, Tiranë, 2000. fq.5.
[10] Po aty.
[11] F. Gavello, C. Bugani. “Gicante 2014, Catalogo Nazionale della Cartamoneta Italiana”, Gigante, 2014.
[12] “Le banconote delle occupazioni militari italiane e straniere”. Il giornale della numizmatica. 10 tetor 2018. http://www.ilgiornaledellanumismatica.it/banconote-italia-occupata-occupazioni/
[13] Hoxha, Ermir. “Historia e Artit Shqiptar”, 1858-2000, Tiranë, 2019, fq.91.
[14] Hewitt, Virginia. “Beauty and the Banknote, Images of Women on Paper Money”, British Museum Press, Great Britain, 1994, fq.53
[15] Il Giornale della numismatica. “Giovanni Capranesi, il pittore delle banconote”. 2014. http://www.cartamonetaitaliana.com/images/IMGarticoli/pittore_capranesi/Il%20pittore%20delle%20banconote%20-%20Giovanni%20Capranesi.pdf
[16] Galeria Kombëtare e Arteve. “Post Eva 2000, Ekspozitë retrospektive e nudos shqiptare”, Tiranë, 2000. fq.13.
[17] E.H. Gombrich.” Historia e Artit”, Botimi i 16-te. 1996. fq. 310