Albspirit

Media/News/Publishing

Bexhet Çobani: Kalaja e Libohovës

Kalaja e Libohovës ndodhet mbi një kodër shkëmbore, mbi qendrën e qytetit të Libohovës. Njihet ndryshe si kalaja e Shanishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës. Eshte bërë dhuratë për dasmën e motrës së tij, Shanishasë e cila u martua me Ali Pashë Libohovën.
Kështjella e Libohovës, shërbente si rezidencë e familjes Libohova; drejtkëndëshe në plan ajo mbrohet nga 3 kulla poligonale në tri nga këndet dhe nga një bastion në formë të çrregullt gjeometrik në këndin tjetër, si edhe tre hyrje, nga të cilat, dy prej tyre pozicionohen në anën veriore dhe tjetra në lindje.
Format e mprehta dhe kërcënuese të bastionit në pjesën më të dukshme të kështjellës, punimi i përsosur me gurë të latuar, kornizat dhe format trungkonike të theksuara të kullave, fshehin në të vërtetë dobësinë e mureve të holla të saj. Ideja e madhështisë dhe e pushtetit kanë mbizotëruar në ndërtimin e kësaj kështjelle.
Kalaja e Libohovës është një monument i trashëgimisë kulturore në Libohovë
Kalaja ka një pozicion dominues që kontrollon rrethinat e qytetit, si dhe gjithë luginën e Dropullit, malet dhe fushat që shtrihen në Jug dhe Perëndim, përcakton rolin strategjik të kësaj kalaje që janë si kontrolli i linjave të komunikimit ashtu edhe sigurimi i lëvizshmërisë së banorëve në rrugën që vinte nga Janina për në Gjirokastër.
Kalaja e Libohovës ka një plan pothuajse drejtkëndor, me një kullë në secilin kënd të saj si edhe tre hyrje, nga të cilat, dy prej tyre pozicionohen në anën veriore dhe tjetra në lindje.
Kalaja ka formë planimetrike drejtkëndore me permasa 70 m i gjatë dhe 50 m i gjerë. Kalaja ka katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet dhe murin që rrethon një sipërfaqe të gjerë, që është një fortesë me përmasa të konsiderueshme.
Zona ku shtrihet qyteti ndahet nga disa përrenj në zona të veçanta shkëmbore në të cilat burojnë ujërat të ftohta të burimeve të Zhepës, Lozes etj.
Brenda fortesës janë të mbrojtura edhe sot rrënojat dhe një pjesë e muraturës së kështjellës si edhe një pjesë e një strukture tjetër të banimit, të tilla si struktura të ndërthurura mbrojtëse me një organizim të sofistikuar jetese.
Kalaja e Libohovës u ndërtua në vitet 1796 – 1798, sipas një gojëdhene thuhet që guri është transportuar nga Mali i gjerë dhe njerëzit janë vendosur në radhë, duke ia dhënë njeri-tjetrit, vargu i njerëzve ishte nga mademet e Dropullit e deri në Libohovë.
Kalaja është ndërtuar mbi rrënojat e një fortifikimi të vjetër, ku nuk e dimë saktësisht periudhën e saj. Egzistenca e varreve pagane tregon qartë ku Libohova ka qenë zonë e banuar në shekullin e IV para erës së re.
Kalaja konservon tiparet e ndërtimit të kësaj periudhe. Ekzistojnë ende foto (piktura) të pallatit ku jetonte Shanishaja, edhe sot ka mure egzstues të pallatit. Nga gojedhënat e të moshuarve në Libohovë më kanë thënë se qiresteja (lënda e drurit është marrë në vitin 1957 për ndërtimin e spitalit kurativ të Glinës). Shpresoj se ndonjë prej banoreve të vjetër të Libohovës të ketë ndonjë foto të sarajeve të viteve 1950.
Sipas kujtimeve të Ajet Bej Libohovës në librin “Breznitë Libohova” ai përshkruan:

“Selman beu u vendos në një shtëpi që kishin te bostani i Libohovës, shtëpia ishte mesatare, por provizore. Më vonë u ndërtua në Libohovë, në lagjen ku në atë kohë jetonin të krishterët, një kështjellë me plot kuptimin e fjalës. Më parë u ndërtuan muret e rrethimit të oborrit me gurë të prerë, me katër kullat në katër qoshet, me tabje dhe frengji. Duke qenë se në Libohovë nuk kishte gurë të përshtatshëm për këtë punë, u prunë nga ana e malit përballë Libohovës, përtej fushës (Mali i Gjerë). Transporti ishte i vështirë. Atëhere u krijua një varg i gjatë me njerëz nga fshatrat përreth dhe këta, duke qenë rresht njeri pranë tjetrit, dorë më dorë transportonin gurët e kalasë. Në anën që shikonte nga veriu u ndërtua saraji që mbulonte për së gjati gjith oborin dhe kishte një kullë në mes me katër dhoma kryesore (bash-oda). Ndërtesa kishte 60 dhoma. Kishte kudo kishte ujë të rrjedhshëm, burgje e saranxha vërtet madhështore. Kullat ishin të mbrojtura me topa, me frëngji dhe me ulluk për t’u derdhur vaj të nxehtë. Sallat e mesme (divanet) ishin në çdo kat 50 metra të gjatë. Tavanet ishin të punuar me daltë, të lyera me varak ari e me sedef, të gjitha me dru arre. Ishte me të vërtet një model për arkitekturën shqiptare të shekullit të XVIII. Jashtë kështjellës që përmbante pjesën e banesës (harremi) përmbi një tjetër oborr të rrethuar, gjendej selamllëku, që ishte një kopje e harremit, por pak më e vogël. Rreth këtij oborri të dytë ishin dhomat për rojet, stallat, magazinat dhe ndërtesa të tjera për shërbimet e sarajit. I kam arritur vetë, në kohën e gjyshit Maliq Pashai ku banonim në këtë pallat afro 2000 njerëz, pjesëtarë të familjes dhe shërbëtorë. Për mirëmbajtjen e këtij saraji, stërgjyshi im kishte bërë vakëf gjithë të ardhurat e pazarit të Libohovës, që ishte një pasuri e tyre, e që jepte afro 500 napolona në vit.

Me reformat e Tanzimatit filloi rënia e ekonomisë dhe një dekadencë.

Dhomat e pallatit të Libohovës ishin shtruar me kadife të Venedikut (fabricia di Seta Fratelli Bartoli- Venezia) nga ajo më e vlefshmja. Gjyshja ime i zëvendësoi me basma moderne.

Islam Bej Klisura dhe Adem Bej Asllan-Pashalli Libohova kishin armë dhe takëme buke prej argjendi. U thirr një argjendar nga Përmeti dhe u shkinë dhe u shitën për argjend vepra të ralla të vlefshme.

Mjerisht mbas vdekjes së Maliq Pashës, djemtë u shpërndanë. Riza Beu, djali i dytë qëndroi në kështjellën familjare, por nuk u kujdesua as për mirëmbajtjen e sarajeve dhe as për atë të pazarit që siguronte të ardhurat e nevojshme për këtë qëllim.

Me kalimin e kohës, me ndryshimin e mendimeve dhe kushteve, kështjella filloi të degradohej. Banorët prenë për t’u ngrohur arat shekullore që gjendeshin në kopsht, tavanet e gdhendura dhe qirestenë. Gjatë luftës ballkanike djemtë e Riza Beut, ikën dhe e lanë shtëpinë atërore nga frika e grabitësve të qeverisë Vorio Epiriote e cila sundonte në vitet 1913-1915 dhe u vendosën në Tiranë dhe Fier ku kishin pronat. Koha, grabitjet e plaçkitjet e rrënuan dhe e sheshuan këto vepra monumentale me vlera të papërsëritshme”.

Përgatiti: Ing. Bexhet Çobani.

Please follow and like us: