Albspirit

Media/News/Publishing

Sokol Paja: Mesazh promocional me vdekjen

Makineria e propagandës qeveritare nxori për konsumim masiv në publik “një film me metrazh të shkurtër”: Përpëlitjet me vdekjen e pacientëve të pa vaksinuar në Spitalet Covid në Tiranë. Një shfaqje mediatike e shëmtuar deri në neveri, kundër dinjitetit njerëzor, kundër lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kundër parimeve etike të medias, kundër parimeve të punës, sakrificave e përpjekjeve që bëhen çdo ditë në luftën ndaj së keqes. Frikësimi me anë të medias, është akt dobësie i qeverisë dhe strukturave menaxheriale qeveritare. Pamjet janë totalisht të papranueshme dhe të dënueshme. Kur qeveria dorëzohet, atëherë fillon dhe shpërndan panik, frikë, tmerr, paskamë e dramë. Përdorimi i vuajtjeve të pacientëve me Covid për spektakël shtetëror dhe për të frikësuar popullsinë është i turpshëm, një gjetje kaq e shëmtuar sa më s’ka. Spektaklet me format serviren për konsumim në publik atëherë kur s’ka më përmbajtje për të ofruar para publikut.
Propaganda me produkte të gatshme për konsumim masiv dhe ndërtimi i një infrastrukture meditatike propagandistike që vihet në funksion të zbatimit të propagandës qeveritare është tipar themelor i funksionimit të diktaturave: një regji qëndrore që prodhon e shpërndan, dhjetëra apo qindra aktorë e faktorë që përsërisin të njëjtin mesazh të fabrikuar, orkestruar dhe shpërndarë nga agjit-propi qeveritar.
Përpara se qeveria të përdorë shëndetësinë e spitalet në Shqipëri për spektakle propagandistike duhet si fillim të reformojë sistemit shëndetësor në Shqipëri, t’u ufrojë kushte pune, teknologji, mjete mbështetëse dhe stafe të kualifikuara e paga dinjitoze mjekëve në Shqipëri.
Qeveria ka një detyrë si emergjencë kombëtare: Të ndalë ikjen e mjekëve dhe intelektualëve nga Shqipëria.
Përpara se të “shpëtojë” njerëzit nga vdekja me anë të propagandës qeveritare, qeveria duhet të shpëtojë Shqipërinë nga një tjetër vdekje e tmerrshme: shpopullimi masiv i Shqipërisë.
Qeveria duhet të ketë një plan konkret kombëtar për qeverisje të mirë, për rritje të mirëqenies, rritje të sigurisë publike e kombëtare, zhvillim të ekonomisë e tregut të lirë, kthimin e Shqipërisë në një atraksion për vendasit dhe të huajt.
Ndalimi i shpopullimit të vendit duhet të jetë kryefjalë e qeverisë, medias e shoqërisë civile në Shqipëri. Çdo spot publicitar qoftë dhe qeveritar që promovon Shqipërinë e bukur, të lulëzuar, të zhvilluar e të begatë, do ishte i mirëpritur ashtu siç nuk është aspak i mirëpritur spoti i fundit propagandistik qeveritar: “Përpëlitjet me vdekjen në Spitalet Covid”.
Qeveria duhet të jetë dinjitoze në qeverisje dhe të ketë në parim kthimin e dinjitetit Shqipërisë e shqiptarëve me shërbime, zhvillim, politika afatgjata kombëtare, transparencë, gatishmëri, reforma dhe demokraci./gazeta dielli
Please follow and like us: