Albspirit

Media/News/Publishing

Tiranë: Studiuesi i fotografisë shqiptare, Qerim Vrioni, me një botim të ri

 

Në Tiranë, studiuesi i njohur i fotografisë shqiptare, Qerim Vrioni, sapo ka botuar një album me foto portrete të autorëve të njohur të kulturës shqiptare.

Zoti Vrioni është i njohur për një seri botimesh me studime mbi historinë e fotografisë shqiptare dhe mbi krijimtarinë e autorëve më të shquar të kësaj fushe.

Libri më i ri i studiuesit Qerim Vrioni titullohet “Miq në 50 foto”, megjithtë ata nuk janë thjesht miq të autorit, por disa nga personalitetet e arteve dhe kulturës shqiptare, me të cilët ai takohej shpesh dhe bisedonte gjatë.

Ata janë fotografuar në hapësirat e zakonshme të jetës dhe punës së tyre, sipas stilit të fotos mjedisore, shoqëruar me pak jetëshkrim dhe me mbresat e autorit.

“Libri hapet me një foto portret të profesor Ramadan Sokolit, studiues i muzikologjisë. Është foto nga një ditë ku ai flet, hesht edhe mendohet, dhe është një nga fotot që më pëlqen më shumë. Në një tjetër foto portret është piktorja Lume Blloshmi në një ditë që po përcillnim studiuesin Gëzim Qendro për në banesën e fundit. Uran Kostreci është në një foto tjetër duke pirë cigare i zhytur në mendime. Po ashtu Ali Podrimja dhe Pano Taçi. Janë foto që nuk mund të bëhen më” – thotë autori Vrioni.

Në foto-portretet mjedisore shihen Kasëm Trebeshina e Gjergj Vlashi dhe një seri artistësh të njohur në çastet e tyre të sinqerta, duke qeshur apo duke menduar, duke shkruar apo pikturuar, pa pozime të ngrira artificiale.

Fotot janë shkrepur kohë pas kohe në shumë vite pa qëllimin se dikur mund të përbënin një album për t’u botuar, por tani janë bërë vërtet shumë dhe mund të ndahen në disa vëllime.

“Natyrisht që kam shumë herë më tepër se sa 50 foto dhe mund të bëhet edhe një vëllim i dytë me portrete. Fotot nuk janë bërë me qëllimin për të bërë sa më shpejt një libër. Ato janë shkrepur rastësisht në kohë të lira pushimi dhe janë shumë pranë natyrës së personave miqësorë të përzgjedhur. Janë foto mjedisore, në studiot e punës së krijuesve dhe në mjedise meditimesh artistike” – thotë autori Vrioni.

Kjo është hera e parë që Qerim Vrioni publikon në një album krijimtarinë e tij shumëvjeçare, sepse me modestinë e tij dhe me punën këmbëngulëse i është përkushtuar zbulimit dhe studimit të autorëve të shquar nga historia e fotografisë shqiptare.

Ai ka botuar më herët librat me studime “Fotografia një grusht diell”, “150 vjet fotografi shqiptare”, “Fjalor i Fotografisë”, si dhe “Pikëllim në një foto të vjetër”, kushtuar artistit Kol Maca. Vrioni thotë se, ashtu si Kol Maca, historia e fotografisë shqiptare ka shumë autorë ende të panjohur, që iu hiqej emri nga veprat për shumë arsye në periudha të ndryshme historike.

“Një shembull i veçantë është Thimi Raçi, një fotograf fshati në Dardhë. Tani termi “fotograf fshati” tingëllon në mënyrë të çuditshme, por atëherë ishte një ngjarje e rëndësishme. Se kur kishte Dardha fotograf, kishte qytete të mëdha që nuk kishin fotograf. Atje nisi Papa Jani Zengo punën e fotografit, e vazhdoi Pero Kaçauni, i cili iku në SHBA më 1910, dhe ia la Thimi Raçit, i cili kishte një studio” – theksoi studiuesi Vrioni.

Tani Qerim Vrioni ka nisur punën për një libër të ri me studime për disa nga perlat apo ikonat e fotografisë shqiptare, siç i quan ai, një përzgjedhje me jo më shumë 12 foto të autorëve dhe fotove më të bukura nga historia e fotografisë shqiptare.

Një prej studimeve mbi fotot ikona Vrioni veçon foton e Ismail Qemalit me flamur kombëtar mbi ballkon në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Po ashtu në koleksionin e përzgjedhur është edhe fotoja dorëzimi i armëve. Po ashtu është një foto pejzazh nga Ilia Xhimitiku si dhe autorë të tjerë.

“Një tjetër fotograf i rëndësishëm është Stefan Kaçulini i Durrësit. Ai ka disa foto shumë të bukura, midis edhe një varka që kthehet në port. Atë foto ia dha mendja, syri dhe shpirti i artistit që ta bënte atë foto. Zakonisht fotografët e siguronin jetesën me foto portrete, por Stefani ka fotografuar shumë natyrën dhe pamjet e Durrësit. Mendoj ta përfshij edhe atë si autor tek libri i ri. Po ashtu shumë interasant është është edhe Filip Vito i Gjirokastrës, i cili ka shumë foto dokumentare” – thotë studiuesi Vrioni.

Qerim Vrioni është një nga studiuesit më të rëndësishëm të arteve figurative shqiptare.

Ai shquhet për kërkimin e gjatë dhe të detajuar në arkiva shtetërore e private, në biblioteka dhe koleksione shtypi e librash brenda e jashtë Shqipërisë, ku zbulon herë pas here autorë dhe vepra të panjohura të fotografisë shqiptare.

Si rrallë autorë të tjerë, Vrioni bashkon në një zbulimin fizik të fotografisë, historinë e krijimit të saj, shtjellimin e ngjarjes apo heroit që ajo përmban si dhe jetëshkrimin e autorit të veprës.

Kjo e bën atë një studiues të veçantë, botimet e të cilit priten me mjaft interes në qarqet kulturore shqiptare./Zeri i Amerikes

 

https://www.zeriamerikes.com/a/tiran%C3%AB-nj%C3%AB-botim-i-ri-i-studiuesit-t%C3%AB-fotografis%C3%AB-shqiptare-qerim-vrioni/6340319.html

Please follow and like us: