Vdes ish-senatori amerikan Bob Dole
Ish-senatori republikan, Bob Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq të dielën në moshën 98-vjeçare.
Gruaja e tij, Elizabeth Dole, e postoi njoftimin të dielën në Twitter, duke theksuar se ai vdiq në gjumë. Ai i ka shërbyer Amerikës për 79 vjet me radhë”, shkroi ajo.
Në muajin shkurt të këtij viti, ish senatori Dole, bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në mushkri.
Gjatë karrierës së tij 36-vjeçare në Capitol Hill, ish senatori republikan, Bob Dole u bë një nga ligjvënësit dhe udhëheqësit më me ndikim në Senat.
Ai u përpoq tre herë të bëhej president. E fundit ishte në vitin 1996, kur ai ishte kandidat republikan dhe humbi në garë me ish presidentin Bill Clinton. Ai kërkoi nominimin presidencial të partisë së tij në vitin 1980 dhe në vitin 1988, ndërsa ishte kandidat për zëvendëspresident në vitin 1976 bashkë me ish presidentin Gerald Ford. Ai ka qenë një ndër mbështetësit e fortë të cështjeve shqiptare, siç është lufta për pavarësinë e Kosovës.