Albspirit

Media/News/Publishing

Escobar: Maqedonia e Veriut e ka vendin në BE

Shkup, 6 dhjetor 2021 – Diplomati amerikan gjithashtu theksoi rëndësinë dhe ndihmën që mund të japë Maqedonia e Veriut në përballje me sfidat që mund të ketë jo vetëm Ballkani, por edhe Evropa si të tërësi.

“Ne folëm edhe për lidershipin e Maqedonisë së Veriut në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe në NATO, që të na ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve që e sfidojnë aleancën edhe në Ballkan, por edhe në Evropën si tërësi, dhe po kërkojmë mënyra se si ta thellojmë këtë bashkëpunim, që tashmë është mbresëlënës”, tha Escobar.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi se SHBA-ja është partnere strategjike e Shkupit, aleate e afërt në NATO dhe mbështetëse e fuqishme që prej se Maqedonia e Veriut ka shpallur pavarësinë.

“Maqedonia e Veriut mbetet aleate e besueshëm e SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi falënderues për gjithçka që kanë bërë dhe jemi të bindur se ky mesazh është kuptuar dhe pranuar mirë nga gjitha shtetet e Bashkimit Evropian. Nuk ka asnjë dyshim se perspektiva e Ballkanit Perëndimor është investimi më i sigurt në stabilitetin e rajonit. Tani është momenti që BE-ja t’i fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

Osmani tha se më 14 dhjetor do të mbahet Samiti i BE-së, por sipas tij kjo nuk do të thotë se është shansi i fundit në dhjetor që Shkupi të nisë bisedimet.

“Edhe pas 14 dhjetorit, në cilën do qoftë ditë, deri në fund të vitit, Sllovenia si kryesuese me BE-në, mund të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të mbledhjes të ministrave të Evropës, nëse merr informata nga Bullgaria se janë të gatshme të pranojnë kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut. Pra, i gjithë muaji dhjetor është mundësi për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Por, kjo mund të ndodhë edhe më vonë”, tha Osmani.

Paraprakisht, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar është pritur nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski.

Pendarovski në këtë takim ka theksuar “rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e qëllimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot”.

“Pendarovski rikonfirmoi pritjet për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim me BE-në, duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi administratën amerikane dhe personalisht zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit, Escobar, për mbështetjen e tyre në adresimin e nevojës për përparim rajonal drejt BE-së”, thuhet në një komunikatë të zyrës së presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut ende nuk ka nisur negociatat për anëtarësim në BE, pasi këtë proces e ka bllokuar Bullgaria.

Sofja në nëntor të vitit 2020, vendosi veto për nisjen e bisedimeve midis Shkupit dhe Brukselit, duke thënë se bllokada do të mbetej në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për identitetin dhe gjuhën maqedonase, por edhe lidhur me mosmarrëveshjet rreth të kaluarës historike mes dy shteteve.

(REL)

Please follow and like us: