Albspirit

Media/News/Publishing

Hungarezët blejnë degën Alpha Bank në Shqipëri

Është konfirmuar transaksioni i shitjes së degës së bankës greke Alpha bank në Tiranë te hungarezët e OTP-së.

Alpha Bank (ACBr.AT), një nga katër bankat më të mëdha të Greqisë, ka rënë dakord të shesë njësinë e saj shqiptare te OTP Bank e Hungarisë (OTPB.BU), tha banka të hënën, shkruan Reuters.

OTP Bank do të paguajë 55 milionë euro (62.05 milionë dollarë) për të blerë 100% të aseteve, tha Alpha Bank.

Sipas Reuters, Bankat greke kanë punuar për të reduktuar stokun e kredive të këqija që arrinte në rreth 30 miliardë euro, që ishin trashëgimia e një krize financiare dhjetëvjeçare e cila tkurri prodhimin e Greqisë me një të katërtën.

Marrëveshja do të krijojë një grup bankar lider në Shqipëri, i cili do të mbajë një pjesë tregu prej rreth 11% në treg sipas aktiveve shtoi Alpha Bank.
Transaksioni pritet të përfundojë në vitin 2022, e mbyll artikullin Reuters.

Sipas të dhënave të Shoqatës Shqiptare të bankave, në fund të tremujorit të tretë, OTP Albania ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri, me një total aktivesh prej 107 miliardë lekësh ose 6.2% të tregut.

Nëse do të finalizojë me sukses edhe blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut të OTP do të arrijë në 10.9% të aseteve totale të sistemit, duke iu afruar shumë Intesa Sanpaolo Bank Albania, që zotëron rreth 11.8%.

Shitja me sukses e Alpha Bank njëkohësisht do të sillte një konsolidim të mëtejshëm të sektorit bankar në vend, me uljen e numrit të përgjithshëm të bankave në 11, nga 12 që janë aktualisht./ Monitor

Please follow and like us: