Albspirit

Media/News/Publishing

Strucë në kupolën e Partisë Demokratike

Eden Babani, Bruksel

Institucioni i Foltores, ky revolucion paqësor, siç e ka quajtur iniciuesi i saj, Prof. Dr. Sali Berisha, përveç aktivizimit masiv të bazës së PD-së, ka bërë të shfaqen nëpër ekrane televizive dhe në rrjete sociale një takëm politikanësh demokratë “as berishistë”, “as bashistë”.  Deri para do kohe, ata e kishin fshehur kokën diku, si struci, sado që bishti u dukej që atje tej.

Pse bash këto ditë janë gjallëruar të tillët?

Nuk e them dot saktësisht ç’i shtyu të bënin strucin duke iu shmangur përgjegjësive si politikanë të zgjedhur në Parlament ose në instanca e forume të tjera me votat e anëtarëve të PD-së dhe çfarë po i shtyn sot të shpallen asnjanës. Por, në kontekstin e krizës politike aktuale në PD dhe në kushtet kur baza e PD-së është shprehur thuajse tërësisht përkrah liderit historik, merret me mend se tashmë pozicioni i strucit nuk është më edhe aq komod.

Të njëjtën gjë, do të thosha edhe për ca artikullshkrues, analistë dhe opinionistë, me demek të paanshëm. Të dyja palët ngjajnë si dy gjysma të së njëjtës mollë.

Kam bindjen se ky takëm, domethënë takëmi “as kështu, as ashtu” janë më të rrezikshëm nga ata që u ngutën të shpalleshin kundër Dr. Berishës menjëherë pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar.

Shpesh e kam pyetur veten për këtë takëm antiberishistësh të dy-tre muajve përpara: Ç’të ketë ndodhur?

Shkelje syri nga lideri aktual i PD-së për karrige në kuadër të bashkëpunimit me kryeministrin e narkoshtetit? Mllefe të kahershme ndaj Doktorit? Apo cytje të tjera të padukshme, nën efektin e avujve të rakisë së Përmetit?

Sipas meje, saç janë të gjitha bashkë, janë edhe njëra veç e veç.

Shumë nga mllefqarët dhe nga të cyturit që u yshtën me shkelje syri për motive të panjohura, kanë heshtur tashmë. Të tjerët do të vegjetojnë edhe 4-5 ditë, deri më 11 dhjetor, që të përfundojnë në kosh të plehrave, si limonë të shtrydhur.

* * *

Gjatë një interviste të këtyre ditëve në një prej programet televizive më të shikuara të mbrëmjes, njëri nga ata politikanë të PD-së që unë po i quaj pa mëdyshje strucë, tha pak a shumë se kishte vendosur të mos shkonte në asnjë prej të dy kuvendeve, pasi nuk mund të reagonte ndaj Berishës, “një figurë e madhe për demokratët, figurë serioze”, dhe sepse ai (Berisha, EB) “ka problemet e tij politike dhe la një parti me probleme”.

Kështu e justifikoi pozicionin me demek asnjanës politikani ynë fluid, çka do të nënkuptoja materie që kalon nga gjendja e lëngshme, në të gaztë ose anasjelltas. Thënë fare-fare shqip, qenie pa shtyllë kurrizore.

Është për të ardhur keq kur të tillë politikanë shakllabanë vijnë nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, të cilët, në vend që të na përrallisin e të na shesin dëngla, do t’i bënin nder vetes të kritikonin zotin Basha, i cili tre-katër muaj përpara komandoi zonjën Jonila Godole në postin e sekretares për të përndjekurit politikë.

Personalisht, me aq sa kam lexuar për zonjën Godole, e vlerësoj për nivelin e saj  joshës shkencor e kulturor, por nuk di çfarë e lidh me ish-të përndjekurit nga diktatura komuniste? Di që zonja bëri një deklaratë të çuditshme në fund të gushtit 2021, pa i shkelur këmba mirë në Kryesi: “PD të distancohet nga Berisha njësoj si CDU nga Kohl”. Di edhe që Nebil Çika, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, reagoi ashpër asohere për rastin në fjalë.

“Në pozitën e kryetarit zgjedhur të ish-të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë, – ka deklaruar zoti Çika më 31 gusht të këtij viti, – dje dhe sot, kam marrë qindra mesazhe e telefonata nga të përndjekur politikë antikomunistë për sa i përket emërimit nga z.Basha të znj. Jonila Godole sekretare për të përndjekurit politikë në PD… Më duhet të sqaroj të përndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë dhe opinionin publik, se ky zhvillim në PD nuk ka asnjë lidhje me ne”.

* * *

Në të vërtetë, shumë politikanë të tillë as mish as peshk, janë afruar në PD falë synimit të zotit Berisha për të tërhequr të rinj me studime e tituj shkencorë brenda e jashtë vendit. Mjafton të sjell si shembull afrimin e zotit Basha. Të tjerët janë shumë më të vegjël.

Lloji i i politikanëve të tillë shakllabanë, të cilët pandehin se vetëm origjina familjare u jep të drejtën të kërkojnë votën e elektoratit demokrat, pa kurrfarë kontributi në PD, për fat të keq, sa po vjen e po shtohet. Jo vetëm, por edhe po na e thith si rriqër   gjakun tonë të pastër demokrat.

Sot zoti Berisha është penduar për heshtjen e tij ndaj do shfaqjeve të tilla të papranueshme në kupolën e PD-së, pasi vendosi të tërhiqej nga politika aktive, me humbjen e zgjedhjeve të 2013-s, sikundër e ka pranuar nga Foltorja, në Foltore. Për mendimin tim, pendimi i Doktorit është në formatin e një personaliteti politik me karakter të fortë, në formatin e një lideri.

A mund të ngrihen në nivelin e një lideri tipa që i ngjajnë strucit? Kurrsesi. Sepse lideri lind, nuk promovohet. Doktor Berisha ka lindur lider. Nuk e ka promovuar dhe nuk do ta promovojë kush në këtë botë, përveç Kuvendit të 11 dhjetorit.

 

Please follow and like us: