Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Dashuria ndjehet në ajër…

“Grimca dashurie në dhjetor” 🎅
Kalendari shënon ditët e para të dhjetorit dhe të gjitha gëzimet e këtij muaji ndjehen në ajër.
“Grimca dashurie në dhjetor”, sepse vërtet ky muaj është i mbështjellë nga dashuria, si pakot e dhuratave poshtë pemës, premtuese të dashurisë edhe ky muaj premton, është ftues në magjinë e tij.
Më pëlqen të shoh pluhurin e dëborës në tokë ose ta vështroj atë teksa i vishet pemëve. Më pëlqen të qëndroj jashtë gjatë natës dhe të shikoj qiellin kur bien flokë dëbore.
Edhe veshjet dimërore janë të ngrohta dhe të ëmbla, triko, çizme, kapele, shalle batanije… Një nga arsyet përse e dua dhjetorin është mundësia për të veshur disa nga veshjet e mia të preferuara.
Pjesa e dekorimeve festive është lumturi e pastër, e parefuzueshme, magnet edhe për ne të rriturit.
Shkëlqimi i dritave, kombinimi i ngjyrave plot gëzim, panetonet me aromën e mrekullueshme, filmat me atmosferën festive, zjarri që digjet në dhomë dhe brënda në shpirt, për dashurinë, për jetën, për të bukurën…
Gjithashtu një nga kujtimet e mia të preferuara të fëmijërisë është ngjitja e figurinave të drerit në xham, slitat dhe dëbora…
Përfshihesh aq shumë në ngjyrat festive dhe bëhesh një me frymën e festave.
E dua dhjetorin sepse më bën të besoj në mrekulli, në funde të lumtura dhe në fillime të reja. Si mund të fshihet magjia e një viti nën petkun një muaji të vetëm?
Dhjetori i bardhë e ka këtë fuqi.
Ai i mbush zemrat e njerëzve, sepse lumturia është e thjeshtë, ajo fshihet nën një top dekorimi plot shkëlqim, biskotat që ne i gatuajmë në forma të ndryshme… fshihet në fakt nën një buzëqeshje, një puthje, një përqafim.
Dhjetori na mban afër, zgjon fëmijën brënda nesh, i cili beson në mënyrë të pafajshme se kjo botë është natyrshëm e bardhë.
E dua dhjetorin, dua të jem e verbër përballë tij dhe ta shijojmë së bashku këtë romancë që ndodh ta përqafojmë një herë në vit…
Ai ka mbërritur dhe dashuria ndjehet në ajër… Më kishte marrë malli…
Please follow and like us: