Kurti takohet me Von der Leyen, flet për liberalizimi të vizave
Pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti është pritur në takim nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kryeministri i ka shprehur mirënjohjen e qeverisë Von der Leyen për mbështetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë për zhvillimin e vendit.
Gjithashtu, Kurti e njoftoi për reformat e ndërmarra në drejtësi, për angazhimet e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, luftën e pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe reformat kyçe për zhvillim dhe përafrim me Bashkimin Evropian. Ai e njoftoi presidenten e Komisionit Evropian për rritjen ekonomike, rritjen e eksportit, të të hyrave tatimore dhe investimeve direkte në Kosovë.
Biseda u fokusua në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe bashkëpunimin në mes të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit./rtklive