Libër për disa të vërteta për Çamërinë
Enver Kushi
Petrit Kasemi, me këtë mbiemër e njoh unë në fundvitin 1990 dhe fillimvitet 1991, kur bashkë me emra të njohur intelektualësh çamë e jo çamë, nisëm rrugëtimin për ringritjen dhe ribërjen e Çamërisë. Ndoshta fjala “ribërje” nuk shkon, por nuk e di pse më pëlqen ta përdor krahas asaj “ringritjes”. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala ribërje, ka këto kuptime: e bëj përsëri, e përsërit, e bëj nga e para, etj.
Çamëria jonë është e bërë “para hënës dhe diellit” dhe Perëndia i dha që në fillesë, pa kursim të gjitha të mirat: edhe detin, edhe tokën e begatë, edhe gjelbërimin e përhershëm, ca aroma ose parfume që siç shkruan Elena Gjika, “vijnë nga luginat e lumenjve Akeron dhe Kalama”. Më pas në këto hapësira të begata, Perëndia hodhi farën e banorit të ardhshëm, protonjeriun e zgjuar dhe vital, punëtor, trim dhe krenar. Dhe pastaj u ndërtuan vendet e shenjta, shumë para fqinjëve të ardhshëm, helenëve të qytetëruar, siç është tempulli i Dodonës. Dhe kështu aradhë-aradhë erdhi gjuha e Perëndisë, që flisnin vashëzat dhe djelthit të bukur si ije, mitet, përrallat këngët dhe vallet levende, vitaliteti i një race të veçantë.
Brezi im, brezi i të lindurve në Shqipëri, si dhe brezi i Petrit Kasemit (Begatit), mbiemëri i rimarrë në vitin 2003, ndoshta si një thirrje e rrënjëve, e ardhur nga brigjet e lumit Kalama. Ato që shkrova më lartë, na kanë ardhur nëpërmjet rrëfimeve të gjyshërve tanë, nënave e baballarëve. Këto rrëfime, kur heshtej dhe mungonin librat për gjeografinë dhe historinë e Çamërisë, për ne ishin ringjallje dhe ribërje e një toke të shenjtë, larg shumë larg nga vendbanimet e çamëve, në Shqipërinë amë. Tashmë ai brez ka shkruar duke u mbuluar nga “Botë”, dheu i Shqipërisë. Kur e kujtoj atë brez çamësh që lanë pas qytete e fshatra dhe ca qiej të turbull me lot shirash, nuk e di pse më duken si drurë me rrënjë jashtë, apo trupa të ndarë nga shpirti. Trupi ishte matanë Qafës së Botës dhe shpirti i Çamërisë endej, nëpër Shqipëri, në pritje për t’u bashkuar me trupin.
E nisa kështu këtë parathënie modeste për librin e Petrit Begatit “Çamëria një zë që duhet dëgjuar”, sepse nëse do ta lexoni me kujdes atë, do të prekni dhe ndjeni Çamërinë edhe si lëndë, edhe si shpirt. Në këtë libër ringrihet dhe ribëhet nëpërmjet fjalës së mençur të autorit “dheu i gjenezës, mbarsur e mpleksur me mesazhin e amanetit të të parëve dhe vijueshmërisë”. Kur të mbyllësh faqen e fundit të këtij libri, ti i dashur lexues, “do të ndjesh rënkimin çam”, ose më saktë një shumësi rënkimesh si në kohët tragjike të amfiteatrove të Thesprotisë, që na vijnë që nga përtej Qafës së Botës…Do të ndjesh brengën dhe do të prekësh plagët, akoma të pambyllura të Çamërisë dhe krahas kësaj, duke e shfletuar atë nga faqja në faqe, do të ndjesh zërat e lashtësisë të Dodonës, tempullit famëmadh të qytetërimit Thesprot, apo ato që vijnë nga qytetet antike të Nikopojës, Gumanit, Kasiopesë, etj. Kudo të shoqëron drita homerike e Çamërisë.
Ai që do të lexojë me vëmendje këtë libër, do të dëgjojë zërin e autori Petrit Begati, një prej intelektualëve të përkushtuar për Çamërinë dhe çështjen e shenjtë çame. Është një zë i veçantë, i qetë e herë – herë i butë, por në të shumtën e rasteve bubullues, zemërak për Çamërinë tonë, historinë e saj, dramat, krenarinë për rrënjët e saj, bukuritë e peizazhit çam, harmoninë e çuditshme mes kësaj bukurie dhe banorit të lindur dhe rritur në ato vise, delikatesën aristokrate të gruas çame, kur kërcen vallet apo shpërthimet e befta si mes tokës dhe qiellit, të valleve burrërore çame .
Në hyrjen e librit autori shkruan: “Vendosa të mbledh si tulla të shpërndara çdo përpjekje dhe shkrime të mia të botuara dhe të pabotuara, për arsye të ndryshme dhe t’i publikoj të përmbledhura si publicistikë, si oshtimë e një zëri që kërkon të dëgjohet rënkimi dhe të vendoset drejtësia për bashkëkombësit e tij trashëgimtarë, që në dejet e tyre rrjedh e do të rrjedhë gjaku çam”. Petrit Begati ia ka arritur këtij synimi. Ky libër është zëfolës dhe amanetfolës.
Mendoj se “Çamëria një zë që duhet dëgjuar”, i kalon caqet e një libri të mirëfilltë publicistikë. Ai nuk është as libër historie dhe as libër gjeografie, gjithashtu as edhe libër në prozë apo poezi. Unë e kam të vështirë ta përcaktoj, se në çfarë lloji ta përfshi atë. Pasi e lexova me vëmendje dhe iu riktheva leximit të disa shkrimeve, mendoj se Petrit Begati, në mënyrë elegante, ndoshta pa e menduar mirë, kur ka strukturuar librin, i ka shkrirë bukur të gjitha. Pra këtu kemi edhe publicistikën, edhe historinë, gjeografinë dhe letërsinë. Këtë të fundit e kam ndjerë shpesh në vokacionin ose frymën e përgjithshme të këtij libri, ku përmes fjalive, frazave të thata, në dukje si ato të kronikave, kam prekur shpirtin letrar të autorit. Për këtë po citoj: “Ndjej në gjithë qenien time aromën e pashijuar të Çamërisë, trëndelinë e manxurane, aromën e portokalleve dhe limonave, shijen e ullirit, të kësaj peme kaq të bekuar dhe simbol i pjellorisë dhe i mirësisë së këtij vendi. Ndjej se si valët e Kalamait rrjedhin pa i parë. Ndjej aromën e fushave të begata e maleve me pyje, për të cilat më djeg malli i zhuritur të puth atë tokë, të përulem me nderim përpara varreve të brezave të gjakut tim…!”.
Do t’i sugjeroja lexuesit që, pasi të ketë mbyllur faqen e fundit të librit, t’u rikthehet dy shkrimeve: “Testamenti Çam” dhe “Ëndrra e një nate dimri: Parlamenti grek miraton Rezolutë për Çamërinë”.
I pari është testamenti i një nëne çame që të prek dhe emocionon edhe nëse do ta lexonte zonja e madhe e teatrit dhe filmit shqiptar Margarita Xhepa, do të na trondiste me forcën e fjalëve prekëse, që e përshkon këtë tekst.
Teksti i dytë i përket botës së ëndrrës, asaj bote nga ku njeriut dhe njerëzimit në të gjitha kohërat, u kanë ardhur ca mesazhe, kumte ose paralajmërime të çuditshme. Mbaj mend në fëmijërinë time, veçanërisht në atë të rinisë, ëndrrat që tregoheshin mëngjeseve, pasi pihej çaji i manxuranës ose kafeja. Në shtëpinë tonë vinim shumë mysafirë, të afërm ose jo dhe në kuzhinë, sapo pihej manxurani apo kafeja, nisnin rrëfimet e ëndrrave, që ishin parë në orët e para të pasmesnatës ose ato të mëngjesit, kur dielli akoma nuk kishte dalë. Ato nisnin me fjalët: “Prëmë (mbrëmë) ëndrra më çoi në Spatar, pastaj në Filat. Në Spatar shtëpinë e gjeta mbillur. I rashë derës dhe m’u faneps Selmani. Më hodhi duart në qafë dhe klava, klava me lot…këtu më doli gjumi…”. Çuditërisht të gjitha ëndrrat vinin nga Çamëria. Ëndrra që rrëfen Petriti është ndryshe. Ajo nuk është parë në vjeshtë apo dimër, kur ato trokasin me dalldi në trurin njerëzor, por është parë në një natë vere, atë të 27 Qershorit 2012, jo në Shqipëri, por në Vjenë.
Ju lutem lexues i këtij libri: Përpiqu ta lexosh ngadalë këtë tekst, që titullohet “Ëndrra e një nate dimri”. Mundësisht në darkë, para se të shkosh në shtrat për të fjetur. Dhe kur ta mbarosh së lexuari, kudo që të jesh: në Shqipëri, Greqi, Itali, Francë, Gjermani etj, ose përtej detrave dhe oqeaneve, Amerikë a gjetkë në kontinente të largëta, vëre nën jastëk “Ëndrrën e një nate dimri”, pastaj mbyll sytë në pritje të ardhjes së gjumit. Kur ai të vijë orë më pas, ëndrra që do të shohësh, do të çojë në kryeqytetin grek, Athinën e lashtë të qytetërimit, që i dha dritë Evropës e botës. Pastaj do të hapet një portë e madhe ku do të shohësh Parlamentin Grek dhe pastaj do të dëgjosh Kryetaren e këtij parlamenti, zonjën Elefteri. Dhe kur ajo të përfundojë fjalën e saj, do të hapen ca porta shumë, shumë të mëdha andej nga Qafa e Botës, nga ku do të shohësh mijëra e mijëra flutura shpirti dhe të gjallët, vajza e gra, djem e burra fëmijë dhe të rinj, që kalojnë matanë Qafës së Botës për Çamëri, tokën tonë të shenjtë. Unë e kam parë këtë ëndërr, natën e fundit të fundvjeshtës së dytë dhe kur më doli gjumi, ëndrra kishte shkuar. Qava me lot gëzimi. Ëndrra ime jo e një nate dimri, por e një nate vjeshte, më çoi në Çamëri, duke realizuar mijëra e mijëra ëndrra të gjallësh e të vdekurish çamë. Këtë forcë ka teksti “Ëndrra e një nate dimri”, sa real aq edhe sureal, shkruar nga Petrit Begati.
Petrit Begati, me këtë libër e përshfaq veten tribun të Çamërisë dhe Çështjes Çame. Ai në fillimvitin 1991, kur u krijua “Shoqëria Patriotike Atdhetare Çamëria”, ishte i ri, shumë më i ri se shumë nismëtarë apo intelektualë çamë. Unë e mbaj mend atë si më aktivin, më të gjallin në të gjitha takimet apo veprimtaritë. Vëllai tjetër i Petrit, skulptori i talentuar Ilmi Kasemi, gjithashtu në ato vite edhe më pas, me veprën dhe fjalën e tij, ka kontribute të mëdha për çështjen çame. Ilmi Kasemi që shkruan edhe shumë bukur, është meditativ dhe me një botë të madhe artistike, ose më saktë, shpërthimet e tij të brendshme i plazmon, nëse është e saktë kjo fjalë, në skulpturën e tij.
Petriti ishte jo vetëm anëtar i Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të Shoqërisë sonë, por edhe kryetar i degës së Tiranës. Në ato vite në krye të “Shoqërisë Patriotike Atdhetare Çamëria” ishte Abas Dojaka, profesor dhe studiues në Institutin e Kulturës Popullore që respektohej jo vetëm nga popullsia çame, por edhe nga rrethet akademike brenda dhe jashtë vendit. Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm ishte Fadil Zeqiri, shkrimtar i njohur dhe njeri me autoritet që i kishte peshë fjala. Petrit Kasemi me shkrimet e tij të përmbledhura në këtë libër, sjell atmosferën e atyre viteve dhe mbi të gjitha frymën idealiste të një brezi të përkushtuar për Çamërinë, pa asnjë interes, që për fat të keq, vitet e fundit është zbehur duke mos funksionuar organizmi i Shoqërisë Çamëria ose më keq akoma, duke e vënë këtë shoqëri nën ombrellën e Partisë, që përfaqëson të drejtat e popullsisë Shqiptare të Çamërisë.
Fjala e shkruar në këtë libër është e gjallë, jo patetike. E nënvizoj këtë, sepse patetizmi i tepruar ja humbet peshën mendimit, duke e bërë atë fluturake dhe jo të besueshme. Fjala e shkruar e Petrit Begatit të frymëzon, të mbush me krenari për të shkuarën dhe qëndresën e shpirtit çam dhe të bën që të besosh në zgjidhjen e çështjes çame. Për këtë çështje, për të vërtetat e saj dhe rrugët e arritjes së qëllimit final, zgjidhjes, autori nuk i bën me askënd kompromis, as me faktorin politik në Shqipëri, as me atë në Greqi e as me politikat Evropiane. Më 17 mars të vitit 1991, në Konferencën e Parë të Përgjithshme të SHPA “Çamëria”, ai ka thënë: “Jemi pa kompromis e të vendosur deri në fund, për të fituar të drejtat e mohuara dhe të shkelura brutalisht. Padrejtësitë janë të përkohshme. E vërteta është e përjetshme. E vërteta është me ne. Misioni ynë është të vëmë në vend këtë të vërtetë. Ne i përmbahemi parimit, se të lëvrosh të vërtetën dhe historinë e saj nuk prish as fqinjësinë e as konjukturën…”
Për mendimin tim, kjo e thënë, përbën fillin e kuq të këtij libri duke ia shtuar vlerat dhe frymën aktuale dhe dimensionin polemik dhe atë diplomatik të tij. Do të duhej një studim i veçantë, nisur nga shkrimet e botuara në këtë libër, për të shpalosur vlerat e Petrit Begatit, si një nga punonjësit më të përkushtuar të Çështjes Çame, kur ai punonte në Ministrinë të Punëve të Jashtme (1992-1997). I ditur dhe i mençur, bindës me argumentet që sjell, këmbëngulës, i vendosur por edhe kurajoz përballë çdo qeveritari në Shqipëri, Greqi e gjetkë, për të mbrojtur të vërtetat dhe vetëm të vërtetat për Çamërinë e i hapur për t’i thënë këto të vërteta kudo. Ky është Petrit Begati, që do ta gjeni duke lexuar me kujdes librin e tij, “Çamëria një zë që duhet dëgjuar”. Ky libër u flet të vdekurve e të gjallëve, çamëve kudo ku janë në Shqipëri dhe vëllezërve tanë të krishterë në Thesproti dhe jo vetëm, por edhe shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë, politikanëve shqiptarë, grekë dhe atyre evropianë si edhe miqve amerikanë. Ai troket në ndërgjegjen e trazuar të fqinjëve tanë jugorë, grekëve të sotëm të ditur e të mënçur, që të kenë kurajën dhe vullnetin e mirë për zgjidhjen e Çështjes Çame.
Petrit Begati në Vjenë, më 12.12.2020, shkruan: “Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm, po ashtu dhe doktrinat e mbrapshta njerëzore, por një gjë është e sigurtë – Çamëria ime ka qenë është dhe do të jetë e Pavdekshme!”.
Me këtë shënim mbyllet ky libër, ndërsa mbi të është një foto, ku Petriti puth tokën e të parëve të tij. Në horizont duken kodrat e buta dhe një qiell në të majtë të të cilit dallohen re të bardha, si shpirtrat e paqetë të çamëve, ose më saktë si amanete shpirtrash, ose si amanete dhimbjeje e shprese të nënave çame.
Tiranë – Pargë
Fillim vjeshte e parë 2021