Elta Milori: Qoftë 8 dhjetori ditë e paharuar në zemrat tona!
Sot 8 dhjetor! Si ish studente e ayre viteve dhe pjesëmarrëse në atë miting të madh, me nostalgji të arësyeshme kujtoj ato ditë të ftohta dhjetori, por të nxehta për nga situata që po ndodhte.
Ne studentët e Fakultetit të Drejtësisë e të Folozofisë ishim në opinionin e të gjithëve si të përkëdhelurit dhe pinjollët e prindërve me pozitat e kohës.
Për çudi ai korridor i katit të 3 të korpusit të UT në ato ditë ziente e vlonte e prej nga ai korridor e auditore filloi organizimi i studentëve, ku nuk harroj Azem Hajdarin, ish student i filozifisë e pothuajse të giithë çunat e juridikut se nuk do mbaronte lista e emrave.
Orët e leksionit u kthyen në debate të forta.
Pedagogët e fillonin me pyetjen ‘doni debat apo mësim’ e ne sigurisht parapëlqenim debatin e fortë.
Ndryshimi po vinte nga ne studentët e atij dhjetori në zemrën e godinës së UT, Korpusit Qendror, për të vijuar më pas drejt Qytetit Studenti.
Debateve e moskuptimit me gjithë opinionin familjar, shoqëror e shtetëror i vumë përpara mendimet tona, bindjet e idealin tonë për ndryshim e për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa.
Ishim të rinj e tani pas 30 vjetësh pavarësisht shumë zhgënjimeve, shumë ëndrrave të parealizuara, ku u shkatërrua prona, u lëkund fort familja, ku fëmijët tanë morën prapë rrugët e botës, ku kemi plagë akoma të pambyllura, kjo ditë duhet kujtuar, për të rindezur e çelur sytë fëmijëve tanë e gjith rinisë, për të rindezur e mbajtur gjallë atë ideal, pasi vetëm rinia sjell e ndriçon ndryshimin.
Për t’u treguar fëmijëve tanë, se duhet mos ta shuajnë ëndrrën e prindërve të tyre e një ditë të rikthehen e ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Europa!
Qoftë 8 dhjetori ditë e paharuar në zemrat tona!