Albspirit

Media/News/Publishing

Alban Bala: Mësimet që la pas 8 Dhjetori…

8 Dhjetori nuk është një festë veteranësh. 40 vjecarët e sotëm janë ende të rinj për këtë etiketë muzeale. 23 vite të jetës së vendit – në njëfarë mënyre kompromentuan cilësisht rezultatin e misionit të tyre. Duke qenë të rinj universitarë, ata deleguan me vetëdije përgjegjësitë e qeverisjes, pranuan role dekorative dhe u shfrytëzuan për t’i dhënë legjitimitet një procesi ku analiza mes suksesit dhe dështimit lë pas gjithsesi një shije të dyshimtë.

Politika shqiptare i konsideroi ata si një kapitull i mbyllur, një dosje e arkivuar – prej ku herë pas here do të mund të nxirreshin fije të vecuara dokumentash biografike, por që gjithaq lehtë edhe mund të griseshin.

Megjithatë Lëvizja Studentore e Dhjetorit, si shpirti i një epoke, i prodhoi mësimet e saj.

Mësimi i parë dhe kryesor është se fryma – qoftë ajo edhe gjerësisht kolektive – nuk jep dot asnjë garanci se ndryshimet e aspiruara mund të ndodhin.

Cdo reformë, cdo ristrukturim sektorial, cdo riformatim shoqëror kërkon shtrat institucional ku të zbatohet, ka nevojë për shina ligjore ku të ecë dhe nevojit një sjellje politike të qëndrueshme që nuk kundërshton seriozitetin e asaj që frymëzon vullneti.

Individi drejtues është i fuqishëm për të frymëzuar një vizion, për të shprehur një domosdoshmëri kolektive, për ta shndërruar një projeksion shpirtëror në realitet imagjinar – brenda të cilit shoqëria fillon të përkasë – përpara se ai vizion të vijë në jetë. Por asnjë individ nuk është dot i fuqishëm ta përmbushë këtë mision, nëse nuk ndërton institucione, nëse nuk krijon sinergji – në aksionet përndjekëse, nëse rrezikon të “demaskohet” si selektiv në raport me zbatimin e parimeve mbi të cilat ka ngritur legjitimitetin e vizionit reformator.

Mësimi i dytë i Dhjetorit 1990 vjen nga fitorja e munguar në betejën e ndarjes së meritave pas fitimit të luftës politike. Humbja e kësaj beteje rrezikon vetë arsyet e fitores së luftës.

Cdokush në një lëvizje grupi ka meritën e tij. Roli që ai ka luajtur në një moment politik nuk i jep apriori pozitë, as nuk e aftëson në raport me detyrat administrative institucionale që kërkon një vizion reformator në zbatim. Pragjet historike epokale prodhojnë heronj, prodhojnë besnikë, prodhojnë moment psikologjik favorizues për të absorbuar dhimbje (qoftë dhe epokale) në emër të një reforme, të cka do të vijë si riformatim ligjor, pronësor, kulturor… Por meritat individuale politike nuk kompensojnë mungesën e aftësive në rrafshe sektoriale të qarta dhe as legjitimojnë dot pozitat politike dhe administrative. Fitoret politike janë vetëm fillimi i procesit të seleksionit të aftësive reale të atyre që duhet të kryejnë detyra institucionale shtetërore. Cdo qasje tjeter nuk bën dot shtet.

Mësimi i tretë i Dhjetorit 1990 është edhe më i vështiri: ata që marrin përsipër të realizojnë misione të tilla duhet të bien dakort dhe të betohen se cfare NUK do të pranojnë të bëjnë, në rast se fitojnë.

Ne – si pjesëmarrës të asaj lëvizje – ramë dakort se cfarë duhet të bënim për të fituar. Ramë dakort të hapnim rrugën dhe e hapëm. Por ne NUK kishim diskutuar asnjëherë se cfarë NUK do të duhej të pranonim assesi, cfarë na ishte e ndaluar. Kjo mungesë bëri që shume prej nesh të sillen, pas fitores, njëlloj si ata që po luftonim me mjete politike. Ne pranuam korrupsionin, ne pranuam pabarazinë e individëve përpara ligjit sepse kjo shpesh na vinte për shtat, ne pranuam të deformojme sistemin për interesa të vogla duke vuajtur kolektivisht të gjithë dëmet e mëdha që deformimi i sistemit prodhoi. Ne pranuam sepse shoqëria e legjitimonte këtë humnerë.

Vizioni ynë nuk modeloi moralin shoqëror si premisë të lirisë, por ofroi lirinë si një premisë për të përvijuar në një rrugë të re zbatimin e një qëllimi shoqëror, të ngritur mbi një moral të rrënuar prej zgripit të mbijetesës.

Qeveria ndoshta ka cfarë të mësojë prej këtyre gjërave. Opozita gjithashtu.

Por cdo epokë do të ketë reformatorët e saj, studentët e saj, frymëzimet e natyrshme dhe gjeneratat që do i mbartin ato. E mira është që ata të mësojnë nga cfarë ne mësuam duke humbur.

*Autori është një prej studentëve pjesëmarrës në lëvizjen studentore të Dhjetorit 1990 dhe grevist i grevës së urisë shkurt 1991 për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës.

Please follow and like us: