Albspirit

Media/News/Publishing

Nga kërkesa e munguar për njohjen e Kosovës, te deklarata për Skënderbeun dhe dhuratat fetare, një analizë mbi vizitën e Kryeministrit në Vatikan

Shaban Murati

 

Shumëkush kishte pritur që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas karikimit patriotik në 26 nëntor në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe me impulsin patriotik të abetares së përbashkët kombëtare, do ta kishte prioritare në dosjen e tij të takimit me Papa Franceskun të nesërmen në Vatikan njohjen e Kosovës.

Audienca iu dha nga papa në 27 nëntor dhe komunikatat zyrtare në Vatikan dhe në Tiranë nuk e zënë me gojë as emrin “Kosovë” në këtë takim, pa le më kërkesën prioritare diplomatike, shtetërore dhe kombëtare të Shqipërisë për njohjen e Kosovës nga Vatikani.

Komunikata e publikuar nga agjencia zyrtare e Vatikanit “Vaticannews.va” për takimin e kryeministrit shqiptar me papën bën të ditur se ndër të tjera “diskutuan situatën në Ballkanin Perëndimor”. Komunikata e publikuar po atë ditë në faqen zyrtare të kryeministrit të Shqipërisë për takimin e mësipërm nuk e përmend fare as fjalën “Ballkan”.

Nuk ka dhënë asnjë shpjegim as kryeministri dhe as zyrat e tij të panumërta përse nuk i kërkoi papës njohjen e Kosovës nga Vatikani, ndonëse glorifikimet, që ai u bëri marrëdhënieve midis dy shteteve, ishin të një shkalle të tillë të padëgjuar sipërore, që nuk janë përdorur nga kryeministri as për marrëdhëniet dypalëshe me SHBA, aleati ynë strategjik numër 1.

Madje kryeministri nuk gjeti vend për të folur për njohjen e Kosovës qoftë dhe një rresht në fjalimin e tij të gjatë psalmues në ceremoninë e dekorimit prej tij të sekretarit të shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, me dekoratën më të lartë kryeministrore.

Heshtja apo padëshira e kryeministrit të Shqipërisë për të ngritur çështjen e njohjes së Kosovës nga Vatikani në takimet me kreun e shtetit të Vatikanit dhe me sekretarin e tij të shtetit, nuk mund të mos për kontrastin e thellë, që krijojnë me veprimet dhe kërkesat e qeverisë dhe të diplomacisë së Serbisë në marrëdhëniet e saj me Vatikanin lidhur me Kosovën.

Kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në 12 shtator 2019 nisi vizitën e tij në Vatikan, ai deklaroi publikisht objektivin dhe prioritetin e vizitës së tij: ”Unë po udhëtoj për në Vatikan që t’i kërkoj Papës të mos njohë Kosovën”.

Pas vizitës në 19 tetor 2021 të ministrit të jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviç, në Vatikan dhe bisedimeve të tij me sekretarin e shtetit dhe me sekretarin për raportet midis shteteve, Selakoviç deklaroi brenda selisë së Vatikanit: “Vatikani po i jep mbështetje parimore Serbisë në termat e ruajtjes së integritetitterritorial. Është e rëndësishme t’i japim vëmendje të veçantë një shteti, që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, që mbështet shtetin tonë, megjithëse i është ekspozuar presionit për ta ndryshuar këtë qëndrim”. (Faqja zyrtare e MPJ të Serbisë, 19.10.2021).

Ministri i jashtëm serb ishte për vizitë në Vatikan një muaj para kryeministrit shqiptar. Serbia, që ka kryer agresion, gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë, guxon dhe paraqet zyrtarisht në bisedime zyrtare në Vatikan kërkesën që Vatikani të mos e njohë Kosovën. Por nuk e gjen dot me mend përse kryeministri i Shqipërisë nuk i kërkoi Papës njohjen nga Vatikani të Kosovës, që është shteti i dytë shqiptar dhe gjysma e kombit shqiptar.

Natyrisht Vatikani ka arsyet e tij, të pakuptueshme për shqiptarët, përse nuk e njeh Kosovën 13 vjet pas shpalljes së saj shtet i pavarur dhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë verdiktin se pavarësia e saj është në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Kosovën e njohin shtatë shtetet e grupit më të rëndësishëm ndërkombëtar G7, e njohin rreth dy të tretat e shteteve anëtare të OKB. Meqë Vatikani është shtet teokratik kristian duhet ta dijë se 19 shtetet anëtare të NATO-s, që ndërhynë për të çliruar Kosovën nga Serbia në vitin 1999, ishin të gjitha shtete kristiane.

Është lehtësisht e kuptueshme se diplomacia e Vatikanit llogarit se interesi i saj më i madh është me Serbinë se sa me Kosovën, përderisa vazhdon të mos e njohë. Por kryeministri i Shqipërisë kishte detyrën shtetërore dhe kombëtare që t’i parashtronte Papës kërkesën për njohjen e Kosovës. Kryeministri e kishte dritën jeshile për ta shtruar kërkesën, mjaft që t’i kujtonte Papa Françeskut deklaratën e tij interesante në 1 shtator 2021 në radion spanjolle “COPE”, ku Papa flet “për vendet në Europë që sot janë në një proces pavarësie si përshembulll Kosova”.

Realiteti i hidhur i heshtjes kryeministrore nuk mund të mos verë në mëdyshje nëse vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Vatikan ishte vizitë zyrtare apo vizitë kishtare.

Propaganda zyrtare e përkufizoi vajtjen e kryeministrit si vizitë me rastin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Vatikanit. Por as komunikata zyrtare e Vatikanit për takimet e kryeministrit shqiptar me Papën dhe me sekretarin tij të shtetit Parolin, madje as vetë kryeministri i Shqipërisë në fjalimin e tij të gjatë në ceremoninë e dekorimit të sekretarit të shtetit, nuk e zunë me gojë fare asnjeri 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit.

Vatikani dhe asnjë zyrë e tij nuk kishte organizuar as mbledhje të posaçme përkujtimi dhe as ndonjë veprimtari tjetër me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve. Duket qarte se kryeministri e lancoi këtë pretekst të vizitës së tij thjeshtë për konsum të brendshëm shqiptar.

Sepse kryeministri i një shteti nuk shkon për vizitë në një shtet tjetër në përvjetorët e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, nëse shteti pritës nuk organizon me atë rast veprimtari shtetërore të nivelit kryeministror për atë përvjetor. Kryeministri i Shqipërisë nuk shkoi për vizitë në mars të këtij viti në SHBA kur ishte 30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA, në një kohë që SHBA është shteti më i rëndësishëm strategjik aleat për fatet e Shqipërisë.

Analiza e takimeve dhe fjalimeve të tij gjatë vizitës në Vatikan të çon te përfundimi që ishte vizitë e kryeministrit si ortodoks i konvertuar në katolik, i cili nuk kuptohet pse ka një frustracion obsesiv për të demostruar vokacionin e tij të ri fetar edhe në ushtrimin e postit dhe të veprimtarisë së tij zyrtare, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe e papranueshme dhe e palejueshme për kryeministrin e një shteti laik.

Sepse është absurde dhe nuk është tagër e kryeministrit të Shqipërisë të bisedojë për marrëdhëniet midis dy kishave, siç njoftonte tematikën e bisedimeve agjencia katolike “Vaticannew.va”.

Lexoni në faqen “kryeministria.al” fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë në 27 nëntor në ceremoninë e dekorimit prej tij të sekretarit të shtetit të Vatikanit dhe do të shihni para jush jo kryetarin e një qeverie të një shteti laik, por një misionar të vonuar fetar. Ja deklarata absurde të kryeministrit për marrëdhëniet midis dy shteteve:

1- “Dua t’ju falenderoj për vëllazërinë që prej 30 vjetësh bashkon tashmë në skenën ndërkombëtare Selinë e Shenjtë dhe Republikën e Shqipërisë”. 2-“Bashkimin e marrëdhënieve të veçanta midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë në një lloj simbioze”.

Duken citate të nxjerra nga letërsia e vjetëruar e tempullarëve. Të befason ky fjalor i stërarkaik fetar për “vëllazërinë” dhe për “simbiozë”, terma që qeveria nuk i ka thënë as për Amerikën, dhe i adresohen një mikroshteti teokratik, të cilit qeveria e Shqipërisë nuk i paraqet as kërkesën numër 1 të një “vëllazërie”, që është njohja e Kosovës nga Vatikani.

Pasi ka thënë psallmën fetare se “providenca hyjnore na thirri sërish në detyrë”, kryeministri shqiptar arrin deri atje sa që deklaron se “këto projekte (bamirëse) synojnë edhe brezat tanë të rij për t’i ftuar ata të reflektojnë mbi vlerat e krishtera”.

Kjo ekstazë separatiste fetare alla fanatikshe Viktor Orban apo Zhiskar D’Esten ka gjetur refuzimin e vendosur të shteteve demokratike dhe laike si Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, etj, kur hodhën poshtë projekt Kushtetutën fetare të D’Estenit për BE, i cili donte ta klasifikonte BE si “klub kristian”.

E shprehur nga kryeministri i një shteti laik si Shqipëria, ku shumica e popullsisë është myslimane dhe nga votat e tyre përcaktohet mandati i një kryeministri, kemi një lajthitje dhe diskriminim të qartë fetar në emër të pakicës fetare, ku është konvertuar kryeministri.

Kapakun e ekstazës prej meshtari katolik kryeministri e ve në fund të fjalimit të tij fetar në ceremoninë e dekorimit të sekretarit të shtetit, ku mbyll me përcaktimin e heroit tonë kombëtar Skënderbeu si “Atlet i Krishtit”. Skënderbeu ka qenë atlet i kombit dhe aty është vlera e tij historike dhe aktuale mbarëkombëtare. Përcaktimet dinake fetare i heqin Skënderbeut lavdinë dhe vendin e parë në historinë e kombit!

Karakterit fetar të vizitës së kryeministrit në Vatikan i vuri vulën edhe karakteri fetar i dhuratave, që ai i dha Papës. Kryeministri shqiptar nuk e thotë në komunikatën e vet zyrtare listën e plotë të dhuratave, por Vatikani me korrektësi e jep në komunikatën e vet që kryeministri i Shqipërisë i dhuroi Papës dy ikona fetare, një që paraqet Madonën e Aventos dhe një që paraqet Shën Françeskun, dy piktura dhe një letër të poetit të madh shqiptar Gjergj Fishta.

Një kryeministër i një shteti laik nuk mund të sillet sikur përfaqëson dioqezën e tij dhe të darovisë dhurata fetare, kushdo qoftë mikpritësi i tij.

Këtu dalin edhe dy çështje ligjore. Nuk ka informacion se çfarë vlere artistike dhe historike kishin dy ikonat e dhuruara dhe nëse bënin pjesë në trashëgiminë artistike kombëtare, që nuk lejohet me ligj që të dalin jashtë kufijve, pavarësisht nëse ndodhen në bodrumet e Galerisë Kombëtare të Arteve apo në galeritë dhe koleksionet private.

Pikëpyetja tjetër dhe më e rëndësishme është se si dhurohet një letër historike e Gjergj Fishtës, e cila është pasuri kombëtare dhe shtetërore, që duhet të ruhet në arkivat e shtetërore të Shqipërisë, dhe jo të merret nga kryeministri dhe të dhurohet për të demonstruar devocionin e tij fetar. Ligjet e shtetit janë të qarta lidhur me mbrojtjen e dokumentacionit historik kombëtar dhe shtetëror dhe ndalimin e daljes së tyre jashtë kufijve, pavarësisht pronësisë shtetërore apo private te dokumenteve.

Kryeministri Edi Rama nuk ka shpjeguar kurrë se cilat janë motivet shtetërore apo kombëtare të vendimit të tij arbitrar në 2016 për të vendosur një bust të Papa Franceskut në qendër të Tiranës, ngjit me kryeministrinë, në një kohë që papa është gjallë. Çdo shtet normal demokratik ka kritere historike, kombëtare, shtetërore dhe ligjore për nderimin e figurave të huaja. Askush nuk është në gjendje të thotë se busti i është vendosur për ndonjë kontribut të madh historik të Papa Fraçeskut për Shqipërinë apo për Kosovën.

Ai nuk ka asnjë kontribut personal historik për Shqipërinë, që të meritojë për së gjalli një bust. A e vendosi kryeministri për të demostruar devocionin e tij fetar ndaj kryetarit të një pakice fetare në Shqipëri, së cilës i përket tani vetë kryeministri? As ky argument nuk qendron, sepse me këtë kriter voluntarist do të duhej të kishin buste në qendër të Tiranës Patriarku Bartolomeu i Patriarkanës Ortodokse të Stambollit apo kryemyftiu i Turqisë apo i Egjiptit.

Nëse busti iu vendos si kryetar i një shteti, duhet thënë se para tij duheshin vendosur bustet e nja 20 kryetarësh shteti, që kanë dhënë kontribute historike për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët si presidentët amerikanë Bill Klinton dhe presidenti Xhorxh Bush, kryeministri britanik Toni Bler, kryeministrja e Turqisë Tansu Çiller, presidenti kroat Stipe Mesiç, etj.

Tirana e kishte bustin e një pape tjetër Karol Vojtila, që e meriton për kontributin e jashtëzakonshëm në luftën përshembjen ekomunizmit, një Papë që ka shprehur interesim personal për fatet e Shqipërisë në ditët e errta të diktaturës dhe që erdhi për vizitë në Shqipëri menjëherë pas vendosjes së regjimit demokratik për të dhënë mbeshtetjen e tij ndaj demokracisë në Shqipëri.

Nuk ka rëndësi se në çfarë preteksti shkoi Edi Rama në Vatikan, si ortodoks i konvertuar në katolik, si qytetar i zakonshëm shqiptar apo si kryeministër. Posti, që ai mban, ia detyron që kërkesa për njohjen e Kosovës të jetë prioritare në të gjitha shtetet, që nuk e njohin Kosovën.

E vërteta e hidhur është se vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Vatikan nuk pati rezultate zyrtare, por pati vetëm rezultate fetare. Në këtë kuptim vizita e Edi Ramës në Vatikan nuk ishte vizitë zyrtare, por ishte vizitë kishtare./gazeta dita

Please follow and like us: