Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Maskaradë e shpalljes së monstrave si vlera kombëtare

 
Ka një përrallë të ujqve që pudrosen me miell. Këtë e dimë që nga fëmijëria, do të thoni. Po. Por unë e kam fjalën për një përrallë të gjallë që merr jetë, që përsëritet e përsëritet dhe ditëve tona.
Në shtypin e shkruar herë pas here paditen persona të së kaluarës komuniste. Persona që na qenkan maskuar… Me jetë të dyfishtë. Kanë qenë emra në kulturë si : shkrimtarë, muzikantë, piktorë, këngëtarë lirikë…. por dhe bashkëpunëtorë të fshehtë të Sigurimit. E pakta, të tillët janë etketuar si ujq të pudrosur me miell. Për fat të keq, këta i kemi peshqesh nga e kaluara. Nuk i shmangim dot, edhe po mos t’i dinim, edhe sikur t’i dinim si të tillë.
Veç dhëmbët e thonjtë e përgjakur të këtyre ujqve u janë hedhur, u janë ngulur në fyt miqve të tyre artistë…
Ujq të fshehtë, por me vlera artistike. Kanë kaluar vite. Këta burra tashmë janë thinjur, kërrusur, plakur. Vlerat si xhaketa të rënda dimri, ua mbulojnë disi thonjtë e dikurshëm të ujkut, ndaj edhe durohen. Edhe tolerohen…nga të ngjashmit, kolegët.
Ata që e pësuan prej tyre, ata që dikur u burgosën, që humbën familjen, jetën, karrierën, ata heshtin… Si viktima, si njerëz pajetë mes të mirave, pa miq … edhe nga publiku harrohen. Ata i zuri poshtë rrota e fatit. Ata i hëngri ujku i diktaturës.
Por por por…
Papritur dëgjon që këta ujqërit e dikurshëm, këta të zinjtë e pudrosur me miell të bardhë nderohen zyrtarisht me dekorata të larta. Dëgjon që katranë të tillë shpallen Nder i Kombit. Kjo të revolton. Kjo nuk tolerohet. Por ndodh shpesh. Kemi midis nesh persona që janë dhe ish- spiuna (dje) dhe Nder i Kombit (sot).
Dhe kjo përsëritet. Çdo President i Republikës në detyrë shpall si të virtytshëm, NDERON me urdhëra e medalje mostra të tillë. Kjo është e turpshme. Të tillët, pa ua mohuar vlerat e shquara si artistë, nuk ke pse t’i shpallësh Nder i Kombit.
Kjo maskaradë e shpalljes së monstrave si vlera kombëtare, me kohë duhet të kishte marrë fund.
Please follow and like us: