Artur Spanjolli: Qyteti i botës
Sprovë
1.
Durrësi për mua nuk është thjesht qyteti, ai është gjithçka. Është bota ku mësova të dashuroj. Është toka në breg, ku i verbër u mahnita nga kripa, dhe era e jodit më futej në palcë. Prap këtu. Por unë nuk dua këtë Durrësin e ri që e njoh fare pak. Dua atë tjetrin, kur me zërin që dridhej dhe zemrën që godiste fort, isha në kërkim të dashurisë. Një ëndërr aq e madhe, sa humba në të, si anijet në Bermudë. Prap në Durrës. Eci rrugëve me veshje të reja dhe nuk e di, jam i huaj unë, apo është i huaj qyteti. Sillmëni me duar të padukshme ato pishat e errëta të dashurisë, kur ulërinte hëna në mes të qiparisave, kur dashuria ngjyroste me bojra të forta emocjonesh, ditët. Ku çdo mbrëmje ëndërrash ishte një mrekulli e vërtetë emocjonesh. Sillmëni zhurmën e atyre dallgëve dhe lotët e të pafatit, që flijohej nga kripa e hidhur e trishtimit. Sa pus i thellë na qenka shpirti, të cilit kurrë më nuk i dilka fundi. Të kisha duar të fuqishme dhe mëndje hyjnore, do të doja të bridhja atje larg në kohë. Do të doja të ecja tani, me hap romantik dhe funebër përgjatë rrugës me plepa. ASAJ RRUGE QË MË MIRË E NJOH SE VETVETJA. Me hap te qetë, zemrën në zi, dhe mijra violina ngushëllimi do të britnin mes gjethesh. Të isha hyjnor, do të zhytesha kryekëput, magjishëm në ato dashuri, kur me mjekrrën plot puçrra dhe lotët e errët, shtrirë në rërën e mesnatës, yjet do të numëroja me rradhë, një nga një. Oh ec përpara, ti i vdekuri i saj kohe. Hapi yt është i rëndë. Tam, tam, tam, gjëmon daullja. Kush është? Jam unë, shëmbëlltyra jote e atyre kohërave, dyzimi yt i cili kurrë vdes. Në kozmos jeton paralelisht.
Dikur ti dije të qaje aq bukur, dhe ëndërroje si një hyjni, o shpirti im! Dikur ti ishe i Madhërishëm! Po! Fare madhështorë. Oh dikur ti shpirt, dashuroje edhe grimën më të vogël të barit, shkruaje fjalë trishtimi mbi qiellin e përjetshëm dhe mblidhje perla guackash hyjnore. Rëra ishte letra gri, ku me një shkop shkruaje fjalët e trishtimit. Nëse një Zot nuk do të kishte për Çmimin, ç shpërblim do të merrnim vallë nga Përjetësia? Për ato lotë, që depozituar janë në Qiell si i vetmi AR! Dashuria është veç ajka e jetës, o njeri!
Prap tek ti Durrës, si ngahera. Tek ty mësova të ëndërroj. Sa gjëra mësova nga ti?! Miljona e miljona hektarë ëndërr, netëve të tua kur tërë botën e donim për vete. Brodha pa fund, si bujku i mirë që tokën zgjedh, unë mbi trupin tënd, shenjtërova gjithçka tënden! Me rruaza dashurie të zbukurova. Prap tek ti Durresi im. Bredharaku i dikurshëm u lodh ndoshta? Mjaft tani! Hesht!
2.
Më ngjan ti qytet, si një varrezë kujtimesh, ku kohë e ikur veç kthehet pa mall. Ti shkollë që humbe dhe u trete, ti plazh i gjërë plot guacka trishtimi në tetor, ti Vilë e heshtur, gjatë trishtimit të atëhershëm plot diell të kursyer marsi. Më ngjan ti qytet me dhimbjen e gurtëzuar, si gërmadhë që fort e desha. Fantazmë e zbehtë ku qiejt ngashëreheshin të tërë. Dhe qanin fushat në perëndim, zogjtë mbyteshin në vaj, trishtimi plot vetmi sublime mbushej. Oh linte vrrjagën e dhimbjes ulërima. Shpirti, krejt çarë më dyshë si një shegê. Digjej zjarr. Fort dete dhe udhë dhe qytete kam parë. Bukur është sistemuar bota, por askush nuk këndoi aq përmallshëm sa gurët e Kalasë. Askush nuk u harrua me frikën e së panjohurës kur dashuria si një demon i tmerrshem më shkundte të tërë.
Më ngjan me një njerkë me lifting tënd, veshjet e reja. Bukur bukur, por dhe aq shumë nuk të njoh. Kur dhimbja linte brazdën mbi trotuar, sytë e dashuruar kishin veç mall. Je gjithmonë ti, ku çdo gur e bart një kujtesë. E çdo ëndërr e kishte një nënkresë. Dua sytë e ngrirë nga tmerri i bardhë, dhe shtratin plot lot, ku ngashërim i vetëm ishe ti vajzë. Dua “Temple of the king” kur hap i ngurtë, mbi kalldrëm oshëtinte! ” E pashë?! Jo. Sot nuk e pashë!” Oh Kohë e Madhe Shpirti. Bethovianja simfoni, kur brazdë e shpirtit të tronditur kullonte gjak. Atëherë vleja sa mijra ditë bashkë. Jetoja si i magjepsur në fantastiken botë plot përralla ëndërrash. Nuk ishte nostalgji, veç shpirt i çelur, mahnitej aq shumë! “Kjo është jeta?!”, pëshpërisja. “Oh mrekulli!. Sa bukur lind drita kur i dashuruar zemra me hov hidhej. Oh ar i verdhë plot feksje drite! Oh fantastikja bukuri!” Qaja larg nga njerëzit, nga kafshët, nga sytë kurjozë. Deri në Golem arratisesha në këmbë. Ku të ikja? Ku të fshihesha?! Ajo dashuria më ndiqte si djall!” Mallkim sublim, dhimbje e gjallë! Un dashnor i vjeshtës së verdhë, kur qielli çahej nga zjarri në perëndim. Ti ulërimë e mjerë. Ti madhështi sublime e shpirtit të gjorë. Mëshirë mëshirë! Hesht ti zemër e tërbuar krejt! Mos ki frikë! Askush nuk ka vdekur nga dashuria e marrë. Kisha frikë se mos çmëndesha. Për Zotin i cili është aq i Madh. Po aq sa njeriu është i marrë!
Tek Vila e përjetësoja çastin. Sublimen dashuri! Pak dritë , pak dritë dhe liri, pas aq shumë lotësh skllavërie. Por unë si dashnor i marrë rendja krejt drejt skllavërisë. Më vrit, më vrit me lot ndër sy. Nuk ka ëndërr më sublime sesa vdekja në zjarr. Oh. Më digjnin sytë, mua dashnorit, mbushur me gjethe vjeshte në muzg erë të marrë dhe heshtje, ikja kudo. Oh Durrësi im. Të kam dashur aq shumë sa ika prej teje si bukëshkalë. I nxirë nga dielli në gusht, krejt i ngrirë nga frika me sytë nga ballkoni i bardhë, me hap funebër dhe të trishtë, shkoja të derdhja lotët i heshtur. Libër jete plot simfoni dritash ti ishe qyteti im.
Please follow and like us: