Albspirit

Media/News/Publishing

Universiteti i Tetovës promovon librat e Shaban Muratit

Në UT u promovuan veprat “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë” dhe “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” të autorit Shaban Murati
“Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë” dhe “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” janë dy veprat e autorit Shaban Murati të cilat u promovuan në Universitetin e Tetovës. Promovimi i këtyre librave u bë në ambientet e Fakultetit Juridik dhe në këtë event morën pjesë një numër i madh i personaliteteve nga jeta akademike, politike, shoqërore si dhe një numër i konsiderueshëm i studentëve të Universitetit tonë. Dekani i Fakultetit Juridik Prof. Dr. Qebir Avziu e falënderoi ambasadorin Shaban Murati për gatishmërinë e tij që ka treguar që veprat e tij të promovohen në Universitetit tonë dhe njëherit përgëzoi ambasadorin Murati për punën e tij të mrekullueshme që po bën në ngritjen e vetëdijes kombëtare mbi këto tematika.
Për librin “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe e Kosovës” vlerësimet e tij i dha profesori universitar Fehari Ramadani. Ai tha se ambasadori dhe studiuesi Shaban Murati në këtë libër trajton marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Kosovë në tre vitet e fundit, si dhe raportet e tyre me Serbinë, SHBA-të dhe BE-në. “Mesazhi kryesor i librit Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë është që Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin me këmbët e veta, të bëjnë shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre. Në mënyrë të veçantë udhëheqësit duhet të kenë integritetin e tyre shtetëror, kombëtar dhe personal, gjë që, sipas tij, udhëheqësve të Shqipërisë u ka munguar 30 viteve të fundit. “Shqiptarët nuk duhet të udhëhiqen nga fanatizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aleatit, kushdo qoftë ai, i ofrohet gjithçka, me përjashtim të lirisë së atdheut dhe tërësisë territoriale të atdheut. Në këto dy parametra çdo aleancë vdes dhe merr emër tjetër”. Libri “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe e Kosovës” mendoj se to t’u shërbejë diplomatëve, analistëve politikë dhe studentëve të marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjithashtu, ai ofron shumë informacione me interes edhe për opinionin e gjerë” vlerësoi mes tjerash Prof. Dr. Fehari Ramadani.
Ndërsa për librin “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” foli profesori universitar Bujar Ahmedi. Sipas tij ky libër përveç se shtron problemin që ka të bëjë me detin dhe kontestin Shqipëri – Greqi ai shtron edhe shumë çështje tjera. “Në realitet në libër shtrohen më shumë çështje, preken më shumë tema. Për kureshtjen tuaj mund të pyesni cilat janë ato. Përmendet ligji i luftës, i cili ende është në fuqi në shtetin grek. Ceket çështja çame, që diplomacia shqiptare siç thotë ambasadori, heziton ta shtrojë si problem. Përmenden minoritetet në Shqipëri, përmendet kisha ortodokse greke dhe ndikimi i saj në rajon. Si diplomat me përvojë, parë nga syri i diplomatit, ai afirmon zgjidhjen e çështjeve një nga një. Pra bën alarmin që diplomacia shqiptare, shteti shqiptar në negociata të mos shkojë me një pako sepse diplomacia nuk njeh gjuhën e bisedimeve duke shtrirë kontestet e hapura në një pako por afirmon diplomacinë hap pas hapi. Ashtu siç di ta bëjë vetëm ai, diplomati ynë, diplomati me përvojë, në stilin e mjeshtrit të madh hyn në histori. Hyn në histori dhe niset nga konferenca e ambasadorëve e vitit 1913. Vazhdon me protokolin e Firencës të vitit 1925. Prek aktin mbi delimitimin e kufijve të Shqipërisë, ku si palë janë tri shtete Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia, dhe e përmbyll me një akt për përcaktimin e kufijve të vitit 1926 dhe sikur do të na thotë se kufijtë nuk negociohen” – u shpreh Prof. Dr. Bujar Ahmedi.
Për veprat e Ambasadorit Shaban Murati foli edhe z. Alket Veliu nga “Fondacioni Çameria Hasan Tahsini”. Sipas tij politika sot, me sjelljen e vetë diabolike po e trajton çështjen kombëtare si çështje kundra integrimit dhe kundra fqinjësisë se mirë duke u treguar shqiptarëve që prosperiteti u vjen duke e mbajtur mirë me Grekët dhe Serbët. “Padyshim që ne duam të kemi marrëdhënie të mira me fqinjët, por këto marrëdhënie duhet te jenë të sinqerta dhe reciproke dhe jo nënshtrimi. Nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë kur kjo e fundit edhe sot pas 80 vjetësh na thotë që jemi në lufte, pasi në fuqi është ende ligji i luftës, kur nuk njeh çështjen çame. Mosnjohja e gjenocidit njëjtë është nga Serbia dhe Greqia. Si mund të besojmë dikë që nuk pranon fajin. Ne duam marrëdhënie të mira me fqinjët por ato duhet të jenë të sinqerta, dhe reciproke. Ballkani i hapur përmendet nga ambasadori , a është kjo në interes të shqiptarëve? Sigurisht jo! Serbia kërkon ekspansion ekonomik në tregjet shqiptare dhe aspak marrëdhënie të mira me shqiptarët. Është i papranueshëm Ballkani hapur kur Serbia dhe Kosova nuk njihen mes vetes” – theksoi mes tjerash z. Alket Veliu.
Për veprat e ambasadorit Shaban Murati fjalë rasti mbajti edhe zonja Valbona Hajretin nga Agjencioni për Zbatimin e Gjuhëve. Sipas saj pikat më nevralgjike të shqiptarëve në raportet ndërkombëtare janë tematikat që autori ka trajtuar. “Duke qenë se ambasadori Shaban Murati ka një përvojë të gjatë diplomatike, si një njohës i thellë i këtyre problemeve, në dy librat e tij ai shkruan në mënyrë shumë empirike, duke e mbështetur çdo gjë në fakte, situata konkrete, në kontekste e raporte të cilat ende janë të freskëta dhe ende vazhdojnë të trazojnë marrëdhëniet tona me fqinjët. Nga kjo pikëpamje librat e ambasadorit Shaban Murati lëshojnë një alarm të fuqishëm për shtetet shqiptare, për elitat politike të cilat i udhëheqin shtetet tona, që të ndërgjegjësohen dhe të aktivizohen me gjithë potencialin dhe kapacitetin e tyre institucional, intelektual dhe diplomatik, në mënyrë që ta mbrojnë qenien kombëtare, përkatësisht territorin tonë ndaj të cilit pretendojnë fqinjët. Detyrimisht kjo është një çështje shumë e ndijshme dhe e brishtë, prandaj duhet angazhim serioz, guxim dhe vizion i plotë” – tha mes tjerash zonja Valbona Hajretin.
Autori i veprave, ambasadori shkëlqesia e tij z. Shaban Murati në fjalën e tij fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në promovimin e vepra të tij në Universitetin e Tetovës. Ai duke iu referuar veprave që ka shkruar tha se qëllimi i tij ka qenë që përveç diplomatëve e politikanëve ta informojë edhe shoqërinë civile dhe cdo shqiptar për problemet që ne si komb historikisht i kemi pasur me Serbinë dhe Greqinë. “Këta dy librat e mi të rinj që janë botuar këto kohët e fundit, “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë” dhe “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” trajtojnë problematikat më të mprehta diplomatike, ende të pazgjidhura midis shtetit shqiptar dhe kombit shqiptar me dy shtete që historikisht kemi pasur probleme siç janë Serbia dhe Greqia. Janë dy libra që trajtojnë tematikën që është e nevojshme për të ditur jo vetëm thjesht nga diplomatët apo qeveritë të cilave natyrisht unë i kam audiencën kryesore por edhe nga qytetarët e thjeshtë apo shoqëria civile për të mësuar cili është realiteti i problemeve që ne kemi dhe si duhen zgjidhur” – shtoi me këtë rast autori z. Shaban Murati.
Ai më pas tha se nga eksperienca e tij e gjatë, mbi 50 vjeçare në fushën e politikës së jashtme, është përpjekur që kjo përvojë të shndërrohet në një farë ndriçimi të kësaj problematike që jo nga kushdo mund të kuptohet.
Please follow and like us: