Fran GJOKA: Viron Kona dhe libri Drejt “Bregut të erës”
Drejt “Bregut të erës” titullohet libri më i ri i shkrimtarit Viron Kona. Ai përmban nëntë tregime me tematikë të larmishme, që në vetvete përbëjnë një mozaik tërheqës e mbresëlënës. Janë tregime të shkruara thjesht, siç shquhet në përgjithësi krijimtaria e Viron Konës, teksa ato dallojnë për origjinalitetin dhe mjeshtërinë e rrëfimit, që të rrëmben dhe të përfshinë në përfytyrime. Mund të them se, për cilindo nga tregimet, të lind dëshira t`i rikujtosh, duke sjellë ndër mend jo vetëm mesazhet, por dhe fragmente,episode, batuta, dialogje, figura artistike e shprehje frazeologjike. Ato na ngazëllejnë dhe kemi dëshirë t`i përmendim në bisedat tona.
I zhytur në një heshtje krijuese e modestie, shkrimtari Kona ia arrin të na bëj menjëherë për vete me krijimet e tij, siç dhe ka ndodhur shpesh herë me librat e tij për fëmijë dhe për të rritur, ku ai është nderuar e vlerësuar, por edhe është përkthyer në gjuhë të huaja, sidomos në gjuhën suedeze.
Libri nis me tregimin “Radioja”, që na çon në vitet 60 të shekullit të kaluar kur në Shqipëri nisën të hynin masivisht radiot, të cilat deri atëherë për shumë njerëz ishin ende të panjohura. Subjekti i tregimit zhvillohet përmes një konflikti, fillimisht të qetë e, pastaj të dukshëm mes autoriteteve vendore dhe banorëvet të thjeshtë, që duke iu gëzuar radios, valëve të saj dëshironin të dinin edhe për ata njerëz që e shpikën atë. Libri ofron situata, sa komike, aq edhe të dhimbshme, por ndërkohë përcjellë te lexuesi edhe një informacion të nevojshëm, si për kohën kur zhvillohet ngjarja, ashtu dhe për shkencëtarët botërorë: amerikanin Nikola Tesla (1856-1943,) italianin Guglielmo Markoni (1874 – 1937), (por edhe Edisonin, Popovin, Hercin, Faradein, Ërstedin)…të cilët, me kërkimet e tyre shkencore ia arritën të shpiknin aparatin e radios.
Një ironi e mprehtë dhe bukuri artistike përshkon faqet e tregimit, që, me të drejtë është vlerësuar dhe nga albanologu i njohur suedez Ullmar Qvick, i cili, kur ka lexuar këtë tregim në revistën “Dituria”, botim i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” të qytetit Borås të Suedisë, është shprehur i ngazëllyer: “Më ka paëlqyer shumë tregimi “Radioja”, i shkruar nga shkrimtari shqiptar Viron Kona dhe do ta përkthejë.” Dhe, “me të thënë e me të bërë”, albanologu suedez, njëherazi përkthyes dhe poet i njohur, e përktheu tregimin në gjuhën suedeze. (Suedisht tregimi është i botuar në revistën “Dituria” në janar 2020, por dhe në revista suedeze).
Temën e tregimit “Thesi bosh”, shkrimtari e merr nga jeta reale dhe ia ofron lexuesit nëpërmjet një rrëfimi të thjeshtë, duke satirizuar ata njerëz snob e servilë, që edhe tek një libër kërkojnë shkaqe që të bëjnë sa më shumë lajka dhe vlerësime të pamerituara, duke vërtetuar kështu praktikisht thënien proverbiale të mjeshtrit të romanit grotesk, Servantesit se “S`ka plaçkë më të lirë se lajkat”. Shkrimtari nënvizon artistikisht shkakun e lajkave dhe qejfbërjeve dhe shpreh artistikisht befasinë zhgënjyese të protagonistit:
-Çfarë…, për shkak se jam drejtor, këta njerëz më kanë mbuluar me lajka muaj e vite me radhë: edhe për librat me tregime dhe me poezi, për novelat dhe romanet që kam shkruar e botuar…! Më kanë lavdëruar kot, pa lexuar asgjë nga unë, vetëm e vetëm se ua ka dashur interesi të më bënin qejfin, vetëm për ta mbajtur mirë me mua, mbase që, në këmbim të atyre lajkave, të nxirrnin ndonjë përfitim…
Si për ta çlodhur lexuesin nga mendimet e zymta, shkrimtari Kona sjellë në vazhdim tregimin lirik dashuror ”Lirika e ullinjve”, ku me një gjuhë të thjeshtë, na rrëfen dashurinë e dy të rinjve në një fshat në vitet 60-70, dashuri e cila frenohen dhe pengohet për shkak të paragjykimeve, patriarkalizmit dhe nga mbeturinat e kohës, teksa lexuesi, në fund ngulit thellë mendimin që aq bukur na i ofron Shekspiri se “Çdo pengesë për dashurinë vetëm e forcon atë”.
Në vëllim tërheqin vëmendjen dy tregime satirike: “Ushtarët dhe tri macet e fshatit” dhe “Na mjaftojnë gjelat tanë për t`u argëtuar”. Janë tregime që flasin për dy periudha kohore, atë të diktaturës dhe të demokracisë, por që shkrimtari, nëpërmjet groteskut, godet thellë, si formalizmin, ashtu dhe skenat mashtruese, që zhvillohen në brendinë e këtyre tregimeve. Ndonëse përpiqemi të çlirohemi prej tyre, ato na mbajnë të rrethuar si me gardhe shkurresh e gjëmbaçësh, e prej të cilave shkëputemi me vështirësi. Në tregimin “Ushtarët dhe tri macet e fshatit” përshkruhen episode dhe situata komike që ndodhnin në ushtri. Me një rrëfim të bukur e gazmor, autori fshikullon rreptë falcitetin e kohës. Kurse tek tregimi tjetër ’Na mjaftojnë gjelat tanë për t`u argëtuar” autori rrëfen plot humor bashkëbisedimin e një fshatari të mençur me një zyrtari bashkiak. Fshatari, ashtu si pakuptuar, tallet dhe vë në lojë mënyrat dhe veprimet e nëpunësve të shtetit dhe të të zgjedhurve të popullit, të cilët me premtimet boshe dhe fjalët e bukura, përpiqen të vënë në gjumë popullin dhe të vetmin qëllim kanë sigurimin e votës. Është një nga ato tregimet, ku përjetojmë artistikisht thënien proverbiale “Qeshim se s`qajmë dot!”:
Bariu heshti një çast dhe vijoi:
-Kur zotëria jote më tregon vështirësitë e punës dhe qan me mua hallet e mëdha, që kini ju në bashki, apo, ata në qeveri, them me vete: “Mjerë këta të gjorë se ç`i ka gjetur ! U duhet të zgjidhin hallet tona dhe të gjithë dynjasë”. Veç këtyre, edhe sherret nuk iu ndahen. Sidomos atje në parlament, ato bëhen përnatë. “-Pse, o të gjorë, – them me vete, – nuk bëheni në një mendje dhe të merreni vesh me njëri-tjetrin, ashtu siç merrem vesh unë me bagëtitë e mia!” Po kot u qaj hallin se ata vetëm shahen e sa s`theren. Atje gjithnjë vetëm njëra palë ka të drejtë. Pala tjetër vetëm gabon dhe nuk ka hiç të drejtë. Shaj njëri e shaj tjetri. Akuzo njëri e akuzo tjetri. Njëra palë i thotë tjetrës: “Ju jeni hajdutë !” Ata ua kthejnë me tërsëllëmë: “Hajdutë, jeni ju !” Këta u thonë: “Ju jeni mashtrues”! Ata ua kthejnë: “Mashtrues jeni ju!” Me një fjalë, sipas kësaj mendjes sime, po t`u japim të drejtë të dy palëve, na dalin të dy palët barazim: Të gjithë “hajdutë” dhe të gjithë “mashtrues”.
-Në të vërtetë, ata atje në parlament, ju i keni zgjedhur, – vërejti zyrtari i bashkisë.
-Eh, kjo puna e të zgjedhurit, është ca e ngatërruar. Se nuk ndodh ashtu siç po thua zotrote! Ata, zgjedhin njëherë veten atje lart, pastaj vijnë këtu…”.
Tregimi “Dikproli dhe Zëngjiruri”, rrëfen me ngjyrime artistike shfaqjet e dyfytyrësisë njerëzore, ku njeriu pa karakter, duke ngjasuar me një “xhaketë të kthyer”, dhe “duke u kthyer nga fryn era”, kërkon të përfitojë padrejtësisht. Të tillë njerëz, që sot i gjenë me bollëk në shoqërinë tonë, shfaqen si heronj dhe shpëtimtarë të popullit, duke u paraqitur ndryshe nga ç`janë…Kështu, personazhi kryesor i tregimit, nga një ish kuadër në diktaturë, që zbatonte në mënyrë ekstreme dhe qesharake vijën e partisë, shdërrohet në një “demokrat” të shquar, që përdor çdo mjet dhe çdo mënyrë për të fituar simpatinë e drejtuesve partiakë, për të përfituar sa më shumë prej tyre. Ai shkërmoqet përpara lexuesit, veçanërisht nga vargjet-bejte, që i ka “krijuar” vetë: Me diktaturën isha, /Me demokracinë jam,/Levat e pushtetit,/ Në dy duar i kam!/ Dikur “Dikprol”,/Me mushkë dhe gomar,/Sot Zëngjirur,/Në fshat jam i parë”.(Ai përdorte fjalën “Dikprol”, si shkurtim të “Dikaturës së proletariatit”)
Në vijim, zhvillohen dy tregime, që e kanë burimin nga përshtypjet e Viron Konës në vende të huaja e që titullohen: “Çaji që ju pitë, çfarë lloji ishte?” dhe “Kujdes, miqtë e mi, kujdes momentet e fundit”. Të dy tregimet e marrin temën nga përshtypjet në Turqi, ndërkohë që të dy janë rrëfime emocionale, njëri fshikullon ekstremizmin partiak në Shqipëri, në kohën e diakturës, kur, ata që ktheheshin nga jashtë shtetit kalonin në skanerin e “popullit” dhe të autoriteteve partiake, kurse, nëpërmjet tregimit të dytë, shkrimtari rrëfen me një emocion që të mban gjatë gjithë tregimit, humbjen e një valixheje nga njëri prej pjesëtarët e ansamblit.( brenda saj kishte dokumente të rëndësishme dhe pasaporta të disa prej ansamblistëve). Kishin kryer një detyrë me shumë sukses, por që vetëm pas një pakujdesie momentale, gati sa nuk shkatërruan gjithçka kishin arritur me shfaqjet artistike që kishin dhënë në Turqi.
Tregimi i fundit i këtij vëllimi Drejt “Bregut të erës”, është më shumë një rrëfim disi i gjatë, por që të mban gjallë, zgjon kureshtje te lexuesi dhe është tërheqës deri në fund. Aty rrëfehen peripecitë e një ushtari të ushtrisë shqiptare, i cili kishte detyrë të çonte një letër në komandën e repartit, diku në “Bregun e erës”, në një ditë të ftohtë dimri, mes luginash, greminash e malesh, mes frikës nga kafshët e egra etj. Ky përshkrim, krahas emocionit, herë – herë drithërues, është i pasuruar edhe me rrëfenja të thjeshta e të shkurtëra , të cilat tregohen nëpërmjet retrospektivave nga protagonisti dhe që nxjerrin në dritë vlerat më të mira të skraparllinjve dhe të bukurive natyrore të krahinës së Skraparit.
Viron Kona është nga ata shkrimtarë që përthithë dhe përjeton ngjarjet bashkëkohore, por ai i rikthehet herë-herë edhe ngjarjeve që ngacmojnë kujtesën e tij, ndërkohë që, ky shkrimtar ka një cilësi si rrallë kush, ai, sa herë shkon në vende të huaja, nga përshtypjet që krijon atje gjatë vizitave, sjellë përpara lexuesit episode, ngjarje, tipa njerëzorë, portrete etj., duke i shndërruar ngadalë ato në tregime, novela dhe romane. Kështu, kur ai shkoi në Turqi në vitin 1982 në krye të një ansambli të këngëve dhe valleve popullore, ai, kur u kthye, me ato përshtypje, krijoi romanin e bukur e tërheqës “Yje mbi Bosfor”. Kur shkoi në Greqi, si refugjatë ekonomik dhe përjetoi atje të gjithë të këqiat që mund të përjetoj njeriu nga një shfrytëzim i egër e barbar, ai shkroi romanin aq të pëlqyer e të vlerësuar nga kritika “Drithërimat e yjeve”. Kur shkoi në Budapest, për një operacion të rëndë të pankreasit, ai, me përshtypjet vetjake, shkroi librin e mrekullueshëm dëgjoma “Zemrën Budapest!”, që është konsideruar një “simfoni letrare për jetën”. Ndërkaq, Viron Kona ka një “dritë jeshile” në Suedi, pas përkthimit atje të romanit për fëmijë “Eh, more Bubulino!” fitues i çmimit UNICEF. Ai ka shkuar atje i ftuar disa herë, ka zhvilluar vizita dhe biseda me fëmijë, të rinj, njerëz të thjeshtë dhe intelektualë, shkrimtarë dhe artistë, dhe, gjatë disa vjetëve i ka kushtuar Suedisë, popullit të saj të mbrekullueshëm dhe mërgimtarëve shqiptarë atje, 7 libra: ”Bukuri suedeze”, ”Për ju miqtë e mi”, “Zonja nga Boråsi”,”Ju dua më shumë se veten!”,”Kur vjen Sokoli” dhe “Poleni viking”, ky i fundit me bashkautorë Sokol Demakun. Duhet të pohojmë faktin se Viron Kona, është vlerësuar shpesh herë si një nga shkrimtarët më prodhimtarë dhe cilësorë, ai sot është autor i mbi 50 librave, vëllime me tregime dhe romane për fëmijë dhe për të rritur; anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve prej vitit 1981, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë, anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit, kryeredaktor i revistës “Siguria rrugore”. Shumë nga librat e tij janë rekomanduar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (Sportit) për lexime jashtë klase, kurse tregime, novela dhe poezi të veçanta janë botuar në disa antologji të letërsisë shqipe. Viron Kona është fitues i 8 çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës. Fitues i çmimit UNICEF, për librin më të mirë për fëmijë 2006 “Eh, more Bubulino!”, si dhe fitues i çmimit “Penda e Artë e Migjenit”(Festivali Internacional i Poezisë, Borås, Suedi, 2021). Dy vëllimet e para të librit “Eh, more Bubulino!” janë përkthyer në një vëllim të vetëm në Suedi (Men kära Bubulino!). Disa nga tregimet janë botuar në anglisht, frëngjisht e suedisht. Kohët e fundit është përkthyer në gjuhën hungareze libri “Dëgjoma zemrën, Budapest!” Në biografinë shkrimore të Viron Konës ka qindra artikuj letrarë, studimorë, socialë, kulturorë e arsimorë të botuar në gazeta, revista e portale brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë që, ai, i heshtur punon e punon pareshtur, pa e ngritur kokën dhe pa synuar aspak që t`i bëj reklamë vetvetes. Ai niset nga parimi që, nëse vepra letrare meriton të vlerësohet dhe të përmendet, ajo, sot apo nesër, e gjen vendin e vetë. ”Asgjë s`bëhet me sforco, – thotë ai, – gjithçka duhet të vijë natyrshëm, ashtu siç vijnë stinët, siç rriten lulet, siç shtegtojnë zogjtë…