Albspirit

Media/News/Publishing

KPK: Opinioni i Komisionit të Venecias siguron pavarësinë e sistemit prokurorial

Prishtinë, 14 dhjetor 2021 – Këshill Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka mirëpritur opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me draftin e amendamentimit të Ligjit për KPK-në.

“Ky opinion siguron ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e sistemit prokurorial duke ritheksuar se iniciativat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Ligjin për KPK-në me këto propozime janë në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare. Në opinion, përkatësisht në pikën 49, theksohet se procedura e zgjedhjes së anëtarëve laikë (që nënkupton edhe iniciativën e zgjedhjes së anëtarit prokuror nga Kuvendi i Kosovës) është shumë e ndërlikuar, e paqartë dhe krijon mundësi për manipulime. Komisioni i Venecias në pikën 57 të këtij opinioni, ngre dy shqetësime kryesore: Një Këshill i ‘reduktuar’ që do të përbëhej ekskluzivisht prej anëtarëve laikë (duke përfshirë edhe prokurorin të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës) do të ketë të njëjtin pushtet si Këshilli Prokurorial i Kosovës me përbërje të plotë dhe, më e rëndësishmja, ai do të vendosë për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit që do të bëhet në fillim të vitit 2022”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

KPK-ja ka thënë se, sipas opinionit të Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

“Çështja e dytë është se i njëjti ‘Këshill i reduktuar’ me përfaqësues laik do të sigurojë kontroll të plotë në komisionin zgjedhor që mbikëqyrë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit nga kolegët e tyre. Sipas mendimit të Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, dhe këto ndryshime propozojnë largimin e prokurorëve nga qeverisja e sistemit prokurorial në momentin më kritik kur do të zgjidhet Kryeprokurori i Shtetit dhe anëtarët prokurorë nga radhët e tyre. Ndërsa, sa i përket shkëputjes së mandatit të anëtarëve aktual të KPK-së, Komisioni i Venecias në pikën 54, rithekson se ndërprerja e mandatit të parakohshëm të një anëtari të Këshillit (kur nuk vjen për shkak të dorëheqjes vullnetare, shfuqizimit të tërë institucionit ose për arsye të tjera të ngjashme) duhet të lidhet gjithmonë me një keqbërje të identifikueshme ose dështim në ushtrimin e detyrës së tij ose të saj. Anëtarët e KPK-së nuk duhet të ‘fajësohen’ thjeshtë sepse shumica parlamentare ose kolegët e tyre nuk pajtohen me vendimet që ata marrin. Po ashtu, në konkluzionet e opinionit, në pikën 71, shprehimisht thuhet se reforma nuk duhet të qoj në nënshtrimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj shumicës qeverisëse e që propozimi i Ministrisë së Drejtësisë rritë rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Please follow and like us: