Ilir Levonja: Një kamion me para dhe shpërblimi i pensionistëve
Mjaft u befasuat me vjedhjet qeveritare. Të gjithë janë hajdutër. Me aq miliarda lekë sa janë vjedhur, nuk do ishte marrë asnjë borxh publik, nuk do ishte kërkuar asnjë eurobond etj. Madje ndihma sociale do ishte dyfishin e shumës aktuale. Pensionet po ashtu. Rrogat mesatare nuk do ishte me ulta e rajonit, por më e larta. Gjithashtu sot, nuk do përbente lajm publik fondi i gjelit për pensionistët. Një lëmoshë tashmë tradicionale e shtetit më të korroptuar në rajon. Mbaj mend se vitin e kaluar, pas kërkesave të shumta, Shqipërisë iu akorduam 1. 15 miliar euro nga Komuniteti Europian. Kjo u servir si një sukses qeveritar, madje bota e internetit vlonte nga kënaqësia apo ”suksesi” i Edi Ramës. Kur nuk e kisha menduar se shoqëria jonë do gëzonte nga të ashtuquajturat ndihma europiane në formën e kredive të buta, që dmth, borxh publik. Një ironi e kohës që ua mbushte gjoksin burrave tek ecnin xhirove të mbrëmjes. Nostalgji kolektive, dikur na ndihmoi Jugosllavia, pastaj Rusia, më pas Kina, tani Europa. Kishim mundur edhe opozitën ”llapaqëne” etj. Ata që na shikojnë vëngër. Në ndjesinë tonë është krijuar prej kohësh një hendek social aq sa mbyllim sytë nga inati karshi njëri-tjetrit, kësisoj ata në krye nuk e kanë problem të vrasin e të presin. Të vjedhin sa të duan pa pasur kurrë frikën e ligjit a organeve të drejtësisë. Kjo na ka bërë të atillë sa të harrojmë thelbin, demokracia a ekonomia e tregut vepron mbi taksat tuaja. Kurrë nuk e kuptuam se përshembull ky Lefteri i plehrave, nuk ka vjedhur shtetin, por ju. Kurrë nuk e kuptuam se kur Edi Rama, apo edhe ata përpara tij, marrin një borxh publik, nuk penalizojnë xhepat e tyre, por xhepat tuaj. Nga ky hendek publik kemi gjithmonë dy pamje, sot shteti hesht dhe distancohet nga hujduti, ashtu edhe përkrahësit e tij, ndërkohë që pëllet pala tjetër.
Megjithatë shifra aq marramendëse sa në një vend normal do kishte rrëzuar gjithë qeverinë. Por kjo nuk ndodh. Pasi në Shqipëri nuk ndodh si në Perëndim. Socialisti nuk e dënon socialistin. Kurse në Perëndim, vendi rregullohet, pasi i pari është socialisti ai që godet shtetin që e ka votuar. Demokrati del në rrugë, nuk mban konferenca që ta shpifin. O mbush rrugët, o hap krahun. Sipas të dhënave paraprake ku vetëm rryshfeti është 4 milion euro. Për ta kuptuar në lekë, një kamion me para të thata. Që dmth një ish ministër ka marrë nga paratë tuaja 4 milion euro bakshish. Aq sa mund të bëhej të paktën bonifikimi i Lezhës që mos të ndodhnin përmbytjet. Apo shtratifikimi i Osumit që të mos përmbytej Berati. Lëre pastaj të shtosh edhe shumat e përfituesve në dikasterë të tjerë, në Bashkitë e vendit. Tani një pyetje naive, kur ka marrë ky Lefteri 6 milion euro, vërtetë thatë ka mbetur ai i madhi.? Duhet një naivitet social shqiptar që ta besosh.