Lutfi Alia: Dante dhe Kadare, princi i letërsisë mbarëshqiptare
Viti 2005, shënoi një evenimet të rëndësishëm në veprimtarinë letrare të Ismail Kadaresë. Pas një pritje të gjatë, mëdyshjesh dhe paragjykimesh të padrejta ideologjike dhe i renditur në garë përkrah me më të mëdhenjtë e letërsisë botërore si Gabriel Garcia Marquez, Milan Kundera, Margaret Atwood, Philip Roth, John Updike e me shumë të tjerëve, më së fundi dhe për merita, juria e madhe i akordoi Ismail Kadares çmimin prestigjoz “Man Booker International”. Pas nderimit me këtë çmim të shumë pritur dhe të merituar, Ismail Kadare iu prezantua lexuesve me disa vepra të reja e ndër ato, po në vitin 2005 botoi “Dantja i pashmangshëm ose Histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligerin”, e përkthyer në italisht “Dante l’inevitabile” nga Françeska Spinelli.
Atë kohë, shqipërimit të mrekullueshëm të Pashko Gjeçit, i mungonte një ese, një vepër dedikuar Dantes dhe këtë boshllëk e mbushi denjësisht Ismail Kadare. Kjo vepër e Kadaresë u mirëprit me entusiazëm jo vetëm nga lexuesit shqiptarë, por dhe nga të huajt e sidomos nga lexuesit e shumtë italianë. Në atmosferën e suksesit të ri, Ambasada Italiane në Tiranë, organzoi promovimin e librit të Ismail Kadare dhe në këtë aktivitet mori pjesë dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Dr. Attilio Massimo Ianucci, i cili në diskutimin e tij e vlerësoi këtë sprovë të Ismail Kadares me komplimenta dhe lëvdata të merituara, nga ato që i mungojnë fjalorit të kritikës shqiptare. Kjo vepër e re e Ismail Kadare nuk erdhi rastësisht, përkundrazi pritej prej kohësh, sepse mungonte një vepër që të trajtonte raportet e bashkëpunimit historik dhe kulturor të popullit shqiptar me Danten dhe me popullin italian. Në shtator të vitit 1997, në Certaldo (Toskana – Itali), Ismail Kadaresë i akorduan çmimin ndërkombëtar “Giovanni Boccaccio” dhe në diskutimin e tij, Kadare e përkufizoi fisnikun toskan Dante Alighierin “Princi i letërsisë dhe babai i gjuhës italiane, princi i unitetit të Italisë, një shembull për të gjithë ne”. Prej shumë kohe, Kadare kishte menduar dhe kishte hedhur shënime për Danten dhe ishte vetë Dante që e kishte inspiruar t’i dedikohej në një sprovë, e cila më së fundi arriti natyrshëm, si çdo libër i krijimtarisë Kadareiane.
Shumë lexues, të nxitur nga kurjoziteti mund të pyesin: kush janë të rejat që na sjell Kadare me këtë libër me 70 faqe? Përgjigjiet janë të shumta, së pari është fakti, që në çdo botim të ri, Kadare është plot me risi, por përgjigjien më të plotë e ka dhënë vetë autori: “Kam filluar të shkruaj i inspiruar nga dashuria Danteske, sipas Dante Alighieri dashuria është forma ideale e inteligjencës humane, gjithë të tjerat vijnë pas dashurisë”. Më tej Kadare shton: “Në historinë e popujve ekzistojnë paradokse shenjtërimi, Dante është një ndër ato të pashmangëshmit”.
Dante Alighieri ka shkruar shumë vepra, por mbi të gjitha shquhet kryevepra e tij “Komedia Hyjnore” dhe veprimtarisë së tij krijuese i janë dedikuar me dhjetramijëra shkrime, komente dhe vepra të shumta, por në se shkohet në bibliotekën e Santa Croce (Kryqi i Shenjtë) në Bologna, që ndodhet në një mjedis të madh mesjetar të shekullit XI, do të gjendeni të rrethuar me rafte të mbushura me libra të Dantes dhe të shkruara për Danten, por nuk është e nevojshme të shkohet aq larg e për më tepër në këto kohë të tronditura nga koronavirusi (Covid-19), por mjafton të shkohet në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar dhe aty do të gjeni pesë kilometra dokumenta të Dantes dhe për Danten.
Një përgjigjie tjetër autori e jep me nëntitullin e kësaj sprove, që shpreh atë që mungonte: një Histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligerin dhe më tej “kjo është një përpjekje për të prezantuar marrëdhëniet e fqinjës më të afërt të Italisë dhe të Dante Alighierit me Shqipërinë e vogël (faqe 14) dhe në vazhdim shton: “… është pasioni i Shqipërisë së vogël të shprehi historinë e saj me Dante Alighierin”. (f. 71)
Në prezantimin e veprës të Kadares “Dantja i pashmangshëm”, kritiku i artit Aurel Plasari theksoi: “Në leximin e parë të kësaj sprove, të lidhjeve të Shqipërisë me Dante Alighierin, të krijohet përshtypja se jemi mbledhur në nje festë poezie, ku ndodhen Dante Alighieri në një anë dhe Ismail Kadare në anën tjetër, por në fakt më lejoni të theksoj se më shumë se një festë për poezinë dhe për poetët, kjo është një ceremoni dedikuar dy mentorëve (saggisti), njeri italian – Dante Alighieri dhe tjetri shqiptar – Ismail Kadare”.
Me botimin e “Dantja i pashmangshëm”, Ismail Kadare prezantohet përsëri si esseist, ku shpreh në mënyrë sintetike dhe fuqishëm mendimet e tij me një alegori të sofistikuar Kadareiane. Dihet se Dante studiohet jo vetëm në lëndët e letërsisë, por studiohet dhe për mendimet folizofike dhe në historinë e mendimit italian. Kështu si veprohet me Danten, nuk ndodh me Kadaren, kritika dhe letërsia shqiptare ende nuk është ulur të studioi dhe të përgjithësoi mendimet Kadareiane, që janë një pasuri e madhe letrare dhe kulturore.
Me botimin e sprovës “Dantja i pashmangëshmi”, Ismail Kadare i rikthehet përsëri raporteve të kulturës shqiptare me kulturat europiane dhe botërore, ashtu si kishte vepruar me esetë për Eskilin, Dosjen H, Servantes etj, duke shprehur sa aktual është ky motiv i vjetër, në mënyrë të veçantë kur na kujton si Shqipëria e kishte humbur përkohësisht Europën. Këtë rrethanë, Kadare e përshkruan si paralele me humbjen e Dantes, duke e trajtuar fatin e Shqipërisë me vdekjen e poetit të madh. Dialogu i Kadaresë me kulturat europiane, prezantohet si një provë e re, duke bashkuar historinë dhe kulturën shqiptare, me atë europiane. Këto aspekte, Kadare i përshkruan me stil lakonik dhe elokuent, me pasuri admiruese gjuhësore, me stil dantesk, duke shprehur dhe shqetësimet e brendshëme, duke prekur vuajtje dhe pengjet, i trajton ngjarjet shqiptare me preokupim patriotik, pra me të njëjtën mënyrë si Dante Alighieri trajtonte Italinë e kohës së tij. Ky trazim shpirtëror i Kadares është i lidhur me fatin e Shqipërisë, me afërsinë dhe largësinë me Europën. Për të shprehur këtë realitet, Kadare zgjodhi Dante Alighierin, frymëzuesin e tij. Historia e Shqipërisë është e mbushur me plot ngjarje dantekse, me të mira dhe të këqia, me suksese dhe dështime, me lufta dhe paqë hyjnore, me konflikte dhe harmoni, ku emocionet dhe pasionet herë pas here janë shndërruar në materie eksplozive, për të krijuar frikën dhe nënshtrimin, ku pushtet janë ushqyer nga hakmarrjet primitive, çka jo rrallë dëshirat për progresjanë penguar nga mediokrit dhe karieristët. Këto realitete Kadare nuk i fsheh, përkundrazi, ashtu si në shumë vepra të tij dhe në këtë sprovë, i shpreh hapur gjatë bashkëbisedimeve me Dante Alighierin, duke e prezantuar Shqipërinë si një realitet dantesk “në krizë morale”, por dhe duke treguar rrugët për daljen nga këto situata. Në Komedinë Hyjnore Dante kishte udhërrëfyes Virgjilin, Stacin dhe Beatriçen, ndërsa Ismail Kadare në sprovën e tij, ka udhërrfyes Dante Alighierin