Albspirit

Media/News/Publishing

“Dëborë ruse në samitin Putin-Micotaqis”, Shaban Murati: “Analiza e dështimit për kryeministrin dhe diplomacinë greke”

Nga Shaban Murati

 

Qeveria dhe diplomacia greke kishin ushqyer shpresa të mëdha për takimin dhe bisedimet e kryeministrit grek Kiriakos Micotaqis me presidentin rus Vladimir Putin në Soçi në datën 8 dhjetor, që ishte edhe takimi i parë me presidentin rus i kryeministrit grek, qysh nga koha kur mori postin e kryetarit të qeverisë në korrik të vitit 2019.

Gazeta e njohur greke “Ekathimerini” shkruante në 7 dhjetor, një ditë para takimit Putin-Micotaqis: ”Kryeministri Micotaqis kur të takojë presidentin Putin nesër do të përpiqet që t’i japë fund traditës së marrëdhënieve greko-ruse të fjalimeve të mëdha dhe të rezultateve praktike zero”.

Samiti dypalësh përfundoi dhe kryeministri grek u kthye në atdhe duarbosh, sepse presidenti Putin hodhi borë ruse në bisedimet me kryetarin e qeverisë së një shteti të vogël ballkanik, anëtar të NATO-s dhe të BE.

Përveç retorikës pa ngjyrë për lidhjet historike dhe kulturore, ajo që lexohet në faqen “kremlin.ru” të presidentit rus nga konferenca e përbashkët e shtypit e Putinit me Micotaqisin, të bind për dështimin, sepse u quajtën “rezultate” shtyrja gjashtë muaj e “ Vitit të historisë Rusi-Greqi” aktivitet që ka qenë gjatë vitit 2021, miratimi i një “Plani të Përbashkët Veprimi 2022-2024” për marrëdhëniet ekonomike dhe për fusha të tjera bashkëpunimi, shuarja e zjarreve në Greqi gjatë verës me ndihmën ruse, njohja nga Greqia e certifikatës së vaksinës ruse “Sputnik”, si dhe përkrahja e Athinës për kandidaturën e Rusisë si vend mikpritës i Ekspozitës Botërore Universale EXPO-2030.

Është një bilanc shumë i varfër edhe për një ministër, pale për samitin e parë Putin-Micotaqis, të kërkuar dhe të programuar nga diplomacia greke që prej vitit 2019.

Blloku i parë i akullit rus ishte refuzimi i presidentit Putin në bisedimet e Soçit për të pranuar kërkesën e qeverisë greke për uljen e çmimit të gazit, që Rusia i shet Greqisë. Në konferencën e përbashkët të shtypit pas bisedimeve, Putin i përmendi jo pa qëllim kryeministrit grek se Greqia plotëson me gazin rus 40 përqind të nevojave të saj.

Kjo ishte për t’i kujtuar mysafirit varësinë e Greqisë nga gazi rus dhe nevojën madhe greke për gazin rus. Sidomos në situatën e tanishme ndërkombëtare të një krize energjitike të lidhur me çmimet shumë të larta të gazit dhe të energjisë në tregun ndërkombëtar, pozita e shteteve importuese të gazit apo të naftës ruse është bërë tepër kritike.

Ndaj dhe Athina iu drejtua Kremlinit me kërkesën zyrtare për ulje të çmimit të gazit, që Rusia i shet Greqisë. Por presidenti rus nuk i akordoi Greqisë as dhuratën gjashtëmujore të gazit me çmim të ulur, që i bëri Serbisë në 25 nëntor, kur takoi presidentin serb në Soçi.

Burime diplomatike nga Athina bëjnë të ditur se presidenti Putin në bisedimet me kryeministrin grek e ktheu mbrapsh me mospërfillje kërkesën greke për gaz rus me çmim të ulur. Në datën 11 dhjetor agjencia ruse “lenta.ru” publikonte deklaratën e prerë të Dmitri Peskovit, sekretar shtypi i presidentit Putin, i cili i shpallte publikisht palës greke se “Rusia nuk ka ndërmend të ulë çmimin e gazit për Greqinë”.

Madje agjencia ruse jepte edhe tonin përçmues të deklaratës së zëdhënësit të mësipërm të Putinit, i cili i drejtohej Greqisë: “A mos doni ju që ne t’jua japim pa para gazin natyror”?

Kuptohet se refuzimi i presidentit rus për të dhënë një ulje të çmimit të gazit, që Rusia i furnizon Greqisë, ka brenda këtij vendimi një përmbajtje të qartë politike. Është e njohur që Rusia e përdor varësinë e shteteve të ndryshme nga gazi i saj si armë politike për të ushtruar presione dhe për të krijuar vartësi politike dhe lëshime politike.

Është e njejta strategji politike në vendimin e presidentit Putin për uljen e çmimit të gazit rus për Bjellorusinë dhe Serbinë, dhe për shtërngimin e jashtëzakonshëm ndaj Ukrainës lidhur me tranzitimin e gazit rus nëpër gazsjellësin ukrainas dhe për ta detyruar atë shtet të dorëzohet.

Blloku i dytë i akullit rus, që ndeshi kryeministri grek, është refuzimi presidentit Putin ndaj kërkesës apo pretendimit të qeverisë greke për të marrë një rol specifik në marrëdhëniet e Rusisë me BE dhe me NATO-s, pra për të përfituar një rol të ri diplomatik grek me përmasa europiane dhe atlantike.

Fondacioni i njohur grek i politikës së jashtme “Eliamep”, që financohet nga shteti grek, në një analizë në prag të takimit Putin-Micotaqis, e përcaktonte në 3 dhjetor këtë kërkesë si “përgatitje e qeverisë greke për të sjellë një dialog të ri BE-Rusi”. Kurse media “greekcitytimes” shkruante në 7 dhjetor se “Miti numër 1 se Athina mund të luajë një rol ndërmjetës është një dëshirë e zjarrtë e disa qeverive greke, të cilat e mbivlerësojnë potencialin e tyre”.

Presidenti rus jo vetëm e refuzoi përçapjen diplomatike të kryeministrit grek për “rol ndërmjetësi”, por i kërkoi hapur që Athina të distancohet nga politika e tanishme ushtarake e NATO-s. Qëndrimin e ashpër të Kremlinit ndaj Greqisë në këtë drejtim e paraqiti sekretari i shtypit i presidentit, Dmitri Peskov, me deklaratën e dhënë nga agjencia zyrtare ruse e lajmeve “TASS” në 11 dhjetor:

“Rusia është e shqetësuar për transportin e pajisjeve ushtarake të NATO-s dhe të SHBA përmes portit grek të Aleksandropullit. Keni shumë e më shumë ushtarë të NATO-s dhe ushtarë amerikanë në territorin tuaj. Ju po hapni baza të reja për NATO-n, në kohën që NATO na cilëson “armik”.

Në këtë mënyrë Moska i theu Athinës çdo aspiratë, që diplomacia greke kishte shprehur në qarqet diplomatike, se Greqia mund të luajë një rol ndërmjetës në dialogun e Rusisë me BE dhe NATO-n, si dhe në konfliktin e tanishëm midis Rusisë dhe Ukrainës.
Presidenti Putin e hodhi poshtë çdo aluzion të kryeministrit grek që Moska t’i jepte një shans për ndonjë hapësirë apo mundësi ndërmjetësimi grek në dialogun e Rusisë me BE dhe me NATO-n.

Është e kuptueshme se Rusia si fuqi e madhe nuk mund të pranojë që një shtet i vogël ballkanik të marrë rol ndërmjetësi në dialogun e saj me BE dhe me NATO-n.

Takimi Putin-Micotaqis u zhvillua të nesërmen e bisedës telefonike, që patën midis tyre presidenti amerikan Biden dhe presidenti rus Putin për çështjet me të mprehta të gjendjes ndërkombëtare, që nga marrëdhëniet dypalëshe amerikano-ruse e deri tek konflikti në kufijtë Rusi-Ukrainë. Uashingtoni dhe Moska, Brukseli dhe Moska, as që mund ta shkojnë nëpër mend se mund të pranojnë ndonjë rol të Greqisë në marrëdhëniet midis tyre.

Blloku i tretë i akullit rus kishte të bënte me refuzimin e presidentit Putin ndaj kërkesën së kryeministrit Micotaqis per bashkim të Rusisë me politikën antiturke të qeverisë greke. Kryeministri grek bëri një gabim taktik dhe strategjik që në bisedimet me presidentin rus tentoi t’i kërkonte Moskës një aleancë greko-ruse kundër Turqisë.

Është një llogari e gabuar strategjike dhe diplomatike, sepse një politika e një shteti të madh si Rusia ka dimensione makrostrategjike dhe parametra makrofuqie, ku Greqia nuk arrin dot. Në median greke “greeekcitytimes” në 7 dhjetor profesori grek i Kolegjit të Londrës, Manos Karagiannis, shkruante në një analizë të tij rreth bisedimeve të kryeministrit grek në Soçi:

“Konvergjenca e interesave Rusi-Turqi përbën një kërcënim për Greqinë. Është interesante se forcimi i marrëdhënieve Rusi-Turqi koincidon me keqësimin e marrëdhënieve greko-ruse”.

Edhe konferencën e përbashkët të shtypit me Putinin kryeministri grek e përdori për të sulmuar një shtet të tretë, gjë që nuk është shumë etike në diplomaci. Aq më pak etike është që një shtet anëtar i NATO-s, Greqia, i ankohet një shteti armik të NATO-s, Rusisë, për një shtet aleat të NATO-s, Turqinë. Micotaqis deklaroi:

”Unë në mënyrë të pakuivok i theksova në bisedimet se Turqia jo vetëm është angazhuar në një retorikë inflamatore, por gjithashtu në veprime agresive që dhunojnë ligjin ndërkombëtar dhe rrezikojnë shpesh stabilitetin rajonal”.

Turkofobia është bërë motori kryesor lëvizës i diplomacisë greke, e cila po shpenzon përpjekje kolosale dhe miliarda dollarë blerje armatimesh për të joshur shtetet të ndryshme në aleanca antiturke, që nga Izraeli e deri te Franca. Mirpo presidenti Putin e refuzoi joshjen antiturke të kryeministrit grek.

Nga dështimi i samitit të presidentit rus me kryeministrin grek dalin disa elemente.

Së pari, që diplomacia e një shteti të vogël si Greqia nuk mund të harrojë në veprimin e saj ndërkombëtar rregullatorin themelor të hierarkisë dhe të dispropocionalitetit sipas fuqisë dhe madhësisë. Se pavarësisht se mund të ulesh në tavolinë me presidentin rus, kinez apo amerikan, nuk duhet harruar kurrë se çfarë shteti dhe pushteti përfaqëson një shtet i madh, i mesëm apo i vogël.

Qeveria aktuale greke po zhvillon me fanatizëm një diplomaci disproporcionale, e cila shkon përtej fuqisë reale politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake të Greqisë. Pretendimet e diplomacisë dhe të qeverisë greke për t’u bërë faktor kryesor mesdhetar, ballkanik, kaukazian apo në Veriun e Afrikës, janë diplomaci e hijes së mëngjesit dhe një ambicje hiperbolike në kufijtë e sureales për fuqitë dhe mundësitë reale të shtetit greke.

Realitetin e fuqisë duket nuk e pati në konsideratë kryeministri grek në bisedimet me presidentin rus, ndaj dhe nuk mund të kishte rezultat në pretendimin e një roli diplomatik të Greqisë në raportet e Rusisë me BE dhe me NATO-n. Ariu nuk banon dot në shtëpinë e mizës.

Së dyti, Greqia i ka dhënë një rol prioritar fesë në marrëdhëniet me Rusinë, duke harruar se në shtetin më të madh ortodoks në botë prevalon hegjemonia e pushtetit botëror dhe jo feja. Kryeministri grek i mëshoi kësaj fryme arkaike edhe në bisedimet e Soçit dhe në konferencën e përbashkët të shtypit i përmendi presidentit rus se të dy shtetet kanë luftuar sëbashku si ortodoksë kundër perandorisë osmane në 1821.

Por për Rusinë si fuqi e madhe nuk është feja që drejton politikën e jashtme, por është politika e jashtme që drejton fenë. Politika e jashtme ruse përcaktohet dhe udhëhiqet nga interesat e mëdha të Rusisë për sundim botëror dhe jo nga interesat e kishës ortodokse ruse. Kisha ortodokse ruse është në shërbim të shtetit rus, të diplomacisë ruse dhe të presidentit rus.

Nëse shteti bisedues nuk përputhet me prioritetet politike apo strategjike ruse Moska nuk e merr në konsideratë njejtëshmërinë fetare. Mjafton të kujtojmë se presidenti Putin e pret dy herë në vit udhëheqësin separatist të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, që përfaqëson vetëm një entitet të vogël dhe jo një shtet, ndërsa me zor e priti kryeministrin grek pas dy vitesh e gjysëm në krye të qeverisë greke.

Të dy politikanët ballkanikë janë ortodoksë, por për Moskën interesi më i madh aktual është Dodiku, që po krijon tensione në qendër të Ballkanit siç i intereson Rusisë.

E njejta mund të thuhet edhe për përdorimin nga diplomacia të lidhjeve të vjetra historike, që duhen parë gjithmonë në funksion të interesave politike dhe gjeopolitike aktuale.

Kryeministri grek u përpoq të krijonte klimë familjare diplomatike, duke i shfletuar presidentit rus hartën historike të lidhjeve dypalëshe, që nga ministri i jashtëm rus që ka qenë kryetari i parë i shtetit grek, që nga pranimi i faktit se Rusia krijoi shtetin grek, dhe deri te vjershat e poetit të madh rus Pushkin për luftën e popullit grek për liri. Madje i përmendi se ai ka qenë dikur për vizitë në Bashkimin Sovjetik me një delegacion të babait të tij kryeministër, Kostantin Micotaqis.

Mirpo kontorno historike është pa vlerë dhe pa efekt në diplomaci, nëse nuk ekziston interesi strategjik i momentit.

Samiti Putin-Micotaqis ishte një dështim për kryeministrin grek dhe për diplomacinë greke. Duket se do të duhet kohë që diplomacia greke të mësojë se marrëdhëniet midis shteteve duhet të jenë proporcionale me takatin. Objektivat dhe veprimtaria e qeverive dhe e diplomacisë operojnë brenda kufijve të madhësisë dhe të fuqisë, të cilat janë rregullatori determinues në sistemin ndërkombëtar të shteteve.

Greqia e harron dhe e ka harruar disa herë këtë rregull të artë. Ndaj dështoi para dy dekadash të realizonte ambicjen e saj që të bëhej lokomotiva e Ballkanit. Dhe duke ndjekur të njetën rrugë dhe mentalitet të gabuar nuk do të realizojë dot as ambicjen e tanishme të kushtueshme për t’u bërë lokomotivë e Mesdheut./gazeta dita

Please follow and like us: