Albspirit

Media/News/Publishing

Gjermania nderon me Medalje Argjendi piktorin shqiptar dhe djalin e tij

Piktori shqiptar më famë ndërkombëtare Gjergj Kola ka qenë i ftuar nderi në Berlin në një ekspozitë të rëndësishme ku merrnin pjesë artistë nga e gjithë bota. Ekspozita u mbajt në Art Gallery Zeidler, Artcom Expo International, në fund të nëntorit, dhe shënoi një sukses të jashtëzakonshëm në Gjermani. Në këtë ekspozitë piktori Kola u përfaqësua me 15 vepra të cilat janë pjesë e pashkëputur e krijimtarisë së tij artistike në këto 30 vite pune intensive kudo në botë. Në këtë event Kola u nderua me Medalje Argjendi për veprën ‘Artisti’, e cila i dedikohet artistit të ri, të paharruar Atjon Zhiti, djalit të shkrimtarit dhe poetit të shquar disident z.Visar Zhiti. Tabloja në teknikën e akuarelit është pjesë e buceteve të një kompozimi monumental mural për një nga muzeumet e artit në Lombardi.

“Arti dhe kultura nuk janë luks por domosdoshmëri jetike që favorizon vijimin normal të jetës së njeriut. Duke qenë të sigurt se të gjithë dashamirësit tanë i gëzohen një suksesi dhe vlerësimi të artit të pastër viziv që praktikon djali jonë Sebastian, ne u suprizuam nga ftesa qe morëm nga e nderuara Baronesa Jiselda Salbu për promovimin e vizatimeve të djalit tonë të shtrenjtë Sebastian në eventin ndërkombëtar artistik në galerinë prestigjioze Art Gallery Zeidler në Berlin të artistes së shquar Marta von Zeidler”, theksoi Kola në fjalën e tij, ndërsa shtoi se Sebastiani përfaqësoi dhe nderoi në këtë event ndërkombëtar artistik, jo vetëm familjen e tij, por të gjithë bashkëmoshatarët, shkollën dhe profesorët në Riva del Garda në Itali, ku  familja e tij jeton prej vitesh, e mbi të gjitha nderoi Shqipërinë dhe Lezhën historike nga ku ka edhe prejardhjen.

Krahas ekspozimit të pikturave në këtë event u u prit me mjaft entuziazëm edhe prezantimi i librit të Gjergj Kolës “Tri legjendat shqiptare” me tekstin e përpunuar nga bashkëshortja e piktorit , Vjollca Kola, si dhe 60 ilustrime që u ribotuan edhe në gjermanisht, pasi me herët ishin përshtatur në shqip, italisht, anglisht, greqisht dhe rusisht.

Please follow and like us: