Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Bejko dhe njeriu universal në letërsi

Duhet theksuar, se qysh në fillimet e veta poetike, si rrallëkush në atë kohë, S.Bejko me mënyrën e vet nuk iu përgjigj komandës ushtarake “Eja në radhë!”. Me një pjekuri të parakohshme ai u kujdes që qetë-qetë e gradualisht, por gjithnjë në rritje e deri në kristalizimin e plotë të identitetit të tij, të pasurojë thesarin poetik me prurje të reja cilësore, duke sjellë një zë krejt të veçantë në ansamblin e poetikës shqiptare. Nuk mund të themi se fusha e novatorizmit të tematikës dhe kryesisht formës, mjeteve shprehëse dhe larmisë së stileve ishte krejt e palëvruar, ajo kishte një traditë të hershme migjeniane. Në vazhdimësi të kësaj tradite dhe në kushte të reja, në vitet 60-70 pati disa përpjekje, disa sprova të rinjsh për t’iu shmangur kodeve të ngurta të realizmit socialist, por që u mbytën qysh në djep: disa prej tyre e kyçën gojën nën dajakun e Inkuizicionit revolucionar, ca u mobilizuan, veshën uniformën revolucionare të Partisë, ca të tjerë u lejuan përkohësisht deri në një ‘’urdhër të dytë’’.

Në udhën e traditës së novatorizmit kryesisht të formës dhe larmisë së mjeteve shprehëse artistike, ashtu siç shpërtheu fuqishëm poeti Fatos Arapi, po ato vite nisi rrugëtimin e sukseshëm letrar edhe Sadik Bejko. Po e bëj këtë qasje jo rastësisht, por sepse, falë disa tipareve krijuese, i shoh të dy si ‘’vëllezër poetikë’. Natyrisht, ashtu siç ndodh tek gjithë vëllezërit, ata kanë edhe të veçantat e tyre. Nisur nga këto veçanti, do të varej edhe rrugëtimi i tyre poetik, edhe fati i tyre jetësor: F. Arapi do të ishte ‘’i paprekshëm’’, ndërsa S. Bejko ‘’I brishtë’’.

S.Bejko, falë një prirjeje të brendshme të natyrës së tij, qysh në fillimet e para letrare, ndryshe nga të tjerët, vuri në fokusin poetik njeriun universal. Nëse F. Arapi u përqendrua në temat e mëdha, në shqetësimet epokale të historisë dhe revolucionit, duke përfshirë në to si pjesë integrale edhe kontributin shqiptar, dhe këtu padyshim pati realizime dinjitoze cilësore, S. Bejko, përkundrazi, nuk u ngjit lart në qiejt e temave epokale, por zbriti poshtë, hyri thellë vetvetes, thellë njeriut, thellë asaj bote të brendshme, atij shpirti të trazuar njerëzor ku gërshetohen dhe grinden përjetësisht dashuritë dhe urrejtjet, gëzimet dhe trishtimet, dilemat dhe paradokset e njeriut universal, njeriut mbikombëtar.

Pranë teje qan një grua në mbrëmje.

Ti vetmohesh, ndihesh fill e i vetëm në

botë.

Bota e madhe me qytetet, me pyjet,

shkretëtirat,

Ti vidhisur krejt tek kokrra-kokrra

Një grua thërrmohet në lotë.

Një grua, vetëm grua që qan.

Botën tërë e tëhollon, e shndrin në ca

lotë

Qan heshtur, heshtur si më e heshtura:

Nën gurë

po shtrydhen rrush te m’e bukura

shportë?

“Qan një grua”

Edhe F. Arapi, meqë e përmenda më lart, duhet thënë se me kohë, falë talentit të tij të fuqishëm, gradualisht zbriti nga qiejt e historisë e të revolucionit, zbriti në botën e pasur e të thellë të njeriut. Dhe në këtë fushë ka lënë mjaft poezi (të botuara vonë), perla të vërteta.

Sadik Bejko zë një vend të veçantë, mbetet i rrallë në profilin hulumtues të njeriut universal, jo ngushtësisht shqiptar, por përtejshqiptar, njeriu i botës, ai që vjen nga rruga e gjatë dhe e lashtë e njerëzimit që nga piramidat e Egjiptit tek Haamurabit dhe këngët e Solomonit. Falë kësaj të veçante, ashtu siç ndodh kudo, poetët e këtij lloji janë qytetarë të botës, ata kanë privilegjin që, të përkthyer në gjuhët e huaja, të ndihen anglezë në anglisht, francezë në frengjisht dhe indianë në indisht. Sepse bejko kërkoi dhe kërkon tjetër dritë në poezinë bashkohore shqipe. Dritën e poezisë së ngjizur me lënde hyjnore. Ashtu si mugari i shpellës Aram që kërkonte dritën e së vërtetave të epërme, ashtu poeti ynë solli në letërsinë shqipe, poezi të një kalibri që jo çdokush  mund të arrijë t’i kuptojë e t’i shijojë. Kredoja poetike e Bejkos tingëllon më bukur se askund tjetër në këto vargje të tij të poezisë “Letër Hamurabit”.

Pse më tundon, zoti im, me sjellje të këso

bote?

Njerëzit këtu janë me nga një bodrum

të zi,

me nga një hambar terri mbi shpinë dhe

nën tru.

Kur ata bien nga shpellat në bodrumin

e vetes,

për ta s’ka më nënë, mik e të dashur,

janë më të ftohtë se një gur,

më të thatë se një dru./exlibris

Please follow and like us: