Albspirit

Media/News/Publishing

Ju tmerrojnë konspiracionistët, mos dëgjoni asgjë prej tyre!

Nga John Rentoul, “The Indipendent”

Sipas një sondazhi më të fundit të bërë nga kompania “Ipsos MORI”, duket se njerëzit “besojnë” më shumë teorinë se Diana Princesha e Uellsit u vra, sesa atë se vdekja e saj ishte aksidentale. 42 për qind e  njerëzve bien dakord me pretendimin se “nuk ishte një aksident”, ndërsa 27 për qind nuk pajtohen me këtë ide, ndërsa pjesa tjetër nuk e dinë ose nuk kanë asnjë mendim mbi këtë çështje. Studimi zbuloi nivele të ndryshme të besimit tek teoritë konspirative. Shumica e 11 shembujve të testuar nga “Ipsos MORI”, zbuluan se shumë njerëz nuk binin dakord se ai ishte një aksident.

Ideja se antenat e telefonisë celulare 5G janë përgjegjëse për përhapjen e Covid-19 u cilësua e “besueshme” nga vetëm 2 për qind e të rriturve në Britaninë e Madhe. Ndërkohë pretendimi se vaksinat kundër Covid-19, janë një justifikim për implantimin e mikroçipeve tek njerëzit, besohet nga vetëm 4 për qind e të anketuarve. Teoritë se ndryshimi i klimës nuk po ndodh për shkak të aktivitetit njerëzor, se sulmet e 11 Shtatorit 2001 në SHBA ishin një shkatërrim i kontrolluar nga shërbimet sekrete amerikane, dhe se rezultati i zgjedhjeve të vitit 2020 në SHBA u manipulua, u hodhën poshtë me diferenca të mëdha.

Megjithatë, secila prej tyre u konsiderua si “e besueshme”nga pakica domethënëse (respektivisht 14. 14 dhe 18 përqind).Teoritë e konspiracionit kanë rëndësinë e tyre, pasi ato mund të jenë të rrezikshme. Ndoshta nuk ka shumë rëndësi që njerëzit mendojnë se Diana u vra; por teoritë e tjera kanë pasoja.

Kjo pasi disa njerëz kanë sulmuar dhe u kanë vënë zjarrin antenave 5G. Në SHBA, teoria e vjedhjes së zgjedhjeve përfundoi me sulmin mbi Kapitol Hill, në të cilin mbetën të vdekur 5 njerëz. Dyshimet rreth vaksinave – të cilat variojnë nga paranoja e plotë deri tek kontestimet e arsyeshme rreth rrezikut të tyre – janë për momentin një çështje shumë e diskutueshme.

Kjo është arsyeja pse “Ipsos MORI” ndërmori një kërkim se si mund të luftohen më mirë teoritë e konspiracionit. Leksionii parë është të mos i quajmë ato teori konspirative, sepse kjo i etiketon menjëherë si të paarsyeshëm apo budallenj ata që besojnë tek to.

Po ashtu hulumtimi zbuloi se shumë teori janë të lidhura me zemërimin, dhe tek ato janë të prirur të besojnë njerëzit me të ardhura të ulëta dhe ata që nuk kanë mbaruar arsimin e lartë. Për më tepër, midis disa pakicave, skepticizmi i qeverive, elitave dhe mediave mund të justifikohet mbi baza historike.

Për shumë njerëz, teoritë e konspiracionit ofrojnë shpjegime dhe një ndjenjë kontrolli,nëpërmjet të kuptuarit të një bote që duket armiqësore. Por ato janë një vazhdimësi, nga QAnon në njërën anë, deri tek dyshimi se kryeministri mund të mos na tregojë gjithçka që di, për shembull mbi organizimet për festën e tij të Krishtlindjeve vitin e kaluar.

Në fakt, pjesa më e madhe e politikës ndërtohet rreth teorive konspirative të llojeve të ndryshme. Vetëm këtë javë, deputetët laburistë hodhën sërish akuza ndaj qeverisë britanike se ajo ka në plan të “privatizojë Sistemin Shëndetësor Kombëtar, NHS”.

Kjo akuzë mbetet e rreme pasi nuk ka asnjë fakt që e vërteton këtë. Partia Konservatore e di shumë mirë se sa popullore është NHS-ja, dhe nëse qeveria do të kishte në plan që t’ia shiste atë privatit, mund ta kishte bërë këtë edhe më parë. E megjithatë kjo është një mendësi e zakonshme në të dyja anët e politikës.

Libri “Kalorësi i Errët dhe Mjeshtri i Kukullave” i Kris Klark shpjegon shumë mirë këndshtrimin konspirativ të majtë mbi botën. Por ky i fundit është po aq i zakonshëm edhe në të djathtë. Për shembull, shihni mbështetësit e konservatorëve që kundërshtojnë kufizimet për shkak të koronavirusit, dhe që mendojnë se të gjitha masat janë në fakt një komplot për të zhdukur liritë tona të lashta.

Uilliam Rag, një mbështetës i konservatorëve,dhe një kundërshtar i zëshëm i kufizimeve për shkak të Covid-19, u tall me disa nga kolegët e tij në fillim të këtij viti:“Përvoja ime me shtetin britanik, është se ky i fundit nuk është mjaftueshëm kompetent për të organizuar një komplot. Dhe nëse do të kishte një komplot, planet mbi këtë do të ishin zbuluar tashmë”.

Megjithatë, studimi i “Ipsos MORI” ishte i dobishëm. Piter Najt, profesor i Studimeve Amerikane në Universitetin e Mançesterit, vënë dukje se sfidimi i teorive të konspiracionit është “i vështirë, pasi u kërkon njerëzve që të ndryshojnë identitetin e tyre”.

Por ai theksoi se teoritë e konspiracionit kanë qenë gjithmonë me ne. Pikëpamja ime është se interneti e bën më të lehtë përhapjen e disa lloj teorish të tilla, por nga ana tjetër e bën më të lehtë për t’i hedhur poshtë ato. Mendoj se rritja e organizatave si “Full Fact” është një hap jashtëzakonisht pozitiv.

Gazetarët kanë një përgjegjësi, të cilën në tërësi mendoj se e marrin seriozisht. Ata duhet të shmangin joshjen nga publikimi i artikujve që lëshojnë alarme dhe që synojnë klikimet, dhe t’u përgjigjen me qetësi, fakte dhe me shpejtësi teorive të rrezikshme.

Unë nuk di çfarë të them në lidhje me teoritë e konspiracionit mbi vdekjen e Dianës, por në përgjithësi mendoj se në luftën e gjatë mes mendimit konspirativ dhe racionalizmit, përparësi ka në çdo rast racionalizmi. / The Independent – Bota.al

Please follow and like us: