Albspirit

Media/News/Publishing

Lulzim Tafa, cikël poetik për dashurinë

 

Lulzim Tafa

 

Andrra

(Palimpsest kozmik)

 

Mos u dëshpëro e dashur

As mos u zhgënje

Sapo mora vesh

Unë fare nuk egzistoj

As ti

E tëra është një ëndërrr

 

Askush nuk egziston

Më e keqja

As bota

Asgjë që mendojmë se është

Nuk është

 

Nuk egzistojnë malet, detet, oqeanet

As qiejt

Nuk egzistojnë planetët

Dielli, Toka e Hana

Hana hiç se hiç

 

(Logjikë) diçka kaq e bukur

S’mund të egzistojë

 

Ashtu siç nuk egzistojnë

vitet e dritës

Kashta e Kumtrit

Atmosfera, hidrosfera

Biosferë nuk ka

As që ka pasur

As që do ketë

Harroje

PIKË.

 

Astronautët kanë gënjyër edhe pse

As ata nuk egzistojnë

Mos beso më në galaktika

Big bangu andërr ka qenë

Si andrrat ma

Të trishta

Të bukura

Plot zjarr

 

Lindja e vdekja

Ferri e Parajsa

Andrra janë

 

Mos u dëshpëro

As rruga tjetër e Qumështit

As gjithësia

 

Më vjen keq e dashur

Nuk egziston

As dashuria

 

Edhe pse të dua

 

As Prindërit tanë kurrë nuk kanë egzistuar

(ku janë pra)?

 

Veç për Zotin e di

Ai është diku

Mbase është i vetmi që mohohet

Mbase është ai

“Që po na sheh në andërr”.

 

Se Zoti

Është një fëmijë i vogël

Që luan me yje

 

Të dielave mos më thirr më

 

Të dielave mos më thirr më

Mund të mos zgjohem

Përjetë të rri në gjumin e vdekjes

Mos i harro çastet e ngrira

Veç të dielës zgjidhe ditën tënde

Për ty kur të vdes

Pas shtatë bjeshkësh të ta gjej emrin

Ah, si nuk vjen ditëve të tjera.

 

Nesër do të bjerë shi

 

S’do të shihemi nesër

Shi do të bjerë

E diel është

Do të flemë një shekull

 

S’e di

Dielli a do të lindë

A do të shihemi

Pas shiut me diell

 

Nesër do të bjerë shi

Do të falem ty

Syve tu

Fatkeqësisë së zotave

 

S’di a qan Zoti

A bie shi

S’do të shihemi nesër

Shi do të bjerë

 

Nesër do të vdesim të dy

 

 

Kur të vdes

 

Kur të vdes

Mos qaj e dashur

Të kam tradhtuar

Me çupat e planetit tjetër

 

Kur të vdes mos qaj moj motër

E ngas gjokun e Gjergjit

Me bajlozë deti

 

Kur të vdes moj qaj nënë

Veç jepu gji

Këtyre

Metaforave

Të pikëlluara

Si mua dikur.

 

Territoret e lira

 

Ishin territoret e lira

Dhe ishim ne

Dita e gjatë dhe e lumtur

Ne putheshim nën një mollë

Papritmas filluan me raketa

Territoret e lira

I bënë territore të shkreta

Të shkretë u bëmë edhe ne

Tani athua

Kush puthet atje

Nën atë të shkretën mollë?!

 

Ndarje e pashpjegueshme

 

Ti nuk më ke më

As unë nuk të kam ty

Të kam kujtuar burrneshë

Ajkunë

Ç’është ai lot në sy?

 

Kryetrimi

 

Heroin e kishin rrethuar

Nga të gjitha anët

E ai ngujuar në kullë

Me një rropsi

Bënte seks

I dëshpëruar thellë

Nga historia

Që s’do ta kapë kurrë

Lahuta as çiftelia

 

Qershizë

 

Të më shumë

se secila

pemë në kopshte

ke qershi

në sy

në buzë

në gji

 

Idil

 

Sapo të pashë

Më mbetën sytë

Në sytë tu

Më mbetën buzët

Në buzët tua

I tëri

Mbeta në ty

E tëra

Mbete në mua

 

Telefoni

 

Cingëron fort trishtueshëm

Në mesëndërr

Në mesnatë

Telefoni i kaltërt

Përmes telave i mban

Lidhjet e zemrave

 

Marrë nga përmbledhja poetike “Të dielave mos më thirr” e Lulzim Tafës, botimet Armagedoni, Prishtinë 2019.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: