Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja Irma Kurti nderohet me çmimin Giacomo Leopardi 2021

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese.

Në shtator 1997 ndoqi në Universitetin e Athinës në Greqi kursin 1 vjeçar për mësimin e gjuhës dhe kulturës greke. Ka kryer kurse të ndryshme specializimi për gazetari në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, SHBA, Francë, Itali, Zvicër etj.

Irma Kurti nisi të shkruajë poezi në moshë të vogël. Krijimet e para i botoi në revistat “Fatosi” e “Pionieri” dhe në të njejtën periudhë këndoi në skenën e festivaleve për fëmijë në Elbasan, ku e kaloi fëmijërinë. Prindërit, Hasan Kurti e Sherife Mezini Kurti u bënë nxitja dhe inkurajimi i saj më i madh. I ati, me profesion mjek radiolog, lexonte shumë duke ia trasmetuar së bijës këtë pasion.

Në 1980 u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35-vjetorit të Revistës “Pionieri”. Në 1989 fitoi çmimin e dytë në Konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Më pas, poezitë e saj u botuan në gazetat e revistat “Drita“, “Zëri i Rinisë”, “Nëntori”, “Shqiptarja e re”.

Irma Kurti njihet nga publiku i gjerë si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere përpara dhe pas viteve ‘90-të. Shumë prej këngëve me tekstet e saj janë nderuar me çmime dhe poezitë e tyre kanë mbetur ende tek dashamirësit e muzikës së lehtë. Ka shkruar rreth njëqind tekste këngësh. Plot lirika të suksesshme poetja i shkroi që në bankat e Universitetit. Përmendim: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “Një çast në kujtesën tënde”, “Shikomë në sy”, për të vazhduar në vitet e mëvonshme me: “E njejta ëndërr”, “Larg nga vetvetja”, “Dhe prapë jam kthyer”, “Trokite tek dera”, “Të jem për ty Number 1”, “Imazh i largët”, ”Nën dritën e qirinjve”, “Befas zgjohem”, “Ndjehem ndryshe” etj.

Irma Kurti është përfshirë në disa Antologji të Librarisë Ndërkombëtare të Poezisë në Maryland, në USA: “Forever spoken”, “The best poems and poets of 2007” etj.

Krijimet e saj në poezi e prozë bëjnë pjesë në shumë antologji në Itali: “Il Federiciano” publikim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore 2010, “Diffusione Autori” 2011 i GDS Edizioni, “Lingua Madre – Racconti di donne straniere in Italia 2012/2013”, “Enciklopedia Universale e Autorëve Italianë”- 2013/2014/2015/2016, Premio Napoli Cultural Classic 2010/2011/2013/2016, Premio Prato Città Aperta 2016, “Adriatico. Emozioni tra parole d’onde e sentimenti”, – projekt humanitar i Shoqatës Kulturore Euterpe, “Il corpo, l’eros” i botuesit Giuliano Ladolfi së bashku me poetesha të tjera italiane e botërore, “365 pagine da scrivere- Agenda 2018”, “Unione Mondiale dei Poeti 2018 – World Uinion of Poets” botim i Shtëpisë Botuese Kimerik etj.

Ka fituar 60 çmime dhe vlerësime të ndryshme në konkurse ndërkombëtare letrare në Itali, në Zvicër e më gjerë.

Në vitin 2013 fiton çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për Letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Shpallet “Poetja Shqiptare e vitit 2015” nga Qendra P.E.N e Shqipërisë.

Në 2017 fiton çmimin e parë për ciklin më të mirë poetik paraqitur në “Konkursin e Ditëve të Letërsisë Shqipe” organizuar nga Revista “Kuvendi” në Michigan, USA.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane.

Në 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali.

I akordohet titulli “Leonardo da Vinci 2021” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Lecce.

Irma Kurti jeton në Bergamo, Itali.

Please follow and like us: