Titulli i këtij shkrimi ashtë maksimi i lanun për të gjithë nga Bundskanzelari gjerman, Zonja Angela Merkel, ditën që ajo u largue nga pozita e saj qeveritare si Kryeministër i Republikës Federale Gjermane, me 2 dhjetor 2021. (Anglisht: “Trust one another!”)

Ditën e merkurre, 8 dhetor 2021, ligjëvenësit gjermanë zgjodhën social-demokratin Olaf Scholz në postin e kancelarit, tue i dhënë fund qeverisjes 16 vjeçare konservatore nën drejtimin e Zonjës Angela Merkel. Zyrtarisht, ”Z.Scholz u emnue nga presidenti, Frank-Walter Steinemeir, në Pallatin Bellevue, Berlin, dhe mori votat e parlamentit si kanzelari i ri i Gjermanisë…” raportonte The NYTimes. Z. Scholz ashtë nji personalitet politik me eksperencë në artin e qeverisjes si ish ministër i financave për katër vjet. Ai vjen me premtimin se do të modernizojë Gjermaninë dhe do të punojë për ruejtjen e ambientit.

Sot, mund të themi lirisht se dëshira e Zonjës Merkel – synimi i fundit ka qenë “me lanë Gjermaninë ma paqësore me ma shumë prosperitet”-  ashtë plotësue, për hir të mendimit dhe të punës saj ndertuese. Ma në fund, u mbyll karriera e saj qeveritare e lavdishme me deklaratën për të gjithë, esencë e filozofisë saj personale: “Kini besim në njeni-tjetrin”, parim moral themelor i përherëshëm.

Dy mijë vjet ma parë, nji “peshkatar” nga vendet shenjte të Nazarethit dhe Beth- lehemit, Israeli antik, na la maksimën, këshillen e skalitun në mermer: “Duajeni të afërmin!” (Ånglisht:” Love Thy Neighbor”), parimi ma themeltar – e ma i thjeshtë- i ndertimit të shoqënisë sonë njerëzore. Ky “peshkatar” u mvesh me cilësi hyjnore brez mbas brezi deri sot në ditët tona. Maksimin e dytë, “Kini besim në njeni tjetrin” na dhuron Zonja Angela Merkel, bijë e nji kleriku lutheran gjerman, e lindun në Hamburg por e rritun në ish-Gjermaninë lindore, nji personalitet që refuzoi me pranue komunizmin si doktrinë finale dhe u familjarizue me historinë e doktrinës së krishtenë, e cila nuk e lejoi të mashtrohet nga propaganda marksiste-leniniste.

Për mue, i mbijetuemi i holokaustit komunist shqiptar, ajo simbolizon dyluftimin e mbrendshëm, dialogun e heshtun në nji mendje të shëndoshtë e të ngritun, në mes të ateizmit stalinist dhe frymës së krishtenë që përfundoi me sukses: Krishtenimi triumfoi në mendjen e ndritun dhe zemrën e pastër të Angela Merkel!

Sot, unë mendoj ndryshimin e madh të historisë europiane sikur udhëheqsit kriminelë komunistë të Moskës (e satelitët minionë!) të kishin fitue nji betejë të këtilll. Angela Merkel ashtë nji shembull madhor i randësisë së individit në histori. Emni i saj mos u harroftë, por në mendimet e zemrat tona, ajo u përjetësoftë. Fjala e saj artikulloi mendimin për miljonët që ndiejnë nevojen, shtyllë themelore e jetës sonë në shoqëninë njerëzore.  Sidomos shoqëninë tonë shqiptare!

Sot, në Botën e Lirë flitet për guximin e saj me përballue Presidetin Putin të Rusisë, për afrimin e saj me presidentët G.W.Bush dhe Barak Obama dhe për qortimet që herë mbas here i bani ish presidentit D.J.Trump. Sot, ajo nderohet si ikonë e shpresës për refugjatët që mbushën Europen, dhe si objekt tallje nga “populistët” pro-fashistë në shumë vende  të botës (sic!).

Nji emwn i ri në skenën politike gjermane, ajo tregoj pjekuninë e nji grueje, dhe kurajon civile me kundërshtue vendosmënisht ish kryeministrin Helmut Kohl- për shumë vite ministër i tij-, kundërshtim publik  pa mbrapaskena deri në  rrëzimin e kundërshtarit. Si kryetare e Partisë “Bashkimi Kristian Demokrat” ajo ushtroi këte detyrë deri në vitin 2008 tue ruejtë frymën partiake të këtij “Bashkimi”. Në moshën 67 vjeçare ajo u largue vullnetarisht nga pozita e udhëheqsit, dhe deklaroi se largohet nga politika:“Tashti ashtë koha për mue me u largue nga politika. Nuk deshiroj tw jem nji karrocw gjyswm e thyeme” deklaroi ajo., dhe u largue nga detyra e kancelarit  si nji nga politikanwt ma popullor tw Gjermanisw. Largimi nga politika nw momentin e duhun konsiderohet si vula e pjekunisw sw nji personaliteti politik.

Dy gazetarë të shquem, K.Bennhold dhe M.Eddy, përfundojnë: “ Ajo mbajti premtimin e dhanun. Ashtë i pari kancelar i Gjermanisë që largohet  vullnetarisht nga pozita e mbajtun, e jo e mundun nga parlamenti ose nga publiku. Karriera e saj politike që filloi në nji periudhë shprese mbas ramjes së Murit të Berlinit (1989) po mbyllet në këto vite të pasigurta; ka qenë nji rrugëtim nga fundi i historisë dhe kthim në histori”.

“Nji kapitull i ri fillon zyrtarisht në Gjermani” shkruente shtypi amerikan!

Diten e largimit ajo përuroj mbasardhësin e saj: “Urime i nderuemi Z. Kancelar Olaf Scholz! Unë e kuptoj nga pervoja ime se ky ashtë nji moment i përmallshëm, zgjedhja e juej në këte pozitë zyrtare….por në se e përqafoni me gëzim ashtë ndoshta detyra ma e bukur me marrë përsipër poste që kërkojnë përgjegjsi ndaj këtij vendi”.

“Ne u lidhëm së bashku”, u përgjegj Z. Scholz. “Në mes nesh ka ekzistue gjithmonë nji bashkëpunim me besim të ndersjellë dhe të plotë. Kjo ashtë e mirë. Unë besoj se për arsye se na jemi nji demokraci e fortë, e aftë, sot ka shumë aprovime të përbashkëta bashkëpunimi në mes të demokratëve…”raporton The NYTimes. Dhe shton se ” ish Kancelari Merkel ka tregue nji sens dedikimi dhe vulneti të mirë me ba kompromisin themeli i pushtetit të saj… Ajo ka qenë gjithmonë e gatëshme me ba kompromis”.

Prof. Naika Foroutan i Universitetit Humboldt, Berlin, shprehet se Angela Merkel ndryshoi imazhin e Gjermanisë në botën që nuk priste nji gjest humanitar të këtill të vinte nga Gjermania; nji vend me nji imazh të keq (nazist, SR); ajo provoi të kundërten dhe mori refugjatët në strehim….Ky imazh do të jetë gjithëherë i shoqënuem me emnin Angela Merkel”.

“Tranzicioni nga Merkel në Scholz “shkruente gazeta Suddeutsche Zeitung “ashtë kaq i harmonishëm sa që bahet pyetja:”Cili ashtë ndryshimi në mes tyne?” Nuk duhet të harrojmë se këta dy udhëheqës vijnë nga dy parti politike të ndryshme: Bashkimi Kristian Demokrat dhe Partia Social Demokratike. Kancelari Merkel në vitet e fundit mori rivalin e saj, Scholz, me vehte në mbledhjet me udhëheqsit botënorë, dhe e paraqiti ate. Në dy muejt e fundit Olaf Scholz ka marrë pjesë në çdo mbledhje me randësi të Kancelarit Merkel. Bashkëpunimi për të mirën e atdheut! Urimi I fundit? “I nderuemi Olaf, gjithë të mirat, me kambë të mbar- dhe plot suksese” A.Merkel.

Nji sjellje shembullore për të gjithë ne!

Respekt! Nji fjalë e re zen vend qendror në monologet e fushatave politike. Në dhetorin e kaluem, Z. Scholz  ka pasë nji bisedë vidio-telefonike gjatë fushatës tij elektorale me filozofin amerikan Prof.Michael J. Sandel (Harvard Univ.) me subjekt: përse partitë politike europiane të qendrës-së-majtë, ashtu si social-demokratët gjermanë, kanë humbë mbështetjen e klasës punëtore në favor të “populistëve” dhe premtimeve të tyne pa kuptim?” Biseda zgjati nji orë”, raporton gazetarja Katrin Bennhold nga Berlini. “Kjo temë, në dukje e thjeshtë, u ba për Z. Scholz epiqendra e fushatës së tij për kancelar, dhe shpresa e tij me ringjallë partinë e tij: kthimi i respektit të humbun për klasën punëtore”.  Për të parën herë që nga viti 2005, Social-demokratët u banë partia ma e fortë në klasën punëtore. Scholz vuni gishtin në plagë, shkruen Juta Allmendinger, analiste e Qendrës për Studime Shoqënore. “Shumë gjermanë e shikuen ate si mjeshtër për rindertimin e nji ure në mes të klasës punëtore dhe elitave të qeverisjes”.

Kancelari i ri, gjatë fushatës elektorale, theksoi randësinë e kultivimit  të respektit për klasët ekonomikisht të vorfna, shpesh herë të harrueme nga qeveritarët, elita që ruejnë pozitat prestigjoze në dam të shumicës. “Z. Scholz ka prek zemrat tona” ndigjohej thanja  e masave të harrueme që kishin abandonue Partinë Social-demokrate dhe kishin përfundue në rezervat e së majtës-ose  të së djathtës- ekstreme. Pikësynimi i tij ka qenë krijimi i nji force dinamike politike me substancë, e jo premtime: me ba Gjermaninë nji vend eksperimentimi, nji “laborator politik”, me rindertue urat e prishuna te PSD me grupet tjera politike. Vrejtuesit politikë krahasojnë këte ndërmarrje me përpjekjet e Presidentit Joe Biden në ndërtimin e atmosferës së tolerancës politike, bashkëpunimit dhe kompromisit në politikë.

“Të gjithë kanë drejtue sytë kah ne” deklaronte këshilltari politik Wolfgang  Schmidt. “Në se veprojmë si duhet, na kemi nji shans me fitue. Nuk mund të gabojmë, nuk mund të shgënjejmë ata që kanë besim tek na.“ Edhe vetë kancelari Scholz shqetësohet nga presioni që ushqejnë “populistët” pro-fashistë mbi demokracinë. “Liberalizmi demokratik po sulmohet çdo ditë e ma shumë në media; duhet të zgjidhim këte problem, tashti që sloganet e ‘populistëve’ nuk kanë sukses”.

Ajo që ngjau në SHBA në vitin 2016, periudha presidenciale e ish presidentit D.J.Trump, dhe paturpësia e tij në mosdorëzimin e pushtetit me 2021 me parullën e ‘falsifikimit të votimeve amerikane’ (e ashtuquejtuna “gënjeshtra e madhe-the big lie”) e që vazhdon te jetw nji kercënim serioz për demokracinë amerikane, studjohet me kujdes në Europe si nji përpjekje e rrezikëshme kundër demokracisë amerikane, analizohet që të mos përsëritet! Nji nga mësimet kryesore që kemi nxjerrë ashtë mosnjohja e masave të gjana punwtore dhe katundare, dhe e nevojwve të tyne, e sidomos moskokëçarja në njohjen ma mirë të problemeve të tyne që i mundojnë…! Atëherë “premtimi” i demagogëve gjenë audiencën e vet. Ish presidenti D.j .Trump, nji aventurier politik, ashtë nji shembull i veçantë i demagogjisë pa substancë, dhe pa vizion.

Profesor Sandel, në studimin e tij “Tirania e Meritës” argumenton si “meritokracia” e mbështetun nga arsimi i naltë ashtë njI motor për ngritje në shkallën shoqënore qeverisëse; ajo ka krijue nji përbuzëje të “udhëheqsive” dhe ngritjen e ‘populizmit’ që  “premton”…. pa substancë. Në lamin politik ky orientim pruni izolimin e klasave sunduese nga masat e pakënaquna. Rezultati u pa në kutitë e votimit dhe humbja “e maxhorancës” për elitat. Z. Scholz përmbledhi:” Pandemia (Covid 19.SR) zbuloi qartë se mbi cilat shpatulla ashtë ndertue shoqënia e jonë që punon randë dhe përsëri përfiton shumë pak nga nji ngritje ekonomike e vendit.“Na duhet t‘I themi popullit dy gjana” deklaroi ai gjatë fushatës elektorale:

E para, na kerkojmë respekt, kerkojmë paga ma të mira, dhe mirënjohje për punën që bajmë; dhe

E dyta, do të sigurojmë vende pune të mira në të ardhmen.

Sot,  vende tjera europiane reklamojnë nevojën per “respekt”.

“Na shpresojmë se zgjedhjet tona elektorale në Gjermani do të dergojnë nji sinjal për ringjalljen e modelit social-demokrat ndërkombëtarisht….Na shikojmë sidomos vendet tjera të Europës, sepse kemi nevojë me riforcue Bashkimin Europian në votat e ardhme, në qoftë  se dëshirojmë me thanë diçka të vlefshme në botën e viteve të ardhme,” përsëriti David Kuehnert, sekretari I përgjithshëm i PSD gjermane.

Shkrimtarja Kati Marton, e veja e  ish ambasadorit Richard  Holbrooke, në librin e saj “The Chancellor-The remarkable odyssey of Angela Merkel” shkruen:

“Nji pjesë e madhe e sukseseve të arrijtuna erdhën megjithëse ajo ishte nji grue, por për arsye se ajo ishte nji grue!”(Theksi i im. SR ). Suksesi i nji grueje nw drejtimn e shtetit.

***

Kur do të vijë pranvera edhe për ty, o Shqipëria e ime?