Bardhyl Londo, Granit Zela dhe të tjerë, fitues të çmimeve kombëtare të letërsisë
Londo, fitues edhe në panairin e librit në Fier.
Çmimi për vëllimin më të mirë poetik iu dha poetit të njohur, Bardhyl Londo me “Prill i hidhur”, ndërsa çmimi për përkthimin më të mirë iu dha Granit Zelës, me “Lepur vrapo” nga John Updike. Flutura Açka ka marrë çmimin kombëtar të letërsisë për prozën më të mirë me “Birin”. Për të tërhequr çmimin për Açkën e pranishme ishte Rezarta Reçi e cila tha se “Açka na mëson forcën e humbjes dhe të dashurisë”, ndërsa për ministren Margariti, libri “Biri”, “është një rrëfim i epërm për raportin nënë-bir dhe kujtimet”. Juria e kryesuar nga akademiku Mehmet Kraja dhe anëtarët Ardian Ndreca, Elda Gjana, Ylljet Aliçka e Shezai Rrokaj, vlerësuan me çmimin për librin më të mirë studimor akademikun Artan Fuga për “Origjinat”. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli, u shpreh se “çmimet kombëtare të letërsisë, janë një institucion për gjuhën shqipe”. Ajo ju përgjigj kritikave për nominimet e atyre që nuk jetojnë më, me rregulloren , e cila nuk përjashton askënd, mjaft që libri të jetë botuar për herë të parë. Persida Asllani u vlerësua për librin më të mirë për fëmijë me “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”. Asllani tha se “libri është një thirrje për lexim. Shkrimi i tij s’ka qenë i lehtë, por as i vështirë sepse fëmija që ende ruaj brenda vetes, është çapkën dhe nuk e ka humbur dëshirën”. Një çmim honorifik ju dha poetit Petrit Ruka, pas vdekjes, ndërsa ministrja e cilësoi atë, një poet të dashurisë dhe jetës. Zhani, bashkëshortja e poetit të ndjerë, e falënderoi të shoqin për gjithë ato që ka lënë pas. Veprat fituese janë të disa zhanreve dhe përçojnë mesazhe të ndryshme në stile të ndryshme. Juria mirëpriti kritikat, duke pohuar se jo gjithnjë kanë qenë në një mendje për fituesit.