Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: SIKUR TË ISHE TI ME MUA…

 

 

 

Sikur të ishe ti me mua, sikur të ishe,

Të rrezikoja si dikur të të humbas.

Mes rrënojës së vetmisë dhe stuhive,

Në gabimin e pandreqshëm në park…

 

Në vendet e errëta, të vogla të prekjes

Kur këmbëve ngatërroheshin fijet e barit.

Në duf aromash të panginjura të dehjes,

Në gjëegjëzë lozonjare të mëkatarit…

 

Por kthimet kanë vdekur në prill a në maj,

Shenjat e buzëve janë fshirë me kujdes.

Se ishe veç frymë, pa formë e pa faj,

Shpejtësi marramendëse treni ekspres…

 

Prej harrimit të vish, s’do desha gjë tjetër

Si Ulisi të endesha stuhish për Itakë.

E di, gjithë kjo është veç një gënjeshtër,

Por ende shoh ëndrra, besoj jam me fat…

 

Sikur të ishe ti me mua, sikur të ishe…

Please follow and like us: