SHBA heq nga lista e zezë kompaninë e Zharko Vesellinoviçit nga Kroacia
Departamenti amerikan i Thesarit hoqi nga lista e të sanksionuarve një kompani, për të cilën më herët tha se udhëhiqet nga Zharko Vesellinoviç, vëllai i biznesmenit nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviç. Informacioni u publikua të hënën në ueb-faqen e këtij institucioni. Vëllezërit Vesellinoviç, nënkryetari i subjektit politik Lista Serbe në Kosovë, Millan Radoiçiq, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta u futën më 8 dhjetor në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit, nën akuzat se kanë lidhje me krimin e organizuar transnacional. Përveç tyre, në listën e zezë u përfshinë edhe mbi njëzet kompani të tyre, me seli në Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Bullgari. Sipas deklaratës së lëshuar të hënën, Departamenti amerikan i Shtetit hoqi nga lista e të sanksionuarve kompaninë Nautikacentar D. O. O, e cila udhëhiqet nga Zharko Vesellinoviq dhe është e regjistruar në Kroaci. Ai nuk dha shpjegime shtesë për vendimin.
Mohimet nga Rijeka
Kompania Nautikacentar është e regjistruar në Rijekë – qytet bregdetar në veriperëndim të Kroacisë. Më 9 dhjetor, portali kroat Jutarnji.hr njoftoi se ka kontaktuar Zharko Vesellinoviqin, pronarin e kompanisë Nautikacentar, i cili mohoi se ka lidhje me Zvonko Vesellinoviçin dhe se është i përfshirë në krim. Vesellinoviç po ashtu tha se do të angazhojë një avokat, i cili do t’i kërkojë Ambasadës amerikane shpjegime se si ka ndodhur që emri i tij të përfundojë në listën e zezë të SHBA-së./rel