Zvicra e ekstradon në SHBA biznesmenin rus të lidhur me Kremlinin
Biznesmeni rus i lidhur me Kremlinin, Vladislav Klyushin, është ekstraduar nga Zvicra në drejtim të Shteteve të Bashkuara.
Ministria zvicerane e Drejtësisë njoftoi se oficerët e policisë amerikane e shoqëruan atë nga Cyrihu në rrugë për në SHBA, ku ai do të përballet me akuza për tregti të brendshme.
Klyushin ishte arrestuar në muajin mars, me kërkesë të autoriteteve amerikane, të cilat kërkuan edhe ekstradimin e tij.
Në anën tjetër, Rusia tha se është thellësisht e zhgënjyer me vendimin e Zvicrës për ekstradim.
Vladislav Klyushin akuzohet me disa bashkëpunëtorë për tregti të paligjshme me vlerë dhjetëra milionë dollarë.
Biznesmeni rus është pronar i kompanisëruse M13, e cili merret me monitorimin e medieve dhe me shërbime të sigurisë kibernetike.
Në webfaqen e kompanisë thuhet se shërbimet e saj përdoren nga Presidenca edhe nga Qeveria e Rusisë.
Ankesa e Klyushinit kundër ekstradimit është hedhur poshtë nga Gjykata Federale e Zvicrës më 10 dhjetor.