Mark D. White: Misteret e depresionit që s’kanë lidhje me konspiracionistët dhe moderatorët e shkarë
Studiuesit e psikologjisë, psikiatrisë dhe neuroshkencës, janë përpjekur prej vitesh të përkufizojnë, kuptojnë dhe analizojnë depresionin, nga i cili vuajnë aktualisht miliona njerëz në mbarë botën. Në diagnozën klinike, depresioni kuptohet si një koleksion simptomash, të cilat duhet të jenë të pranishme së bashku në një numër të mjaftueshëm, dhe për një kohë të caktuar.
Por a përbëjnë këto simptoma atë që njihet si depresion, apo tregojnë për një faktor të përbashkët, depresionin “e vërtetë”. Disa filozofë kanë propozuar një mënyrë të re për të kuptuar depresionin, bazuar mbi atë sesi ai ndihet në të vërtetë:jo si një koleksion simptomash të ndryshme, por më tepër si një ndryshim i përgjithshëm në mënyrën se si një person me depresion e përjeton jetën.
Për shembull, në librin e tij të vitit 2015 “Përvojat e depresionit:Një studim mbi fenomenologjinë”, filozofi Matju Ratklif shkruan se njerëzit që vuajnë nga depresioni raportojnë se ai është “cilësisht i ndryshëm, nga ajo që shumë prej nesh e konsiderojnë si një përvojë të përditshme”.
Pra të jetosh me depresion është dukshëm dhe ekzistencialisht e ndryshme nga të jetuarit pa të, gjë që kërkon një mënyrë rrënjësisht gjithëpërfshirëse për ta parë atë. Në vijim të kësaj pike, filozofja Sesili Uajtli ka kryer një studim të fundit mbi shkencën e ndërgjegjes që do të botohet në Revistën Britanike për Filozofinë e Shkencës, me titull “Depresioni si një çrregullim i ndërgjegjes”.
Ajo argumenton se depresioni mund të kuptohet më së miri si një “gjendje globale e vetëdijes”, e ngjashme me gjendjet e të qenit zgjuar, duke ëndërruar, ose të qenit nën ndikimin e drogave psikodelike. Që të gjitha këto gjendje përfshijnë kombinime të ndryshme të kapaciteteve për të menduar, ndjerë dhe ndërvepruar me botën, dhe si një përvojë e përgjithshme unike e jetës.
Uajtli thotë se “kur një individ është në depresion, ai largohet nga një gjendje zgjimi në një gjendje dalluese depresive të vetëdijes, një ndryshim i cili reflektohet në një përvojë të një “ndryshimi ekzistencial” siç përshkruhet nga Ratklif. Të kuptuarit e depresionit në këtë mënyrë, ka disa përfitime.
Së pari, ajo shpjegon pse përvoja e depresionit mund të jetë kaq e vështirë t’i përshkruhet dikujt që nuk ka qenë kurrë në depresion. Kjo pasi ajo e ndryshon vetë kontekstin në të cilin njeriu jeton, mendon dhe shprehet. Mjafton të mendoni për ndryshimet radikale të jetës që nuk përfshijnë ndërgjegje të ndryshuar, si të pasurit fëmijë.
Thuhet shpesh se nuk mund t’ia shpjegoni të qenit prind, një njeriu që nuk është bërë ende prindi, sepse jeta me fëmijët është shumë e ndryshme nga jeta pa ta, dhe thjesht nuk ka asnjë mënyrë për t’ia shprehur atë dikujt që nuk e ka përjetuar.
Por ndërsa prindërimi e ndryshon rrënjësisht jetën tuaj, depresioni ndikon tek vetë mendja, duke e bërë shumë më të vështirë komunikimin e karakteristikave të tij unike me ata që nuk preken prej tij.
Së dyti, inkuadrimi i depresionit si një gjendje e vetëdijes, ndihmon për të shpjeguar “zbaticën” dhe rrjedhën e simptomave të depresionit me kalimin e kohës, në të cilën të sëmurët ndihen si një person i ndryshëm në çdo fazë.
Personat në depresion, mund të përjetojnë periudha të alternuara të ndërgjegjes depresive dhe “të zakonshme”, ashtu si një person që nuk është në depresion, kalon rregullisht nga zgjimi në ëndërr dhe anasjellas, apo një përdorues i drogat psikedelike kalon midis gjendjeve të qenies dhe mosqenies nën ndikimin e tyre.
Nëse secila prej këtyre gjendjeve të vetëdijes shoqërohet me paketën e vet të kapaciteteve për të menduar, ndjerë dhe jetuar, është më e lehtë t’i identifikosh dhe të studiosh ato, kur dhe si ndodh ky tranzicion, duke çuar në trajtim më të mirë.
Së treti, ka disa paralele magjepsëse midis përvojës së vetë-raportuar të depresionit dhe të qenit nën ndikimin e psikodelikëve, veçanërisht për sa i përket “ndryshimit ekzistencial” që përjeton çdo njeri në secilin prej tyre.
Siç e shpjegon Uajtli “në të dyja rastet, individët raportojnë ndryshime të fuqishme fenomenologjike, apo ndryshime në lidje me përvojat e tyre të kohës, ndjenjës së tyre për veten, përvojën trupore, lirinë mendore, përqendrimin dhe vëmendjen”.
Ky vëzhgim, do të ndihmonte në shpjegimin e rezultateve premtuese në lidhje me trajtimin psikodelik mbi depresionin, gjë që mund të ketë një ndikim më të drejtpërdrejtë në bazën thelbësore neurologjike për gjendjet depresive të vetëdijes, sesa medikamentet aktuale kundër depresionit .
Uajtli thekson se kjo mënyrë e re e të kuptuarit të depresionit, nuk duhet të merret si një sfidë ndaj atyre tradicionale, por si një shtesë e tyre, duke zgjeruar dhe pasuruar mjetet konceptuale që mund të përdorin studiuesit në të gjitha fushat për të studiuar dhe trajtuar më mirë gjendjen. / “Psychology Today” – Bota.al