Orë amatoreske për diplomacinë amerikane në Shqipëri
Më 11 dhjetor, Sali Berisha, ish kryeministër dhe ish president me dy mandate iu drejtua rreth dhjetë mijë pjesëmarrësve entuziastë të kongresit të Partisë Demokratike në stadiumin kryesor të Tiranës.
Kjo ngjarje politike ishte një risi në shumë drejtime: një prej tyre ishte thirrja e drejtpërdrejtë e zotit Berisha drejtuar zonjës Yuri Kim, ambasadores së SHBA-së, që të mos tregohej arrogante si homologu i saj sovjetik në fund të viteve 1950, kur Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës. Por Berisha shtoi se ai gjithmonë besonte se blloku sovjetik ishte “perandori e së keqes” përkundrejt Shteteve të Bashkuara si “një fener i lirisë për botën”.
Shumë njerëz do habiteshin po të dëgjonin këtë nga një lider i cili mburrej se ishte i pari në Evropën Lindore që kërkoi zyrtarisht anëtarësimin në NATO në fillim të viteve 1990; për të realizuar anëtarësimin si kryeministër në vitin 2009. Ai vizitoi si President i Shqipërisë Shtëpinë e Bardhë i ftuar nga presidentët George H. W. Bush dhe Bill Clinton në vitet 90; ai gjithashtu priti zyrtarisht Presidentin George W. Bush në Tiranë në vitin 2007.
Berisha gjithmonë e ka shpallur me zë të lartë “Atlanticizmin” e tij dhe ka qëndruar në anën e SHBA-së gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në Irak dhe Afganistan duke kontribuar me trupa; ai gjithashtu priti me urdhër të qeverisë amerikane refugjatë që askush tjetër nuk do t’i pranonte si ekstremistët ujgurë nga kampi Guantanamo dhe muxhahedinë iranianë të ndjekur nga regjimi despotik i ajatollahëve.
Pasardhësi i tij në qeverisje, Edi Rama, nga Partia Socialiste kundërshtare, i cili u emërua Kryeministër pas fitores së zgjedhjeve të 2013, bëri gjithashtu favore për SHBA-në duke trefishuar numrin e azilkërkuesve iranianë dhe duke pranuar së fundmi afganë që punonin për entitetet amerikane.
Megjithatë, ai në një farë mënyre arriti të bënte diçka të paprecedentë: ai arriti t’i mbyllte gojën ambasadorëve së SHBA për shkeljet e tij të shumta dhe serioze ndaj demokracisë dhe shteti ligjor. Kishte raste që ai gjithashtu i bënte ata ambasadorë t’i mbulonin këto shkelje.
Ministri i Brendshëm i Ramës, Saimir Tahiri 2013-2017 përballet me akuzat për korrupsion dhe trafik narkotikësh dhe ka apeluar dënimet e tij për këto akuza. Ai organizoi një kultivim të madh dhe të paprecedentë të paligjshëm kanabisi në vitin 2016.
Ambasadori amerikan asokohe z. Donald Lu, në kundërshtim me raportet e Departamentit të Shtetit dhe raporte të tjera ndërkombëtare, vazhdoi të lavdëronte luftën e Tahirit kundër drogës. Tahiri madje u përfshi në delegacionin e udhëhequr nga Rama që vizitoi Shtëpinë e Bardhë në prill 2016, dhe u ul në tryezën e bisedimeve përballë Presidentit Barack Obama. Kur prokurorët më në fund ndoqën penalisht Tahirin në vjeshtën e 2017, Lu e mbrojti publikisht duke e krahasuar çështjen gjyqësore me një gjyq komunist.
As pasardhësja e tij, Yuri Kim nuk ka qenë më mirë. Kim ka deklaruar vazhdimisht se prioritetet e saj do të ishin promovimi i demokracisë në Shqipëri dhe përmirësimi i lidhjeve të mbrojtjes me SHBA-në.
Një raport i një media investigative, i mbështetur nga financimi i Ambasadës Amerikane për zhvillimin e mediave, tregoi se asete të konsiderueshme të bazave të marinës shqiptare u janë dhënë biznesmenëve pranë qeverisë. Kjo ka cënuar seriozisht aftësinë e Forcës Detare të Shqipërisë, anëtare e NATO-s.
Gazetari gjeti shkelje të rënda në procedurat e transferimit të aseteve dhe si motiv konsederoi korrupsionin e lartë. Çështja është sjellë në vëmendjen e publikut pasi një oficer i marinës, i cili u rezistoi urdhrave të qeverisë dhe si pasojë u pushua nga puna, ka denoncuar publikisht mashtrimin dhe e ka referuar çështjen në Prokurori. Ai ka njoftuar edhe Ambasadën e SHBA. Ambasadorja amerikane, e pashqetësuar, është shfaqur tej mase në publik, duke shkëmbyer urime me politikanët që janë të dyshuarit kryesorë në këtë aferë korrupsioni.
Qëndrime të tilla të njëanshme, të shoqëruara me atë që shihej si mani për të qënë vazhdimisht në vëmendjen publike, tipike e një “ylli Hollivudi” tashmë kishin nxitur kritika ndaj ambasadores së SHBA.
Por nuk mbeti me kaq. Më 19 maj të këtij viti, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken, përcaktoi publikisht zotin Berisha si të pakualifikuar për të hyrë në Amerikë për shkak të korrupsionit. Akti, u vu gjerësisht në pikëpyetje nga shumë njerëz, përfshirë anëtarë të Kongresit të SHBA, pasi Berisha ka qenë tetë vjet jashtë pushtetit; për më tepër, kritikat e tij ndaj qeverisë Rama shpesh përputhen me raporte të ndryshme të Departamentit të Shtetit.
Ambasadorja Kim i kërkoi pa patur sukses KQZ-së që të anulonte mandatin parlamentar të Berishës. Më pas ajo i bëri presion kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i partisë; ajo madje doli publikisht për këtë çështje duke përdorur thënie fyese të Enver Hoxhës, udhëheqësit komunist.
Kur përfundimisht Basha përmbushi kërkesën e Kimit, Berisha protestoi dhe nisi një sërë takimesh me bazën e partisë. Me Bashën e paaftë për të arritur qoftë edhe një fitore të vetme zgjedhore gjatë tetë viteve të tij të kryesimit të partisë, me përcaktimin ndalim hyrje nga Washingtoni që shumë e perceptuan si të motivuar politikisht dhe të leverdishëm për qeverinë shumë të korruptuar socialiste, së bashku me arrogancën e Kim-it që shkonte në kufi me paturpësinë, nuk ishte çudi që lëvizja Berisha u zmadhua si ortek.
Kritikat ndaj Kim-it e cila u kërkoi redaktorëve të mediave kryesore që të mos i mbulonin mediatikisht këto takime e majisën edhe më shumë gjendjen. Kongresi i PD-së i dhjetorit i thirrur nga shumica e anëtarëve të saj e largoi Bashën me një shumicë dërrmuese dhe caktoi një Komision të Përkohshëm që përfshinte Berishën për të drejtuar partinë. Ky ishte një lehtësim i mirëpritur për ndjekësit e partisë dhe u interpretua edhe si bumerang politike për Ambasadën Amerikane.
Ndonëse mund të ketë qenë joetike për SHBA-të që të mbështesnin “sons of a bitch” gjatë dekadave të fundit, ajo sigurisht që i shërbeu një qëllimi thelbësor strategjik në kulmin e Luftës së Ftohtë. Por është e pashpjegueshme dhe e paarsyeshme pse diplomatët amerikanë do të silleshin kështu në atë që ka qenë deri tani vendi më pro-amerikan në Evropë.
Teksa shqiptarët kanë arsye historike për të qenë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara, sondazhet aktuale tregojnë shifra në rënie të mbështetjes ndaj tyre. Kjo për mendimin tim është sigurisht një pasojë e drejtpërdrejtë e diplomatëve megalomanë dhe të paaftë, të cilët janë të vetmit përgjegjës që të paktën gjysma e klasës politike dhe e publikut janë kthyer kundër tyre. Dhe për fat të keq për shumë prej nesh, edhe kundër vendit dhe simboleve të lirisë dhe demokracisë që ata lipsej të përfaqësonin./ Publikuar në Neweurope