Albspirit

Media/News/Publishing

Turmat politike, historia e trishtë dhe e përsëritshme e vetvrasjes kolektive

Më 6 nëntor 2021 në qytetin e Hjustonit në Teksas SHBA, 8 njerëz vdiqën të shtypur nga turma gjatë koncertit të reperit Trevis Skot dhe 25 të tjerë u shtruan në spital për shkak të plagëve të marra. “NRG Park” ku ndodhi ngjarja tragjike ishte e mbushur përtej normës. Disa njerëz filluan të çajnë rrugën përmes turmës për të arritur në rreshtin e parë nën skenë. Kaosi që pasoi bëri pjesën tjetër: dikush ra, dikush shtyu të tjerët për të mos shkelur mbi fatkeqët, derisa presioni i madh shkaktoi atë tragjedi.

Kronika e zezë

Nuk është hera e parë që ndodhin episode të tilla. Në vitin 1979, 11 persona humbën jetën në koncertin e grupit“Who” në Sinsinati. Ndërkohë në vitin 2009, 9 persona vdiqën gjatë një dinamike të njëjtë gjatë performancës së “Pearl Jam” në Festivalin Roskilde, në Danimarkë. Më së afërmi në kohë(prill 2021), turma shtypi për vdekje 45 persona gjatë një feste fetare në Meron në Izrael. Ndërkohë në Itali, kujtojmë tragjedinë e klubit të natës në Korinaldo tëAnkonës në vitin 2018, ku u vranë 5 adoleshentë dhe një nënë e re, si dhe turmat në “Piazza San Carlo” në Torino në qershor 2017, ku lëvizja e pakontrolluar e turmës që po ndiqte finalen e futbollit të Champions League në një ekran gjigant, i kushtoi jetën 3 personave, si dhe shkaktoi dhjetëra të plagosur.

Shpjegimi shkencor

Shkencëtarët kanë studiuar prej kohësh dinamikën e turmave, me synim parandalimin e tragjedive të tilla. Një nga fatkeqësitë më të analizuara është ajo që ndodhi gjatë pelegrinazhit në Mekë në janarin e vitit 2006. Më shumë se 2 milionë pelegrinë po ndiqnin një rrugë të paracaktuar në zemër të qytetit, deri në urën Xhamarat ku rruga ngushtohet. Presioni i turmës u shtua në mënyrë dramatike, duke shkaktuar vdekjen e 363 besimtarëve sunitë. Dirk Helbing dhe Anders Johanson nga Universiteti i Drezdenit në Gjermani, studiuan për një kohë të gjatë filmimet e tragjedive, dhe me ndihmën e kompjuterave rindërtuan lëvizjet e masës së njerëzve, duke identifikuar 3 faza. Në të parën, turma pëson rritjen e presionit të shkaktar nga ngushtimi i shtegut dhe fillon të lëvizë me vështirësi. Lëvizja zhvendoset përpara, në të njëjtin drejtim si një valë. Por presioni vazhdon që të rritet:në këtë pikë njerëzit përpiqen të dalin me çdo kusht nga “hinka”, duke u larguar me shpejtësi nga të gjitha drejtimet dhe duke shkelur njëri-tjetrin. Sipas shkencëtarëve, kjo fazë ndodh kur grumbullohen më shumë se 6 persona për 1 metër katror.

Kujdes nga spektatorët më të zhurmshëm

Por tragjedia e Hjustonitnuk u shkaktua nga ndonjë pengesë, por nga një fenomen tjetër i njohur si “mosh-pit crowd” pra “turma e pistës së vallëzimit”, ajo që gjatë koncerteve mblidhet nën skenë për të kënduar dhe kërcyer. Ata shtyjnë dhe përplasen me njëri-tjetrin. Këto lloj turmash janë studiuar me kujdes nga Xhesi Silverberg, studente e fizikës në Universitetin Kornell që ka pasion muzikën metal. Duke përdorur videot e koncerteve të postuara në Youtube, Xhesi krijoi një model kompjuterik, i cili gjurmon me saktësi lëvizjet e turmës poshtë skenës. Aty qëndrojnë spektatorët pasivë që qëndrojnë palëvizur edhe nëse përplasen me ata që kërcejnë, por edhe ata aktivë, të cilët kërkojnë në mënyrë provokative dikë për t’u ndeshur: kjo dukuri quhet pogo. Kur aktivët janë në shumicë, turma fillon të veprojë si një gaz, me molekulat që përplasen rastësisht me njëra-tjetrën. Por kur 2 ose më shumë fillojnë të lëvizin në të njëjtin drejtim, krijohen vorbulla të vërteta njerëzore, duke shtypur të gjithë ata që ndeshin përpara, me pasoja potencialisht të rrezikshme. Natyrisht, shpjegojnë studiuesit, modeli e thjeshtëzon shumë sjelljen njerëzore. Por ai është zhvilluar mjaftueshëm për ta bërë të qartë se çfarë mund të ndodhë.

Faktori (jo) njerëzor

Studime të tjera, si ai i Dinesh Mankoas i Universitetit të Merilendit, përfshijnë faktorët psikologjikë së bashku me ata mekanikë dhe e llogarisin pragun e sigurisë në 4 persona për metër katror. Në kushtet e një densiteti kaq të lartë, shpjegon Mankosa, sjelljet individuale kanë një rol themelor: njerëzit agresivë, të cilët fillojnë të shtyjnë ose të bërtasin, mund të jenë shkëndija që shkakton panikun. Dhe kjo sjell pasoja tragjike të imagjinueshme. Më tragjiket janë turmat pplitik që mashtrohen dhe rimashtrohen nga mashtrues-liderët e tyre / Focus – Bota.al

Please follow and like us: