Nderim e përulje në kujtim të jetës dhe veprës së artistit të madh, Odhise Paskali!
Ibrahim Emiri
118 vjet më parë, më 22 dhjetor 1903, lindi në Kozhan të Përmetit Skulptori i Popullit, Odhise Paskali. Ai mund të cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare, si dhe një nga personalitetet më të rëndësishem të artit shqiptar. Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, gjithashtu edhe në fushën e publicistikës, në estetikë dhe kritikë arti. Për të gjithë ata që e kanë vlerësuar, vepra e tij mbetet një shkollë e vërtetë arti.
Në vitin 1969, me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë, unë projektova e punova për realizimin e varrezave të dëshmorëve, kurse në vitin 1974 punova për realizimin e monumentit të kongresit në Përmet.
Pata nderin e fatin e veçantë të bashkëpunoj me Skulptorin e Popullit Odhise Paskali për harmonizimin e veprës së tij skulpturore “Ndihma e shokut” me obeliskun simbolik në varrezat e dëshmorëve, si dhe për monumentin e kongresit të Përmetit.
Nderim e përulje në kujtim të jetës dhe veprës së artistit të madh Odhise Paskali!
———————
Më 22 dhjetor 1903 lindi në Përmet skulptori shqiptar, Odhise Paskali, i cili cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar. Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit. Hapat e para të karrierës së Odhisesë, janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968, “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx ,në Korçë, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968 etj. Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të Shqipërisë. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë. Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i Paskalit me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave. Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali. Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet. Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme.