“Pse duhet t’i besojmë Presidentit serb?”, pyet Shaban Murati dhe poston dy citime: “Presidentët e dy shteteve të Ballkanit të Hapur, kundër Ballkanit të Hapur”
Shaban Murati
Nga blloku diplomatik
Media maqedonase “Republika.mk” njoftonte në 21 dhjetor 2021 se presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi, shprehu sot kundërshtimin e tij për nismën “Ballkan i hapur”, pikërisht ditën kur kryeministri maqedonoverior Zaev ndodhej në Tiranë për minisamitin e kësaj nisme me kryeministrin e Shqipërisë dhe me presidentin e Serbisë.
Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski sot tha: “Qëndrimi im për “Ballkanin e Hapur” është që nga vjeshta e vitit 2019 dhe deri më sot nuk ka ndryshuar. Kush e ka kuptuar në vitin 2019, ndërsa kush e ka kuptuar sot, kjo është problemi i tij. Është i njëjti qëndrim”.
Radio shtetërore gjermane “Dojçe Vele” njoftonte në 15 dhjetor 2021 se presidenti i Maqedonisë së Veriut Pendarovski gjatë vizitës së tij në Prishtinë deklaroi:
“T’ju rikujtoj se kur nisi si iniciativë në vitin 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezerva. Kësaj iniciative i mungon diçka, në vend se të jenë gjashtë shtetet, janë vetëm tre. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet nuk do të ketë sukses. Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësim tregtar e ekonomik, por jo politik. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka institucione, ka resurse, të cilat ”Ballkani i Hapur” nuk i ka”.
Kundër nismës serbe të “Ballkanit të hapur” është shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Në fjalën e mbajtur në 24 nëntor 2021 në Prishtinë përpara studentëve presidenti i Shqipërisë deklaroi:
“Procesi i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE-së, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues. Përkundrejt kësaj, “Ballkani i Hapur” është nismë përçarëse dhe përjashtuese”.
Pra presidentët e dy shteteve të vetme, që i janë bashkuar nismës serbe të “Ballkanit të hapur”, janë shprehur publikisht dhe zyrtarisht kundër saj.
Kjo don të thotë:
1-Presidentët e dy shteteve për shkak të postit më të lartë të shtetit kanë shumë informacione nga shumë burime për karakterin negativ të nismës serbe, përderisa janë shprehur publikisht dhe zyrtarisht kundër.
2-Kryeministrat e dy shteteve të vetme të Ballkanit Perëndimore, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, që i janë bashkuar nismës serbe, nuk kanë qenë në gjendje të bindin as presidentët e tyre për begatinë, që do të sjellë projekti serb. Përderisa presidentët e dy shteteve nuk i besojnë nismës serbe, përse duhet t’i besojë opinioni publik dhe populli?
3-Përse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev i besojnë më shumë presidentit të Serbisë Vuçiç se sa presidentëve të shteteve të tyre, të cilët dy kryeministrat i kanë zgjedhur vetë në postin më të lartë të shtetit?/gazeta dita